Cristiano Ronaldo dhe Lionel Messi dikur konkurronin për “Topin e Artë” çdo vit, duke u bërë pothuajse të pakrahasueshëm për këtë çmim nga viti 2010 deri në vitin 2018, kur mesfushori Luka Modriq u shpall më i miri. Megjithatë, kjo nuk është më kështu, pasi si Ronaldo ashtu edhe Messi janë veteranë që nuk konkurrojnë drejtpërdrejt me njëri-tjetrin në të njëjtën ligë.
Po ashtu, edhe situata mes tyre tashmë ka ndryshuar tërësisht, pasi Messi sapo e ka fituar kupën e botës me Argjentinën, ndërsa Ronaldo dështoi të impresionojë në turneun e mbajtur në Katar. Messi ishte kapiten i Argjentinës dhe lider në suksesin e arritur, i cili është i pari për argjentinasit prej vitit 1986. Ai ishte më i merituari për këtë triumf, pasi shënoi shtatë gola përgjatë turneut për të arritur deri te trofeu, i cili ishte i vetmi që i ka munguar në karrierën e tij të jashtëzakonshme.
E pikërisht për shkak të këtij suksesi të madh, Messi tani mund të konsiderohet si kandidati kryesor për ta fituar sërish “Topin e Artë”, çmim të cilin e ka fituar hiq më pak se shtatë herë – 2009, 2010, 2011, 2012, 2015, 2019, 2021. Krahas paraqitjeve të mira me fanellën e Argjentinës, Messi këtë edicion ka shkëlqyer edhe në nivel klubi me fanellën e Paris Saint-Germainit. 35-vjeçari deri para Kupës së Botës “Katari 2022”, që nisi më 20 nëntor dhe përfundoi më 18 dhjetor, ka shënuar 12 gola dhe ka asistuar 14 herë në të gjitha garat për Parisin.
Në anën tjetër, Ronaldo nuk ka arritur të luajë në nivelin që ka luajtur në të kaluarën. Në moshën 37-vjeçare, ylli portugez shënoi vetëm një gol në Kupën e Botës, “Katari 2022”, turne në të cilin nuk e pati shpejtësinë, teknikën dhe ritmin që e bënë atë një nga lojtarët më të mirë të të gjitha kohërave. Po ashtu, edhe në nivel klubi, ky edicion ka qenë i dështuar për Ronaldon, i cili humbi vendin e titullarit te Manchester Unitedi dhe aktivizohej kryesisht nga banka e rezervistëve. Në 16 ndeshje në total për ekipin anglez, Ronaldo ka shënuar vetëm tre gola e ka asistuar dy herë.
Në fakt, Ronaldo është lojtar i lirë pasi Unitedi ia shkëputi kontratën derisa portugezi ishte në Katar me Portugalinë. Për shkak të mungesës së ofertave nga klubet evropiane, është raportuar se Ronaldo do ta vazhdojë karrierën në Arabinë Saudite. Ai pritet t’i bashkohet ekipit Al-Nassr, me të cilin thuhet se ka arritur marrëveshje në parim për një pagë vjetore prej 200 milionë eurosh.
Edhe
Pse finalja e Botërorit mund të jetë vendimtare në garën për “Topin e Artë”
Përderisa Ronaldo do të largohet nga futbolli evropian me “kokën ulur”, Messi në anën tjetër pritet ta vazhdojë shkëlqimin te Parisi. Atij tashmë i është ofruar rinovimi i kontratës deri në vitin 2024, që do të thotë se argjentinasi të paktën edhe sezonin e ardhshëm do të luajë në Ligën e Kampionëve. Ronaldo ka të fituar pesë herë “Topin e Artë”, çmim që për herën e fundit e mori në vitin 2017.
Dy lojtarë që ishin kaq të ngjashëm në të kaluarën, duke shënuar një numër të madh të golave gjatë karrierës së tyre, tani do ta kenë një fund shumë të ndryshëm në karrierë.