Të premten nga Qeveria e Kosovës është miratuar Projektligji për Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030”.
Sipas Ministrisë për Sport e Rini, ky është një hap i rëndësishëm për organizimin e ngjarjes më të madhe sportive deri më tani në Kosovë.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoProjektligji përcakton kornizën ligjore, përgjegjësitë institucionale dhe procedurat për organizimin dhe funksionimin e Lojërave Mesdhetare.
Projektligji parasheh mbështetje financiare të shtetit prej plot 253 milionë euro për këtë organizim. Synohet zhvillimi i mëtejme i infrastrukturës dhe promovimi i Kosovës në botë.
“Burimi kryesor i financimit për organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030 do të jetë buxheti i shtetit të Republikës së Kosovës”, ka thënë ministri i Sportit dhe Rinisë, Blerim Gashani, gjatë fjalimit të tij në mbledhjen e qeverisë.
Deri më tani ka pasur vonesa të mëdha lidhur me procedurat e organizimit të Lojërave Mesdhetare. Madje ka pasur edhe përplasje në mes të Qeverisë dhe Komunës së Prishtinës.
Këtij organizimi po i kushtohet rëndësi e madhe në vend, ndonëse në përgjithësi Lojërat Mesdhetare kanë humbur shumë nga pesha që kishin. Organizimi do të sjellë mijëra sportistë në Kosovë, por po ashtu do t’i kushtojë goxha shumë buxhetit të shtetit. Ndërkohë priten përmirësime në infrastrukturën sportive në vend, që vazhdon të jetë e padenjë.
Lojërat Mesdhetare të këtij viti mbahen në Taranto të Italisë prej 23 gushtit deri më 3 shtator.
Kosova pritet të dërgojë delegacion të madh, për t’u paraprirë Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”.
Në Oran të Algjerisë u mbajt edicioni i kaluar i Lojërave Mesdhetare. Morën pjesë 3390 sportistë nga 26 shtete të ndryshme. Por jo në të gjitha sportet u paraqitën më të mirët. “Prishtina 2030” do të jetë edicioni i 21-të i Lojërave Mesdhetare.
Kosova debutoi në “Tarragona 2018” dhe mori pjesë edhe në “Oran 2022”. I ka dhjetë medalje në total. Në xhudo janë fituar gjashtë të arta, një e argjendtë e dy të bronzta. Një tjetër e bronztë është fituar në boks.