West Ham Unitedi është futur në garë për shërbimet e sulmuesit polak Arkadiusz Milik, i cili do të largohet nga skuadra e Napolit gjatë afatit kalimtar të verës, kanë njoftuar të martën mediumet angleze. Trajneri i West Hamit, David Moyes e sheh Milikun si përforcim të duhur për sulmin dhe është i gatshëm të shpenzojë rreth dhjetë milionë euro për transferimin e tij.
Sulmuesi 26-vjeçar, këtë edicion nuk është përfshirë fare në ekipin e Napolit për shkak se ka refuzuar rinovimin e kontratës që i skadon në fund të këtij edicioni dhe për këtë arsye drejtuesit e klubit italian kanë vendosur që ta nxjerrin në shitje. Krahas West Hamit, interesim për Milikun kanë treguar edhe Tottenhami, Roma e Juventusi. Ai është pjesë e Napolit prej vitit 2016 dhe në 93 ndeshje në të gjitha garat ka shënuar 39 gola me fanellën e ekipit nga Serie A.