Sport

Milani, Interi dhe Juventusi synojnë ta rikthejnë titullin në veri pas suksesit të Napolit

Tifozët e futbollit italian nuk po e kanë të lehtë të supozojnë se cila skuadër do ta sfidojë Napolin për titullin e kampionit në edicionin 2023/24 në Serie A, i cili nis të shtunën. Milani po kalon nëpër një rinovim të ekipit në këtë afat kalimtar, me transferimin e disa lojtarëve të rinj. Interit i mungon edhe një qendërsulmues, pasi Romelu Lukaku dhe Edin Xheko janë larguar. Juventusi mbetet në dyshim pasi zhgënjeu edicionin e fundit. Roma dhe Lazio shfaqen një hap prapa, ndërsa Atalanta ka bërë bujë në këtë afat kalimtar. Para se Napoli të triumfonte edicionin e kaluar, asnjë ekip përveç Interit, Milanit e Juventusit nuk e kishte fituar titullin që nga Roma në vitin 2001. Dhe, pikërisht këto tri skuadra do të jenë të etura për ta rikthyer trofeun në veri të Italisë.

Milani

Asnjë ekip në Itali nuk ka bërë aq shumë transferime të mëdha sa Milani, përfshirë mesfushorin e shquar të SHBA-së, Christian Pulishiq. Yunus Musah, një tjetër amerikan, i është bashkuar Milanit. Lojtarët e tjerë që kanë zbarkuar në “San Siro” janë edhe Ruben Loftus-Cheek, Noah Okafor, Tijjani Reijnders dhe Samuel Chukwueze. Por dyshimet mbeten në qendër të sulmit me vetëm 23-vjeçarin Okafor për të mbështetur 36-vjeçarin Olivier Giroud pas pensionimit të Zlatan Ibrahimovic. Milani shpenzoi në përforcime falë shitjes së mesfushorit Sandro Tonali te Newcastle për më shumë se 70 milionë euro. Pasi arriti në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve edicionin e kaluar, pasi fitoi Serinë A në vitin 2022, Milani do të përpiqet të kombinojë përvojën e tij të fundit me lojtarët e rinj dhe të shpresojë që Rafael Leao të vazhdojë të zhvillohet në yllin e qëndrueshëm të skuadrës.

Interi

Pasi arriti në finalen e Ligës së Kampionëve, Simone Inzaghi beson se klubi i tij mund të bëjë më mirë se vendi i tretë në Serie A sezonin e kaluar. Por derisa të gjendet një zëvendësues për Lukakun dhe Xhekon, asgjë nuk është e sigurt për Interin. Ardhjet e reja si David Frattesi (23), Marcus Thuram (26) dhe Yann Aurel Bisseck (22) e bëjnë Interin më të ri dhe së bashku me ish-veteranin e Juventusit, Juan Cuadrado, duhet të shtojnë shpejtësinë dhe kreativitetin. Veterani i Zvicrës, Yann Sommer, ka zëvendësuar Andre Onanan në portë pasi kamerunasi u shit te Manchester Unitedi, por në moshën 34-vjeçare zvicerane nuk është aq i lëvizshëm sa Onana.

Juventusi

Një dënim me 10 pikë për çështjet ligjore, një përfundim në vendin e shtatë dhe më pas një ndalim nga UEFA që do ta mbajë Juventusin jashtë Ligës së Konferencës së Evropës. Vështirë se diçka shkoi mirë për Juventusin sezonin e kaluar. Trajneri Massimiliano Allegri ka shpresa shumë më të larta për këtë sezon, me Federico Chiesan dhe Dushan Vlahoviqin të rikthyer në formë të plotë, si dhe me amerikanin Tim Weah për të zëvendësuar Cuadradon. Mbrojtësi veteran Leonardo Bonucci, megjithatë, është hequr nga skuadra, me detyrat e kapitenit të dorëzuara te Danilo - duke e bërë mbrojtësin e djathtë brazilian kapitenin e parë të huaj të Juventusit në 60 vjet. Pa ndeshje evropiane në mesjavë, Juventusi do të fokusohet plotësisht në Serinë A këtë edicion.

Roma

Roma e mbylli edicionin e kaluar e zhytur në protestë pas humbjes nga Sevilla në finalen e Ligës së Evropës dhe mes spekulimeve për të ardhmen e Jose Mourinhos në klub. Mourinho, megjithatë, ka qëndruar për të respektuar deri në fund kontratën e tij. Por për shkak të kufizimeve financiare, Roma nuk i ka përmbushur deri më tani kërkesat e Mourinhos për transferime. Mbrojtësi Roger Ibanez është larguar me 23-vjeçarin Evan Ndicka, të sjellë si zëvendësues nga Eintracht Frankfurti. Janë transferuar edhe Houssem Aouar, Rasmus Kristensen, ndërsa po priten edhe Renato Sanches e Leandro Paredes.

“Lëvizja” më e madhe e Romës, megjithatë, mund të jetë mbajtja e sulmuesit kryesor Paul Dybala.

Lazio

Pas një fillimi të ngadaltë në Lazio, ndikimi i Maurizio Sarrit u pa kur ekipi e mbylli edicionin e shkuar në vendin e dytë. Por me humbjen e mesfushorit Sergej Milinkovic-Saviq në Arabinë Saudite, Lazio ka rinovuar kontratën me Luis Alberton dhe ka bërë pak lëvizje në tregun e transferimeve. Me rikthimin në Ligën e Kampionëve, Sarri do të jetë nën presion për të përsëritur suksesin e edicionit të kaluar.

Edhe një herë golat e Lazios pritet të vijnë nga 33-vjeçari Ciro Immobile.

Atalanta

E kthyer në Ligën e Evropës pas mungesës edicionin e kaluar, Atalanta ka transferuar sulmuesin Gianluca Scamacca nga West Hami dhe ka blerë sulmuesin El Bilal Toure nga Almeria për një tarifë rekorde prej 30 milionë eurosh. Pas shitjes së sulmuesit Rasmus Hojlund te Manchester Unitedi për 90 milionë euro dhe Jeremie Boga te Nice për 18 milionë euro, Atalanta po kërkon gjithashtu të shtojë edhe mesfushorin Charles De Ketelaere nga Milani. / AP