Sport

Muja e Gjasula kërkojnë kualifikimin në Evropian ndaj Moldavisë

Futbollistët e Shqipërisë janë të gatshëm për dy ndeshjet e fundit që i luajnë këtë muaj në kuadër të kualifikimeve për “Euro 2024”, me të cilat edhe e mbyllin këtë cikël eliminator. Shqipëria të hënën edhe zyrtarisht e ka nisur grumbullimin për ndeshjet me Moldavinë dhe Ishujt Faroe, ndërsa atmosfera brenda ekipit është shumë pozitive. Ndeshjen e parë Shqipëria e luan të premten në udhëtim te Moldavia, ndërsa tri ditë më vonë i pret Ishujt Faroe në stadiumin “Air Albania” në Tiranë. Shqipërisë i mjafton një pikë prej këtyre dy përballjeve për ta konfirmuar pjesëmarrjen në Evropianin e vitit të ardhshëm që mbahet në Gjermani. Aktualisht është e para në Grupin E me 13 pikë të mbledhura pas 6 ndeshjeve të luajtura në këtë cikël eliminator. Të hënën në konferencën për shtyp janë paraqitur Arbnor Muja dhe Jurgen Gjasula, që insistuan se synimi i vetëm i Shqipërisë është arritja e objektivit madhor – kualifikimi në Evropian. Sulmuesi i krahut, Muja, vlerësoi lart Moldavinë, por shtoi se Shqipëria synon në këtë ndeshje t’u japë fund dilemave për kualifikim, në mënyrën që dueli i fundit, ai me Ishujt Faroe, të jetë një festë e vërtetë në Tiranë.

“Si çdoherë jemi përgatitur dhe jemi shumë të fokusuar. Kjo është finalja jonë. Në këto kualifikime jemi përgatitur mirë ta shohim se si do të vazhdojë ecuria edhe në këto ndeshje. Nuk mendoj që duhet të ndryshojmë dhe të dalim më shumë apo më pak nga vetja, nëse vazhdojmë me këtë ecuri që kemi pasur nuk besoj se do të hasim probleme. Futbolli gjithmonë ka vështirësi dhe mendoj që ekipi që kemi, grupi që kemi ka shumë cilësi dhe zemër dhe besoj se do të dalim me fitore”, ka thënë Muja. “Fuqia jonë janë tifozët kuqezinj, tifozët e kombëtares, jemi shumë krenarë për ta dhe shpresoj që t’i gëzojmë në dy ndeshjet e fundit, së pari me Moldavinë dhe pastaj ta bëjmë festën e madhe në Tiranë”.

Edhe mesfushori Gjasula insistoi se ndeshjet me Moldavinë dhe Ishujt Faroe vlerësohen si finale. Megjithatë, ai shtoi se fokusi i Shqipërisë është te përballja me Moldavinë, që nuk do të jetë aspak e lehtë. Ai shtoi se Moldavia ka një ekip të fortë duke u bazuar në faktin se në shtëpi nuk ka pësuar humbje në këto eliminatore.

“Ne e kemi parë të gjithë që Moldavia është një kundërshtar shumë i fortë, nuk kanë humbur asnjë ndeshje, e kemi mundur vetëm ne në Tiranë. E dimë që ndeshja është shumë e rëndësishme si një finale. Të dyja ndeshjet e radhës janë si finale për ne. E dimë që është ndeshje shumë e vështirë, por ne kemi vetëbesim. Kemi zhvilluar një fushatë kualifikuese shumë të mirë dhe jemi gati për këtë ndeshje”, ka thënë Gjasula. “Duhet të bëjmë detyrat tona, duhet të jemi gati. Duhet të kemi vetëbesim dhe të vazhdojmë të punojmë si çdoherë. Jemi shumë të motivuar, me thënë të drejtën muajt e kaluar ndeshjet në Tiranë dhe jashtë mbështetja ka qenë e shkëlqyer. Mbështetja është shumë e rëndësishme për ekipin tonë”.

Të hënën selektori Sylvinho ka bërë një ndryshim në listën e tij prej 24 futbollistëve të ftuar për ndeshjet e këtij muaji. Sylvinho nuk mund të llogarisë në mbrojtësin Arlind Ajeti, i cili ka pësuar lëndim në ndeshjen e fundit me Clujin. Kështu që në vend të Ajetit, Sylvinho ka ftuar mbrojtësin e Lokomotivës së Zagrebit, Jon Mersinaj, që i është bashkuar ekipit në grumbullim.