Trajneri Jose Mourinho dhe kampionia e Ligës së Konferencës, Roma, po i shtojnë ambiciet e tyre me nënshkrimin e ish-sulmuesit të Juventusit, Paulo Dybala. Tre javë pasi skadoi kontrata e tij me Juventusin, 28-vjeçari argjentinas ra dakord për një marrëveshje trevjeçare me Romën. Dybala u prezantua te Roma, ekip te i cili do ta bartë fanellën me numrin 21. Është raportuar se ai te Roma do të ketë një pagë vjetore prej gjashtë milionë eurosh.
“Shpejtësia dhe vendosmëria me të cilën Roma tregoi se sa shumë më donte mua bëri ndryshimin”, tha Dybala pas zyrtarizimit. “Po i bashkohem një ekipi që është në rritje, një klubi që vazhdon të vendosë themele të forta për të ardhmen dhe një trajneri si Jose Mourinho, me të cilin do të jetë një privilegj të punosh”.
Dybala është nënshkrimi i dytë i profilit të lartë te Roma gjatë afatit kalimtar të verës. Para tij, ekipit nga kryeqyteti italian iu bashkua edhe mesfushori Nemanja Matiq, i cili firmosi kontratë njëvjeçare me opsionin e vazhdimit edhe për një vit tjetër.
Sikurse Dybala, edhe Matiq te Roma u transferua si lojtar i lirë, pasi në fund të muajit të shkuar i skadoi kontrata me skuadrën e Manchester Unitedit. Dybala shënoi 115 gola në të gjitha garat në shtatë sezone me fanellën e Juventusit, duke e ndihmuar ekipin nga Torino të fitojë 12 trofe – përfshirë pesë tituj kampioni në Serie A. Mirëpo, sulmuesi i lënduar shpesh e humbi vendin e titullarit sezonin e shkuar te trajneri Massimiliano Allegri pasi Juventusi në janar e transferoi sulmuesin Dushan Vlahoviq nga Fiorentina.
Dybala mund të luajë disa pozicione sulmuese dhe është fantastik në gjuajtjet e lira, penallti dhe shënime nga përtej zonës. Ai pritet të lidhet me Lorenzo Pellegrinin dhe Tammy Abraham në sulmin e Romës – dhe ardhja e tij mund të hapë rrugën që Nicolo Zaniolo të largohet nga Roma këtë verë në një shitje potencialisht fitimprurëse.
Roma fitoi titullin e Ligës së Konferencës në sezonin e saj të parë nën drejtimin e trajnerit Mourinho dhe do të synojë një përfundim në top katërshe dhe një vend në Ligën e Kampionëve këtë sezon, kur do të garojë edhe në Ligën e Evropës. Roma përfundoi e gjashta në Serie A sezonin e kaluar. Interi dhe Napoli gjithashtu thuhet se ishin të interesuar për Dybalan, por ishte telefonata personale e Mourinhos që e bindi argjentinasin t’i bashkohet te Roma.
Edhe
Roma prezanton Dybalan
“Si kundërshtar e kam admiruar gjithmonë atmosferën e krijuar nga tifozët e Romës”, tha Dybala. “Tani mezi pres rastin për t'i përshëndetur ata ndërsa kam veshur këtë fanellë”.
Dybala prej vitit 2012 luan në kampionatin italian, fillimisht te skuadra e Palermos përpara se t’i bashkohet Juventusit pas tre vjetësh. Ai në 271 paraqitje në Serie A, ka shënuar 98 gola dhe ka bërë 51 asistime. Roma e hap sezonin 2022/23 në Serie A më 14 gusht në udhëtim te Salernitana, më pas do të vizitojë ish-klubin e Dybalas, Juventusin, në xhiron e tretë.