Sport

Katari është gati për Botërorin e veçantë të futbollit

Kampionati i parë Botëror në Lindjen e Mesme është një muaj larg. Kështu po i vjen fundi një udhëtimi 12-vjeçar, shpesh me pengesa, për Katarin, udhëtim që ka transformuar vendin. Katari është përballur me dyshime se si e bindi FIFA-n të votonte për t’ia dhënë organizimin e këtij turneu në vitin 2010. Kishte kritika se si u trajtuan punëtorët emigrantë për ndërtimin e stadiumeve dhe infrastrukturës së turneut. Kishte edhe tallje nga bota e futbollit për ndryshimin e datave nga periudha tradicionale qershor-korrik në nëntor-dhjetor.

Vendi i vogël arab që del në Gjirin Persik i ka kapërcyer të gjitha këto, si dhe armiqësinë nga shtetet fqinje që imponuan një bojkot ekonomik dhe diplomatik trevjeçar që përfundoi në janar të vitit 2021. Më 20 nëntor turneu më i madh në futboll do të fillojë më në fund në stadiumin “Al Bayt” me 60,000 ulëse. Stadiumi është në një vend të ri në veri të Dohas dhe u ndërtua enkas për Kupën e Botës. Ekipi përfaqësues i veshur me ngjyrë kafe dhe të bardhë nga vendi pritës do ta hapë turneun kundër Ekuadorit. Të gjitha 64 ndeshjet gjatë 29 ditëve që përfshijnë 32 ekipe do të luhen në zonën e Dohas, me shumë shfaqje dhe ngjarje kulturore të planifikuara për një festë të udhëhequr nga futbolli në shoqërinë konservatore myslimane.

Për një muaj Katari do t’i zbutë paksa kufizimet e rrepta se ku mund të blihet alkooli, duke përfshirë shërbimin e birrës nga sponsori i Kupës së Botës “Budweiser” në tetë stadiume dhe në zonën zyrtare të shikimit të ndeshjeve në ekran të madh në “Al Bidda Park”.

Premtimet për “Kupën e Botës më të mirë ndonjëherë, brenda dhe jashtë fushës”, u bënë ditë më parë edhe nga presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, i cili tha të njëjtën gjë në Moskë katër vjet më parë, kur Rusia organizoi turneun. Megjithatë, që nga vendimet në vitin 2010 për të zgjedhur Rusinë dhe Katarin si mikpritësit e ardhshëm të Kupës së Botës, 21 nga 24 anëtarët në Komitetin Ekzekutiv të FIFA-s u dënuan në mënyra të ndryshme për çështje penale ose etike, u paditën, u liruan në gjyq ose u implikuan në keqbërje. Një prej tyre është edhe presidenti i atëhershëm i FIFA-s, Sepp Blatter, i cili mbetet ende i përjashtuar nga sporti që drejtoi për 17 vjet. Blatter ka thënë se nuk ka votuar për Katarin.

Rreth 1.2 milionë vizitorë priten në Katar për Kupën e parë të Botës, që do të luhet në mes të sezonit tradicional të futbollit evropian, një lëvizje e bërë për të shmangur nxehtësinë e madhe të shkretëtirës në Lindjen e Mesme.

“Ne po i hapim dyert tona në Doha pa diskriminim”, tha emiri i Katarit, Sheikh Tamim bin Hamad Al Thani, në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në New York, muajin e kaluar.

Ekziston një dyshim i paprecedentë, me formacionin aktual të turneut ende nën apel. Kili dhe Peruja kanë shkuar në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (CAS) për të sfiduar kualifikimin e Ekuadorit, duke pretenduar se ka përdorur një lojtar me pasaportë të falsifikuar.

Turneu i këtij viti do të jetë ndër Kupat e Botës më të shtrenjta për tifozët dhe sigurisht më politiku në kohët moderne. Aktualisht lojtarët nga Brazili po përdoren si armë politike në një fushatë zgjedhore dhe lojtarët nga Irani kanë mbështetur protestat në shtëpi pas vdekjes së një gruaje 22-vjeçare.

Tetë nga 13 përfaqësueset evropiane thanë muajin e kaluar se kapitenët e tyre do të mbajnë një shirit në krah me një dizajn shumëngjyrësh në formë zemre për ta mbështetur fushatën “One Love” kundër diskriminimit. Gjesti është një shkelje e qartë e rregullave të FIFA-s. Këtë javë Federata e Futbollit e Shteteve të Bashkuara të Amerikës iu bashkua gjashtë federatave evropiane në mbështetjen e thirrjeve të avokatëve për të drejtat e njeriut, për të krijuar një fond kompensimi për punëtorët, shumë prej tyre nga Azia Jugore, të cilët janë vrarë ose lënduar.

“Me Kupën e Botës në prag, është bërë vetëm gjysma e punës për mbrojtjen e punëtorëve emigrantë nga shfrytëzimi. Ndërsa ajo e kompensimit të atyre që kanë pësuar abuzime mezi ka filluar”, tha Steve Cockburn, kreu i drejtësisë ekonomike dhe sociale në “Amnesty International”.

Zëvendëssekretari i përgjithshëm i FIFA-s, Alasdair Bell, tha se janë të hapur për bisedime mbi korrigjimin dhe dëmshpërblimet.

Infrastruktura është gati, por sfidat për Katarin janë në shkallën njerëzore. Një vend me vetëm 350,000 qytetarë është rritur në 2.6 milionë nga emigrantët që punojnë në sektorët e ndërtimit dhe shërbimeve.

“Bota do të shohë se vendet e mesme dhe të vogla janë në gjendje të presin ngjarje globale me sukses të madh”, u tha emiri delegatëve të OKB-së.

Sa i përket sigurisë, Katari do të mbështetet në ekspertizën dhe pajisjen e aleatëve, duke përfshirë qentë, sistemin antidron, një aeroplan vëzhgimi nga Franca dhe një anije luftarake dhe polici të trazirave nga Turqia.

Kupa e Botës do të mbahet në territorin më të vogël që nga Zvicra në vitin 1954 dhe do të ketë në mënyrë unike për shumicën e tifozëve që jetojnë së bashku në një qytet. Turqia po dërgon rreth 3000 policë të trazirave për një turne që do të ketë zhurmë të stilit perëndimor në rrugët e Dohas. Një skenë feste po krijohet në Doha që ka të ngjarë të jetë një qendër për vrapuesit nga të gjithë shtetet e Gjirit, me çmimet e biletave që sillen nga 45 dollarë deri në 7500 dollarë. Këngëtarët që do të performojnë nëpër festivale gjatë turneut që do të mbahen natën në Doha tashmë janë konfirmuar. Pranë aeroportit kryesor, vendi i festivalit Aravia për 5000 njerëz po drejtohet nga një promovues i muzikës saudite. Gjithçka i shtohet zotimit që zyrtarët e Katarit e kanë bërë që nga viti 2009, kur filloi fushata e pritjes së Botërorit: Ne e duam futbollin si ju, ejani dhe shijojeni atë, por kini respekt për traditat tona kulturore.