Anglia dhe Holanda janë përfaqësueset e para të mëdha të Kupës së Botës që janë vendosur në Katar. Ndërkohë presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, u kërkoi sërish të martën përfaqësueseve pjesëmarrëse të fokusohen në futboll gjatë turneut njëmujor.
Lutjet e organit qeverisës botëror të futbollit janë dëgjuar pak në disa vende. Me afrimin e Botërorit janë rritur kritikat për trajtimin e Katarit ndaj punëtorëve emigrantë.
FIFA nisi fushatën “Futbolli bashkon botën” me një video ku shfaqeshin lojtarë yje, përfshirë Neymarin, Karim Benzeman dhe Edouard Mendyn.
“Edhe pse futbolli është dhe duhet të jetë fokusi ynë kryesor, Kupa e Botës ka të bëjë gjithashtu me vlera dhe kauza që shtrihen shumë përtej fushës. Dhe ne jemi të kënaqur që yjet e futbollit janë bashkuar për të promovuar dhe nxjerrë në pah këto tema, të cilat gjithashtu bashkojnë të gjithë botën”, tha Infantino.
Trajneri i SHBA-së, Gregg Berhalter shpjegoi pse ekipi i tij po shfaq një logo ylberi në bazën stërvitore në Katar, ku po përgatitet tashmë disa ditë.
Edhe
Momentet e paharrueshme të Kupës së Botës në Katar
“Ne mendojmë se është e rëndësishme që kudo që jemi në skenën botërore, e edhe në një vend si Katari, të ndërgjegjësojmë për këto çështje”, tha ai. “Ne e pranojmë se Katari ka bërë përparime të mëdha, por ka edhe pak punë për të bërë”.
Infantino bëri thirrje për një armëpushim njëmujor në Ukrainë për të shënuar Kupën e Botës, duke thënë se sporti mund t'i bashkojë njerëzit. Ai u tha udhëheqësve të Grupit 20 të ekonomive kryesore të mbledhur në Bali se nuk ishte aq “naiv” sa të besonte se Kupa e Botës mund të zgjidhte problemet e botës. Por tha se turneu ofroi një “platformë unike”, me rreth pesë miliardë njerëz që pritet ta shikojnë në televizion.
Rusia organizoi Kupën e Botës 2018, por FIFA e largoi Përfaqësuesen ruse nga plejofi kualifikues për turneun e Katarit në përgjigje të pushtimit të Ukrainës.
Përfaqësuesja e Anglisë, e kryesuar nga sulmuesi Harry Kane, ka arritur në Katar me synimin për të pasur rezultat më të mirë se katër vjet më parë kur humbi në gjysmëfinale. Anglia synon t'i japë fund pritjes 56-vjeçare për të fituar Kupën e Botës.
Edhe
Momentet e paharrueshme të Kupës së Botës në Katar
Holanda, trajneri i sinqertë i së cilës, Louis van Gaal, nuk e ka fshehur mendimin e tij se Katari nuk duhej të lejohej kurrë të organizonte Kupën e Botës, gjithashtu ka arritur në shtetin e Lindjes së Mesme. Trajneri i Danimarkës, Kasper Hjulmand, tha se ekipi i tij do të fokusohet në futboll me të arritur në Katar të martën, pasi FIFA refuzoi kërkesën e danezëve për të veshur fanella speciale në stërvitje, me mesazhe për të mbrojtur të drejtat e njeriut. Jakob Jensen, presidenti i Federatës së Futbollit të Danimarkës, tha: “Lojtarët janë këtu për të luajtur futboll, ata po ëndërrojnë të fitojnë Kupën e Botës. Ata duhet të jenë në gjendje të përqendrohen në lojë”.
Katari ka hedhur poshtë shumë nga akuzat kundër të drejtave të njeriut, që janë përshkruar si “racizëm”. Vendi me gati tre milionë banorë dhe një nga prodhuesit më të mëdhenj në botë të gazit natyror, ka shpenzuar shumë për të ndërtuar stadiume dhe infrastrukturë që kur fitoi votën shokuese në vitin 2010. Stadiumet e reja kanë kushtuar më shumë se 6.5 miliardë dollarë dhe një sistem metroje me kosto prej 36 miliardë dollarësh, ofron shërbime në pesë nga tetë mjediset e Botërorit. Disa vlerësime thonë se shpenzimet totale të Katarit për infrastrukturë gjatë dekadës së fundit ishin 200 miliardë dollarë.