Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Mourinho, Lukaku dhe Dybala do të kenë pritje të ndryshme në vizitën e Romës te Juventusi

Jose Mourinho

Tre persona do të kenë një pritje të veçantë kur Roma të vizitojë Juventusin në kuadër të Serie A të shtunën. Trajneri i Romës, Jose Mourinho dhe sulmuesi Romelu Lukaku, ka të ngjarë të përballen me një pritje armiqësore në Torino, ndërsa do të ketë një pritje shumë më të ngrohtë për ish-sulmuesin e Juventusit, Paulo Dybala – nëse argjentinasi është mjaftueshëm i aftë për të bërë udhëtimin. Mourinho udhëhoqi rivalin e hidhur të Juventusit, Interin drejt “tripletës” në vitin 2010 dhe trajneri kontrovers ka reaguar në raste të mëparshme ndaj karremit nga tifozët bardhezi duke ngritur tre gishtat në lidhje me suksesin e tij në Itali. Ndërkohë, Lukaku iu nënshtrua thirrjeve raciste nga një pjesë e tifozëve të Juventusit kur ai po luante për Interin gjatë gjysmëfinaleve të Kupës së Italisë në prill dhe atij iu dha kartoni i dytë i verdhë dhe u përjashtua nga loja për reagimin e tij ndaj mbështetësve vendas pasi shënoi gol në kohën shtesë - duke shkaktuar një përleshje mes dy skuadrave. Megjithatë, Lukaku – çuditërisht – thuajse iu bashkua Juventusit para fillimit të këtij edicioni, por një marrëveshje e propozuar me para në dorë, plus lojtar me klubin e tij mëmë Chelsean dështoi kur sulmuesi i “bianconerëve”, Dushan Vllahoviq, zgjodhi të qëndronte në Torino. E gjithë kjo do të rrisë tensionin në atë që tashmë pritet të jetë një ndeshje e nxehtë të shtunën mbrëma, e që nis në orën 20:45 dhe i takon xhiros së 18-të në Serie A. Juventusi i vendit të dytë po lufton fort për titullin e kampionit në Serie A dhe është katër pikë prapa Interit, i cili viziton Genoan të premten. Roma është rikuperuar nga një fillim i vështirë i edicionit dhe fitorja 2:0 e javës së kaluar ndaj kampionit në fuqi, Napolit e la atë tri pikë pas Bolognas së vendit të katërt. Skuadra e Mourinhos ka 16 pikë më pak se Interi që prin në klasifikim.

“Nuk është një kritikë, por ne kemi një grup lojtarësh me histori të komplikuara lëndimesh”, tha Mourinho të enjten. “Nëse do të kishim të gjithë në dispozicion për çdo ndeshje, nuk do të kisha probleme të dilja dhe të thosha se mund të luftojmë me të gjithë – jo për titullin, por për katër pozitat e para. Pa Smallingun, pa Sanchesin, pa Dybala, ne nuk kemi një skuadër të shkëlqyer”.

Shqetësimi i fundit i Dybalas së lënduar shpesh është një problem i kofshës që e pësoi në barazimin 1:1 të Romës kundër Fiorentinës më 10 dhjetor dhe 30-vjeçari pritej të mos ishte në dispozicion të Mourinhos deri vitin e ardhshëm. Mirëpo ai u rikthye në stërvitje këtë javë dhe mund të jetë në gjendje të luajë një pjesë në ndeshjen kundër Juventusit - edhe pse ka shumë pak gjasa të jetë titullar. Nëse Dybala bën udhëtimin në Torino, ai ka të ngjarë të duartrokitet edhe një herë nga ish-fansat e tij – siç ndodhi edicionin e kaluar. Dybala kaloi shtatë vjet në Juventus dhe kontribuoi me 115 gola dhe 48 asistime në gati 300 ndeshje. Ai gjithashtu ndihmoi Juventusin për të fituar 12 trofe, përfshirë pesë tituj kampioni të Italisë. Megjithatë, ai nuk favorizohej nga trajneri Massimiliano Allegri pasi Juventusi transferoi Vllahoviqin në janar të vitit të shkuar. Dybala u largua nga klubi i qytetit të Torinos kur kontrata e tij skadoi dhe vendosi t’i bashkohej Romës, ekip me të cilin ka kontratë deri në vitin 2025. Skuadra e Juventusit do të jetë më e kompletuar për këtë derbi, pasi do të rikthehen nga lëndimet Manuel Locatelli e Federico Chiesa.