Dy ndeshje evropiane janë luajtur në fundjavë në palestrën “Minatori” në Mitrovicë. Bëhet fjalë për ndeshje të rundit të parë të Kupës Evropiane në hendboll, që është niveli i tretë i garave kontinentale.
Derisa ndeshja e parë ishte e barabartë për 55 minuta, ndeshja e dytë u dominua nga skuadra mysafire nga Izraeli. Është skuadra Holon Yuvalim që ka eliminuar Trepçën e Mitrovicës në rundin e parë të Kupës Evropiane.
Ndeshjen e parë, të shtunën mbrëma, Holoni e fitoi me shifrat 29:22. Por, epërsia prej shtatë golave u krijua vetëm në pesë minutat e fundit të takimit. Në të vërtetë, izraelitët kanë udhëhequr vazhdimisht me një e dy gola, por Trepça ishte në lojë. Në fund “xehetarët” mbetën pa forcë dhe Holoni fitoi bindshëm.
Portieri Meriton Lladrovci me 12 pritje dhe pivoti Sali Maxhera me 9 gola nga 11 tentime, u dalluan te Trepça në ndeshjen e parë.
Humbja me shtatë gola dallim linte pak shpresë për ndeshjen e dytë, që u luajt të dielën nga ora 13:00. Ndeshja e dytë filloi mirë për Trepçën që krijoi epërsi 3:0. Në epërsi vendasit ishin deri në minutën e dhjetë (5:4), por më pas erdhi në shprehje përgatitja fizike e skuadrës izraelite, por edhe niveli i lojtarëve të saj. Epërsia e Holonit ishte vazhdimisht e lartë, ndërsa rezultati në fund ishte 37:25.
Me dy fitore, Holoni avancon në rundin e dytë. Te skuadra mitrovicase kanë vlerësuar paraqitjen në ndeshjen e parë, sidomos luftën e lojtarëve për ngjyrat e fanellës. Ndërkohë, humbjen e dytë e kanë arsyetuar me nivelin jo të duhur fizik të lojtarëve.
“Ndeshja e parë ishte mirë. Kishim mundësi të barazojmë rezultatin, por në momentet vendimtare nuk kishim koncentrimin e duhur. Vlen të ceket se djemtë gjelbër e zi e dhanë maksimumin dhe jam i kënaqur me angazhimin”, ka thënë trajneri i Trepçës, Taib Kabashi.
“Në ndeshjen e dytë fillimin e kishim të mirë. Ishim 3:0 e më pas 6:6. Por mendoj se lodhja nga ndeshja e parë ndikoi në ndeshjen e dytë. Mysafirët ishin më të mirë në përgjithësi. Në pjesën e parë izraelitët kishin epërsi të thelë, ndërsa pjesa e dytë ishte më e barabartë”, ka shtuar Kabashi.
Dy ndeshje evropiane në një fundjavë ishin të papërballueshme për lojtarët e skuadrës mitrovicase. Trepça kishte edhe tre lojtarë të huazuar nga Prishtina. Ndërkohë, izraelitët kishin dy lojtarë nga Serbia e një nga Nigeria që në fakt edhe e kanë bërë dallimin.
Agon Bajqinovci ishte më efikasi te Trepça të dielën me 9 gola të shënuar nga 13 tentime. Katër gola nga pesë tentime i kishte Vlerson Zherka, ndërsa Sali Maxhera shënoi tre gola nga pesë tentime. Portieri Meriton Lladrovci bëri tetë pritje.
Skuadra izraelite në pjesën e dytë aktivizoi lojtarët zëvendësues, por nuk pati telashe për ta mbajtur epërsinë.
Kështu në rundin e dytë të Kupës Evropiane paraqitet vetëm kampionia, Besa Famgas. Besa e nis garimin nga rundi i dytë. Pos Trepçës në raundin e parë u ndal edhe Vëllaznimi, që i humbi dy ndeshje të luajtura në Luksemburg. Prishtina hoqi dorë nga ndeshjet me një skuadër austriake dhe u eliminua pa lojë.