Ernest Muçi hyri në lojë në minutën e 75-të dhe shënoi gol shtatë minuta më vonë.
Reprezentuesi i shpresave të Shqipërisë realizoi golin e barazimit për Legia Varshavën 1:1 në udhëtim te Dinamo Zagrebi të mërkurën mbrëma.
Ishte ndeshja e parë e rrethit të tretë kualifikues të Ligës së Kampionëve.
Bruno Petkoviq shënoi i pari për gjigantin kroat pas një ore lojë. Ndërkohë, shifrat i barazoi Muçi në minutën e 82-të, kur i kaloi dy futbollistë dhe gjuajti fuqishëm nga 18 metra.
Ishte goli i dytë sezonal për 20-vjeçarin. Të parin e realizoi kundër Wisla Plockut në Ekstraklasa, që është elita e futbollit të Polonisë.
Reprezentuesi i Kosovës, Lirim Kastrati, luajti për Dinamon si zëvendësues nga minuta e 64, ndërsa kapiteni Arjan Ademi nuk ishte në formacion te Dinamo në këtë ndeshje.
Dueli kthyes zhvillohet pas një jave.