Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Roma pa Mourinhon dhe Dybalan ndaj Milanit

Skuadra e Romës do të jetë pa dy figura kyç në ndeshjen që e luan në udhëtim kundër Milanit në kuadër të kampionatit italian. Në fakt, kjo ndeshje është edhe derbi i xhiros së 20-të në Serie A. Dueli mes Milanit dhe Romës luhet të dielën prej orës 20:45 në stadiumin “San Siro”. Roma në këtë derbi do të jetë pa trajnerin Jose Mourinho, i cili është i suspenduar për herën e tretë këtë edicion pasi u përjashtua nga fusha vikendin e shkuar në barazimin 1:1 kundër Atalantas. Krahas trajnerit Mourinho, Romës do t’i mungojë edhe sulmuesi Paulo Dybala, i cili u lëndua ditë më parë në humbjen nga Lazio në kuadër të Kupës së Italisë. Roma në dy ndeshjet e fundit në kampionat ka marrë vetëm një pikë dhe zë vendin e tetë në tabelë me 30 pikë të tubuara.

Në anën tjetër, Milani ka nëntë pikë më shumë se Roma dhe është i treti në tabelë. Po ashtu, Milani në katër ndeshjet e fundit ka regjistruar tri fitore e një barazim dhe llogaritet favorit kundër ekipit nga kryeqyteti i Italisë.

Kjo xhiro e kampionatit të Italisë nis në shtunën, me katër ndeshje që janë në program për t’u zhvilluar. Në orën 15:00 luhen ndeshjet Genoa – Torino dhe Napoli – Salernitana, ndërsa në mbrëmje Interi do të jetë mysafir i skuadrës së Monzas.

Interi prin në Serie A me 48 pikë, ndërsa Monza ka 25 pikë dhe është jashtë dhjetë pozitave të para në tabelë. Kjo xhiro e kampionatit italian do të mbyllet të martën, me duelin që Juventusi e luan në shtëpi kundër Sassuolos prej orës 20:45. Juventusi ka dy pikë më pak se Interi dhe është i dyti në tabelë. Ndërkohë, të hënën, po ashtu në mbrëmje Atalanta do të përballet me Frosinonen.