Klubi i hendbollit, Trepça, kthehet në skenën evropiane me synim për ta kaluar pengesën e parë. Trepça në fundjavë luan me skuadrën izraelite, Holon Yuvalim. Ndeshjet i takojnë rundit të parë të Kupës Evropiane, që është niveli i tretë kontinental.
Me marrëveshje të dy skuadrave, ndeshjet luhen në palestrën “Minatori” në Mitrovicë. Ndeshja e parë është të shtunën nga ora 19:00, ndërsa e dyta të dielën nga ora 13:00.
Trepça vetëm për herë të dytë po paraqitet në gara evropiane. Në edicionin 2017/18 kishte luajtur në rundin e tretë të Challenge Cup, që po ashtu ishte niveli i tretë. Kishte humbur dy ndeshjet në “Minatori” nga skuadra cilësore rumune, Potaissa Turda, që doli kampione në fund.
Trepça është dashur të paraqitet edhe në edicionin 2005/06 të Challenge Cup. Ishte në grup me ekipe nga Rusia, Bullgaria dhe Portugalia. Ndeshjet ishin luajtur në Rusi, ndërsa ky vend nuk lëshoi viza për mitrovicasit. Kështu EHF-ja i regjistroi të gjitha ndeshjet me rezultat zyrtar, në të mirë të skuadrave kundërshtare të Trepçës.
Trepça gjatë verës ka bërë disa përforcime, ndërsa për ndeshje evropiane ka huazuar tre lojtarë nga Prishtina. Pra, të gjithë fondin e ka me lojtarë vendorë. Ndërkohë, skuadra izraelite së fundi angazhoi dy lojtarë nga Serbia, ndërsa i ka edhe dy lojtarë afrikanë. Holoni pesë herë ka garuar në Evropë, kurse në dy raste e ka kaluar nga një kundërshtar.
“Përgatitjet i kemi filluar me kohë. Përballë do ta kemi një kundërshtar të fortë, që së fundi ka marrë dy lojtarë cilësorë nga Serbia. I ka edhe dy lojtarë nga Nigeria në përbërje. Ne luajmë vetëm me lojtarë të vendit. Por do ta japim maksimumin për sukses dhe sportit nuk i dihet. Ne do të luajmë për fitore”, ka thënë trajneri i Trepçës, Taib Kabashi.
“Nëse kalojmë në rundin e dytë, atëherë përballë do ta kemi skuadrën e njohur, Beshiktash. Të gjithë në klub kanë dëshirë të përballemi me këtë skuadër të madhe. Prandaj edhe angazhimi nuk do të mungojë për ta kaluar ekipin izraelit. Por, prapëseprapë them se ekipi kundërshtar është shumë i fortë”, ka shtuar Kabashi.
Në Kupën Evropiane, javën e kaluar luajti Vëllaznimi i Gjakovës. Vëllaznimi i luajti dy ndeshje në Luksemburg dhe i humbi. Ndërkohë Prishtina është eliminuar pa lojë nga një skuadër austriake. Kampionia Besa Famgas, garimin e nis prej rundit të dytë të Kupës Evropiane. Ndeshjet i ka muajin tjetër.