Sport

Mori goditje nga Zvicra, por Riola Xhemaili po bëhet gati te finalisti i Championsit

Talentja e madhe e futbollit, Riola Xhemaili, ka llogaritur që të jetë pjesë e Kampionatit Botëror që po mbahet në Australi dhe Zelandë të Re. Por Xhemaili u befasua për të keq nga përzgjedhësja e Zvicrës, Inka Grings. Gjermanja Grings nuk e përfshiu Riolën në ekipin që udhëtoi për në Australi dhe Zelandë të Re. Pati reagime të shumta në Zvicër lidhur me lënien jashtë të Xhemailit, që llogaritet njëra prej talenteve më të mëdha të futbollit në shtetin zviceran. Përzgjedhësja Grings qëndroi prapa vendimit, të cilin e arsyetoi me numrin jo të madh të ndeshjeve të Riolës në edicionin e kaluar dhe gjendjen e saj fizike.

Riola pranoi dëshpërimin për mbetjen jashtë ngjarjes globale. Ajo tashmë ka 22 ndeshje e pesë gola për Zvicrën dhe ka planifikuar të paraqitet në kampionatin e rëndësishëm. Goditja e papritur shpresohet që vetëm sa do ta forcojë futbollisten kosovare.

Në nivel klubesh tashmë ka bërë hapin e madh në karrierë. Nga Freiburgu i Bundesligës gjermane kaloi te Wolfsburgu. Edhe Wolfsburgu është skuadër e Bundesligës gjermane, por e nivelit dukshëm më të lartë. Është paraqitur në finale të Ligës së Kampionëve pak kohë më parë. Më 3 qershor kishte pësuar në finale të Championsit nga Barcelona.

Wolfsburgu e ka fituar Championsin dy herë, së fundi në vitin 2014. Në finale është paraqitur edhe në katër raste prej atëherë, por është mposhtur. Bundesligën e ka fituar shtatë herë, së fundi në vitin 2022. Në edicionin e fundit ishte nënkampion. Skuadra e re e Riolës ka fituar Kupën e Gjermanisë në edicionin e fundit dhe rregullisht që nga viti 2015. Është skuadër dominante në Gjermani në dekadën e fundit.

Wolfsburgu pritet të vazhdojë me suksese, ndërsa shërbimet e Riolës i ka siguruar që në fillim të prillit.

Mesfushorja Xhemaili ka firmosur me Wolfsburgun për tre vjet.

“Ëndërr e secilës futbolliste është të luajë në Ligën e Kampionëve çdo vjet dhe të luftojë vazhdimisht për trofe. Dua të integrohem shpejt dhe mirë në ekip dhe të angazhohem që të jemi të suksesshëm së bashku. Natyrisht dua të zhvillohem tutje në aspektin personal dhe të forcohem. Do të mësoj shumë te Wolfsburgu”, ka thënë Riola Xhemaili.

“Personalisht kam për qëllim të zhvillojë aftësitë e futbollit te Wolfsburgu. Vetëm të ushtrojë në një ekip kaq të fortë më ndihmon të përparojë. Synimi është të bëhem kampione me Wolfsburgun. Të fitosh trofe është gjë e madhe. Natyrisht dua të jem e suksesshme edhe në Ligën e Kampionëve në të ardhmen”, ka shtuar Xhemaili.

Klubi i madh gjerman e kontaktoi kur nuk ishte në momentin më të mirë në karrierë. Dhe kjo natyrisht e rrit vetëbesimin e futbollistes së re. Posa u paraqit oferta e Wolfsburgut, Riola e kishte të qartë ku do ta vazhdonte karrierën.

Te Wolfsburgu, për dallim nga përzgjedhësja e Zvicrës, kanë vlerësuar maksimalisht potencialin e Riolës.

“Riola është lojtare e re dhe e talentuar që ra në sy në moshë të re në Zvicër. Me dëshirën për lojë dhe aftësitë e driblimit, ajo sjell aftësi që mund të shkaktojnë probleme për secilën mbrojtje. Jam i lumtur që Riola e sheh të ardhmen te Wolfsburgu”, ka thënë Ralf Kellerman, drejtor i futbollit të vajzave te klubi Wolfsburg.

Riola tashmë ka nisur stërvitjet me skuadrën e madhe gjermane. Ambientimi i hershëm me skuadrën e re mund të jetë “e mira” e mbetjes jashtë Botërorit.

Ajo nuk është në Australi e Zelandë të Re, por me skuadrën e Wolfsburgut do të jetë në shumë finale e me shumë mundësi do të festojë shumë trofe.