Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Momentet e paharrueshme të Kupës së Botës në Katar

Maroku - Katar 2022 - suksesi

Kupa e Botës në Katar ishte turne i gjërave që ndodhnin për herë të parë. Ishte Botërori i parë që u mbajt në Lindjen e Mesme, i pari në periudhën nëntor-dhjetor dhe i pari ku një gjyqtare drejtoi ndeshje.

Nga fitoret befasuese, te lotët dhe golat spektakolarë, Botërori “Katari 2022” do të mbetet gjithmonë në kujtesë.

Më poshtë janë disa nga momentet më të paharrueshme të kësaj ngjarjeje unike.

Përshtypja e parë dhe e jashtëzakonshme e Infantinos

Në prag të turneut deklarata e jashtëzakonshme e presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino, gjatë një konference për shtyp bëri bujë në mbarë botën. Në një monolog shpërthyes, Infantino akuzoi kritikët perëndimorë për hipokrizi dhe racizëm. Turneu ishte zhytur në polemika, me një pjesë të madhe të fokusuar në të drejtat e njeriut: te vdekja e punëtorëve emigrantë dhe kushtet që shumë prej tyre i kanë duruar në Katar, te komuniteti LGBTQ dhe të drejtat e grave.

Edhe Momentet e paharrueshme të Kupës së Botës në Katar Sport Momentet e paharrueshme të Kupës së Botës në Katar

“Kemi shumë mësime nga evropianët, nga bota perëndimore”, tha Infantino, duke iu referuar kritikave për të drejtat e njeriut në Katar. “Për atë që ne evropianët kemi bërë për 3000 vjetët e fundit, duhet të kërkojmë falje në 3000 vjetët e ardhshëm përpara se të fillonim të jepnim mësime morale”.

Presidenti i FIFA-s vazhdoi duke thënë se e dinte se çfarë ndjesie ishte të diskriminohesh, duke thënë se ai ishte ngacmuar si fëmijë për shkak të flokëve të kuq dhe njollave. “E ndiej Katarin. Ndihem arab. Ndihem afrikan. Ndihem homoseksual. Ndihem i paaftë. Ndihem një punëtor emigrant”, tha ai para një audience të habitur. Komentet e tij u përshkruan nga grupet e të drejtave të njeriut si “të paarsyeshme” dhe një “fyerje” për punëtorët emigrantë.

Maroku befason gjithë botën

Ky Botëror do të mbetet në kujtesë si një turne befasish. Maroku shkroi librat e historisë duke u bërë vendi i parë afrikan që arriti në mesin e katër ekipeve më të mira. Maroku ka mposhtur gjigantët e Evropës, si Belgjikën, Spanjën dhe Portugalinë në këtë rrugëtim. Serie e përfunduar me një humbje 2:0 nga Franca, shkoj përtej të gjitha pritjeve. Maroku fitoi ndeshjen e parë të Kupës së Botës që nga viti 1998 – dhe të tretën ndonjëherë – duke siguruar një triumf të bujshëm 2:0 ndaj Belgjikës dhe duke kontribuuar në eliminimin nga gara të skuadrës së dytë në renditjen botërore.

Një barazim pa gola me Kroacinë, finalisten e Botërorit të kaluar shënoi fillimin e kampanjës për marokenët. Pas fitores ndaj Belgjikës, erdhi fitorja me Kanadanë dhe Maroku avancoi nga grupi me optimizëm të shtuar.

Imazhet e trajnerit Walid Regragui duke u hedhur me gëzim në ajër dhe lojtarëve që luten në terren pas ndeshjeve u shpërndanë në gjithë botën. U pranuan nga afrikanët e arabët nga e gjithë bota, por edhe gjithë ata që duan të përkrahin një autsajder.

Pasi Maroku mposhti Portugalinë, Regragui e krahasoi ekipin e tij me “Rockyn”.

“Ne e kemi bërë popullin tonë dhe kontinentin tonë kaq të lumtur dhe krenar. Kur shikon ‘Rockyn’, dëshiron të mbështesësh Rocky Balboan dhe mendoj se ne jemi ‘Rocky’ i këtij Botërori”, tha Regragui. “Unë mendoj se tani bota është me Marokun”.

Arabia Saudite shokon Argjentinën

Ndoshta në përmbysjen më të papritur në histori të turneut, Arabia Saudite mundi dy herë fituesen e atëhershme të Kupës së Botës, Argjentinën, në ndeshjen hapëse të grupit C. E udhëhequr nga Lionel Messi, dhe e renditur e treta në ranglistën botërore, shumë kishin pritur që Argjentina të largonte lehtë mënjanë Arabinë Saudite, veçanërisht pasi Argjentina ishte e pamposhtur për tre vjet dhe ndër favoritet për të fituar turneun. 48 vende në renditjen e FIFA-s ndanin skuadrat.

Por çfarë do të ishte një Kupë Botërore pa Arabinë Saudite që ofroi një moment madhështor? Kapiteni i Argjentinës, Mess,i shënoi penallti të hershme për të kaluar skuadrën e tij në epërsi, por dy golat e pjesës së dytë nga Saleh Al-Shehri dhe Salem Al Dawsari e kthyen lojën në favor të Arabisë Saudite dhe ishin katalizatori për një shpërthim gëzimi nga tifozët sauditë. Sidomos një video u bë virale. Ajo shfaqi një burrë në gëzim të skajshëm, që shkëputi derën nga korniza e saj gjatë festës në shtëpi.

Japonia mposht Gjermaninë

Në një kthesë tjetër të papritur, kampionia e botës në vitin 2014, Gjermania, pësoi disfatë shokuese nga Japonia në ndeshjen e parë. Kështu gjermanët dhanë shenja të hershme për një Kupë Bote të dobët. Eliminimi në fazën e grupeve në Rusia 2018, turneu në të cilin Gjermania hyri si kampione në fuqi, ishte niveli më i ulët historik për katër herë fituesen e Kupës së Botës.

Kjo shënoi herën e parë në 80 vjet që përfaqësuesja gjermane nuk arriti të kalonte në fazën eliminatore të Botërorit. Në Katar skuadra gjermane pa dyshim shpresonte për një përmirësim. Gjermania dominoi për periudha të gjata ndeshjen kundër Japonisë dhe pati shumë mundësi për të rritur epërsinë pas avantazhit 1:0. Por Japonia pati fatin dhe ishte efikase kur erdhën shanset. Në fund skuadra japoneze mundi Gjermaninë 2:1. Ndeshja e dytë kundër Spanjës u dha gjermanëve një barazim të vështirë. Pavarësisht se mundi Kosta-Rikën, 4:2, në ndeshjen e fundit të Grupit E, Gjermania nuk avancoi. Japonia mundi Spanjën 2:1 në ndeshjen e fundit në grup për të kaluar në raundin tjetër. Tutje kaloi edhe Spanja, kurse Gjermani vazhdoi rrugën për në shtëpi.

Gjyqtarja shkroi histori

Stephanie Frappart hyri në histori si gjyqtarja e parë që drejtoi një ndeshje të Kupës së Botës për futbollistë. Përkrah asistenteve Neuza Back nga Brazili dhe Karen Diaz nga Meksika, francezja ishte pjesë e një tresheje gjyqtaresh në duelin e Kosta-Rikës kundër Gjermanisë në Grupin E.

Edhe Një Kupë unike e Botës me një fund përrallor Sport Një Kupë unike e Botës me një fund përrallor

“Është befasi. Nuk mund ta besosh dhe pas dy apo tre minutash e kupton se po shkon në Kupën e Botës. Është e mahnitshme, jo vetëm për mua, por edhe për familjen time dhe gjithashtu për gjyqtarët francezë”, tha ajo.

Debutimi i Frappartit në Kupën e Botës është vetëm një tjetër kapitull në librin e saj të historisë në futboll: në vitin 2019 ajo u bë gjyqtarja e parë që drejtoi ndeshjeje të Ligue 1; në gusht 2019 u bë e para që mori përgjegjësinë për një ndeshje të madhe evropiane për futbollistë dhe në vitin 2020 ishte e para që drejtoi ndeshje të Ligës së Kampionëve për futbollistë.

Kërcimi i fundit i Lionel Messit

Të gjithë sytë pa dyshim se ishin te Lionel Messi, i cili e udhëhoqi Argjentinën drejt titullit të tretë të botës dhe të parit prej vitit 1986. 35-vjeçari bëri histori rrugës për në finale, duke shënuar në ndeshjen e 1000-të në karrierë, në fitoren 2:1 të Argjentinës ndaj Australisë.

Duke qenë kapiten i Argjentinës për herë të 100-tën, Messi ndezi atë ndeshje të 1/8 së finales në pjesën e parë, kur shënoi golin e 789-të në karrierë.

Messi pa dyshim që i kishte sytë kah çmimi i madh – Kupa e Botës – që e fitoi në tentimin e pestë dhe të fundit.

Ai e pati përkrahjen e 40 mijë argjentinasve që kishin udhëtuar në Katar për ta parë për herën e fundit të luajë në Botëror. Ky udhëtim duket se iu shpërblye atyre pasi Messi më në fund e fitoi titullin. Argjentina triumfoi në finale ndaj Francës me penallti.

Tetë vjet më parë Messi dhe Argjentina arritën në finalen e Kupës së Botës në Brazil, por u mundën 1:0 nga Gjermania.

Kur u pyet nëse ky do të ishte Botërori i fundit, Messi u përgjigj: “Po. Me siguri po. Kanë mbetur shumë vjet deri në tjetrin dhe nuk mendoj se do të jem aty dhe ta përfundosh këtë Botëror me titull është gjëja më e mirë e mundshme”.

Ëndrrat e shkatërruara të Ronaldos

Ka të ngjarë të jetë Botërori i fundit edhe për Cristiano Ronaldon. Në vend të një finaleje të lavdishme, sulmuesi 37-vjeçar u largua nga fusha i përlotur pasi Portugalia u mund 1:0 nga Maroku në çerekfinale. Në pamundësi për të fshehur emocionet, Ronaldo u pa duke u shoqëruar nga një anëtar i stafit derisa largohej nga fusha në stadiumin “Al Thumama” për në dhomën e zhveshjes së ekipit të Portugalisë, menjëherë pas humbjes.

Ky nuk ishte zhgënjimi i vetëm me të cilin u përball në Katar. Gjatë ndeshjes së Portugalisë me Uruguain, Ronaldo mendoi se kishte barazuar rekordin e madhështorit Eusebio si golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave në Kupën e Botës për Portugalinë. Shokët e skuadrës u grumbulluan për festim, ndërsa komentuesit dhe ekspertët e lavdëruan atë për prekjen më të lehtë pas krosimit të Bruno Fernandesit. Ronaldo mendoi se e shënoi golin e dytë në po aq ndeshje në Kupën e Botës 2022 dhe të nëntin për Portugalinë në Kupat e Botës.

Ndërsa atmosfera në stadiumin “Lusail” ishte në kulm, një njoftim befasues u bë nga spikerja zyrtare. Goli në fakt i ishte dhënë Fernandesit e jo Ronaldos. Pati reagime të shumta më pas.

Megjithatë nuk ishte e gjitha zi për Ronaldon. Ndërsa Portugalia luajti me Ganën, Ronaldo u bë lojtari i parë në histori që shënoi në pesë Kupa Botërore.

Këmbët vallëzuese

Edhe Presidenti i FIFA-s e akuzon Perëndimin për “hipokrizi” lidhur me Katarin Sport Presidenti i FIFA-s e akuzon Perëndimin për “hipokrizi” lidhur me Katarin

Përfaqësuesja e Brazilit ka festuar me shumë stil në Katar. Ekipi hyri në turne si favorit për të ngritur trofeun. Por tri ndeshjet në grup ishin të vështira dhe treguan vetëm “shkrepje të përkohshme” të talentit të lidhur me Brazilin ndër vite. Me një fitore 4:1 ndaj Koresë së Jugut, skuadra më në fund tregoi pse zakonisht është kaq e frikshme. Dhe njëkohësisht shfaqi aftësitë në kërcim.

Kjo përfshinte disa lëvizje koreografike në kohën e duhur, ndërsa Brazili festoi secilin nga katër golat me stil, madje duke bindur trajnerin Tite që të bashkohej me “vallen e pëllumbave” të Richarlisonit për golin e tretë. Por nuk kishte shumë vallëzime deri në fund, pasi Brazili nuk iu afrua titullit, duke u ndalur më herët se që kanë pritur shumica – në çerekfinale.