I njohur gjithmonë si një motivues i madh, Jose Mourinho po shkëlqen edhe si drejtues i klubit në punën e tij si trajner i ekipit nga Serie A, Roma. Kur thërret “Mou”, lojtarët vijnë me vrap në kryeqytetin italian.
Gjithçka filloi një vit më parë kur Mourinho joshi Tammy Abrahamin nga kampioni evropian Chelsea për t'iu bashkuar në Romë. Në fillim sulmuesi i ri nuk ishte edhe aq i bindur për t'iu bashkuar një ekipi që nuk kishte fituar një trofe për gati 15 vjet dhe historikisht ka qenë një pikë më poshtë se fuqitë e veriut të Italisë, Juventusi, Milani dhe Interi. Pastaj Mourinho e pyeti: “A dëshiron të qëndrosh në Anglinë me shi apo të vish të shijosh pak diell në Romë?”. Kjo vulosi transferimin prej 40 milionë eurosh dhe Abraham vazhdoi të shënonte 27 gola në të gjitha garat sezonin e kaluar, përfshirë nëntë në rrugëtimin e Romës drejt titullit të Ligës së Konferencës.
Pothuajse në të njëjtën kohë, Mourinho e bindi Henrikh Mkhitaryanin - i cili po kërkonte të largohej nga Roma - të qëndronte edhe një sezon dhe të ribashkohej me ish-trajnerin e tij te Manchester Unitedi. Fushata e transferimit të këtij sezoni filloi me Mourinhon duke joshur një tjetër lojtar nga Anglia, mesfushorin Nemanja Matiq, i cili kishte luajtur nën drejtimin e tij si te Chelsea ashtu edhe tek Unitedi. Më pas erdhi emri më i madh nga të gjithë, Paulo Dybala, i cili hodhi poshtë interesimin nga klubet e Ligës së Kampionëve, Inter dhe Napoli për t'u bashkuar me Romën si një transferim i lirë.
“Trajneri ishte shumë i qartë me idetë e tij – që ishte një nga arsyet më të mëdha për zgjedhjen time”, tha Dybala. “Të gjithë e dinë se çfarë përfaqëson ai në futboll. Thirrjet e tij më emocionuan. Kam pasur privilegjin të luaj me lojtarët më të mëdhenj dhe tani mund të punoj me një nga trajnerët më të mirë në historinë e futbollit”.
Ardhja e Dybaladit, i cili u emërua MVP i Serisë A dy sezone më parë, i bën tifozët e Romës të ëndërrojnë për më shumë trofe – si titujt e ligës vendëse që Mourinho u mësua t'i fitonte më herët në karrierën e tij në Porto, Chelsea, Inter dhe Real Madrid. Kjo ishte përpara se karriera e Mourinhos të haste disa turbulenca në punën e tij të mëparshme në Tottenham, ku apatia në dhomën e zhveshjes dhe zhgënjimi në rritje nga taktikat e tij i kushtuan atij me shkarkim pas vetëm 17 muajve në krye të klubit londinez. Megjithatë, deri më tani, Mourinho ka qenë një përshtatje e përkryer për Romën, ekip që ka një bazë të madhe tifozësh në një kryeqytet të madh evropian, por që ishte i uritur për trofe.
“E kuptova në momentin që mbërrita se çfarë do të thoshte – se ata po e prisnin këtë”, tha Mourinho pasi ngriti trofeun e Ligës së Konferencës në maj.
Titulli i Konferencës përmirësoi rekordin e Mourinhos në finalet evropiane në pesë trofe nga pesë ndeshje finale. Gjithashtu, ky sukses e bëri atë trajnerin e parë që drejtoi katër klube të ndryshme drejt titujve evropianë pasi fitoi Kupën e UEFA-s (2003) dhe Ligën e Kampionëve (2004) me Porton, pastaj Championsin (2010) me Interin dhe Ligën e Evropës me Manchester Unitedin në vitin 2017. Për të përkujtuar statusin e tij si trajneri i vetëm që fitoi të tre titujt aktualë evropianë të ofruar, Mourinho vendosi një tatuazh të trofeve të Ligës së Evropës, Ligës së Kampionëve dhe Ligës së Konferencës në krahun e tij të djathtë.
“Tani po qëndroj, nuk ka dyshime”, tha Mourinho, i cili po hyn në sezonin e dytë të kontratës trevjeçare. “Unë dua të qëndroj vetëm te Roma. Ne duhet të kuptojmë se çfarë duan të bëjnë pronarët tanë, të cilët janë njerëz fantastikë, sezonin e ardhshëm, sepse kjo është histori, por ne mund të ndërtojmë një projekt vërtet të fortë me profesionistë të ndershëm”.
Lojtarë si Dybala u tërhoqën nga ringjallja e Romës nga Mourinho, e cila ka rindezur bazën e tifozëve të ekipit.
“Për ne amerikanët e Jugut, është e veçantë të luash në stadiumin ‘Olimpico’”, insistoi Dybala. “Të bën të ndihesh sikur je në Argjentinë apo Brazil, gjë që nuk është e lehtë për t’u gjetur në Evropë. Kështu që të luash për këta tifozë do të jetë diçka unike”.
Ardhja e Dybala është krahasuar me mënyrën se si transferimi i Gabriel Batistutas - një tjetër sulmues i dalluar i Argjentinës - u konsiderua si lëvizja kryesore për të ndihmuar Romën të fitonte titullin e saj të fundit në Serie A në vitin 2001.
“Lëvizjet e Romës mund të ndryshojnë hierarkinë mes klubeve të mëdha të Serisë A”, tha Fabio Capello, i cili e fitoi titullin me Romën në vitin 2001. “Roma është bërë një pretenduese e vërtetë”.