Ylli argjentinas, Lionel Messi, ka thënë se është i impresionuar me startin e Cristiano Ronaldos te Manchester Unitedi. Messi ka shtuar se ruan kujtime të mira nga rivaliteti “i bukur” që e ka pasur me portugezin në La Liga të Spanjës.
Reprezentuesi i Portugalisë, Ronaldo, ka shënuar dhjetë gola në 14 paraqitje për Unitedin që nga rikthimi i papritur në klubin anglez në fund të muajit gusht. Pavarësisht kësaj, Unitedi ka pasur një start të dobët dhe për këtë e ka shkarkuar trajnerin Ole Gunnar Solskjaer të dielën.
Mirëpo, duke pasur parasysh se ende nuk është luajtur gjysma e sezonit, Messi thotë se Unitedi i frymëzuar nga Ronaldo në asnjë mënyrë nuk mund të përjashtohet nga gara për titullin e kampionit në Premier League.
“Manchester Unitedi është një ekip shumë i fortë, me lojtarë fantastikë. Cristiano e njeh klubin dhe për këtë arsye nuk ka pasur problem të përshtatet në mënyrën më të mirë të mundshme. Që nga fillimi ai ka shënuar gola si gjithmonë”, është shprehur Messi. Ronaldo shënoi të martën mbrëma në Ligën e Kampionëve.
“Në Premier League, Unitedi nuk ka qenë aq i mirë sa që është pritur, por pas dhjetorit gjërat do të ndryshojnë dhe gjithçka mund të ndodhë. Për këtë arsye nuk mund të mos llogaritet pretendues për titull”.
Messi dhe Ronaldo kanë fituar 11 nga 12 “Topat e artë” të fundit. Luka Modriqit prishi dominimin e dyshes në vitin 2018. Dekada e fundit është dominuar nga Messi e Ronaldo.
Ndërsa Ronaldo ka kohë që është larguar nga Real Madridi dhe Messi nuk është më te Barcelona, ky i fundit beson se rivaliteti i tyre do të jetojë gjatë në botën e futbollit. Ronaldo u largua nga Reali në vitin 2018 për t’u transferuar te Juventusi, përpara se t’i bashkohej Unitedit. Ndërkohë, Messi gjatë kësaj vere u largua si lojtar i lirë nga Barça për të firmosur kontratë me Paris Saint-Germainin.
“Ka kaluar një kohë e gjatë që kur kemi ndaluar së garuari në të njëjtën ligë. Kemi garuar individualisht, por edhe me ekipe për të njëjtat qëllime. Ishte një periudhë shumë e bukur për ne dhe gjithashtu për tifozët sepse ata e shijuan më shumë. Është një kujtim i bukur që do të mbetet përgjithmonë në historinë e futbollit”, ka deklaruar Messi për “Marca”.
Me Messin në moshën 34-vjeçare dhe Ronaldon që po i afrohet ditëlindjes së 37-të, lojtarë si Kylian Mbappe dhe Erling Haaland tani konsiderohen talentet e ardhshme të mëdha në futbollin botëror.
Messi, tani një bashkëlojtar i Mbappes pas transferimit nga Barça në gusht, nuk është i sigurt nëse sulmuesi francez do të vazhdojë të jetë lojtar i PSG-së edhe edicionin e ardhshëm.
“E vërteta është se nuk e di. Vetëm ai e di se çfarë ka në kokë dhe çfarë do të bëjë, mund të them vetëm se jam i lumtur që ka qëndruar këtu këtë vit. Ai është një lojtar shumë i rëndësishëm për ne dhe na ndihmon shumë për të luftuar për objektivat që kemi. Ai është plotësisht i fokusuar në qëllimet tona. Dhe, pastaj ai do të vendosë se çfarë do të bëjë kur të përfundojë sezoni”, shtoi Messi.
Ish-skuadra e Messit, Barcelona, është e shtata në La Liga. I pyetur nëse forma e ish-ekipit të tij këtë sezon e bën atë të trishtuar, Messi tha: “Po, pa dyshim. Unë gjithmonë dua më të mirën për Barcelonën. Unë jam një tifoz edhe pse nuk jam duke luajtur atje tani. Është e vërtetë që në La Liga ata kanë humbur shumë pikë, por ka ende shumë për të luajtur. Nuk kam dyshim se Barcelona do të ngrihet përsëri”.
Me fanellën e PSG-së, ekip me të cilin ka kontratë deri në vitin 2023, Messi deri më tani ka shënuar katër gola dhe ka bërë një asistim në të gjitha garat.