Arbnor Muja pritet të aktivizohet tek Antwerpi belg në ndeshjen ndaj Barcelonës. Barça e kampioni belg takohen të martën prej orës 21:00 në “Estadi Olimpic Lluis Companys” në kuadër të Grupit H të Ligës së Kampionëve. Në këtë grup janë edhe Porto dhe Shaktar Donetsku.
Muja në ndeshjen e fundit të Antwerpit u aktivizua si rezervist, por shfaqi nivel të lartë për minutat e kaluar në fushë. Kishte një gol e një asistim për 28 minuta lojë ndaj Wersterlos, të premten.
“Mezi pres ta shikoj ‘ekipin tim’ në sy. Barça ishte dashuria ime e parë. Ende e shikoj secilën ndeshje të kësaj skuadre. Do të jetë arritja më e madhe në karrierën time. Dhe një kujtim i bukur, pasi ka besim të madh që mund të kthehemi me rezultat të mirë”, ka thënë Muja për “gva.be”.
Sulmuesi i krahut ka startuar në 28 prej 42 ndeshjeve të deritashme të luajtura me Antwerpin. Në ndeshjen e fundit kampionale megjithatë startoi nga stoli.
“I kemi disa lojtarë që e gjejnë ritmin edhe më mirë kur aktivizohen nga stoli. Ndoshta unë i takoj kësaj liste”, ka thënë reprezentuesi i Shqipërisë. Në ndeshjen e kaluar u aktivizua në krahun e majtë, ndonëse zakonisht luan në krahun e djathtë. Por u ndje mirë edhe në këtë krah dhe nuk ka asgjë kundër që sërish ta mbulojë krahun e majtë.
Muja tashmë i ka luajtur ndeshjet e para me Shqipërinë dhe është i kënaqur.
“Nuk do të kthehesha te gjërat që kanë ndodhur te Kosova. I dëshiroj Kosovës sukses maksimal, por tani Shqipëria llogarit në mua. Duket mirë. Jemi në krye të grupit dhe shpresoj se do të jemi në Evropianin në Gjermani”, ka thënë Muja.
Por ai fillimisht është i fokusuar te ndeshja me Barcelonën. Muja dhe bashkëlojtarët e tij tek Antwerpi kanë stërvitur të hënën në stadiumin ku do të luhet ndeshja me Barçën.