Në moshë, por ende një nga lojtarët më të mirë në planet, Lionel Messi do ta udhëheqë Argjentinën në Kupën e tij të pestë - dhe ndoshta - të fundit të Botës. Dhe me të në përbërje, Argjentina sigurisht se e ka një shans për ta fituar titullin e tretë.
“Nuk e di nëse jemi favoritë të mëdhenj apo jo, por besoj se Argjentina është gjithmonë një favorite për shkak të historisë së saj dhe akoma më shumë tani për mënyrën se si arritëm të kualifikohemi në këtë Botëror”, ka thënë Messi 35-vjeçar, në intervistën e tij të fundit.
Messi ndihmoi përfaqësuesen e Amerikës së Jugut t'i jepte fund pritjes së saj 28-vjeçare për titullin e Kupës së Amerikës, të cilin e fitoi në vitin 2021. Po ashtu, ky ishte titulli i parë i madh i Messit me fanellën e Argjentinës. Skuadra ka vendosur edhe një rekord kombëtar, duke mbetur e pamposhtur në 35 ndeshje radhazi. Argjentina do të luajë ndeshjen hapëse në Katar në kuadër të Grupin C kundër Arabisë Saudite më 22 nëntor. Skuadra do të përballet me Meksikën katër ditë më vonë dhe më pas do të luajë kundër Polonisë në ndeshjen e fundit të fazës së grupeve, që zhvillohet më 30 nëntor.
Arkitekti
Pak besonin se trajneri i Argjentinës, Lionel Scaloni, do t'ia dilte mbanë pasi e mori drejtimin e ekipit katër vjet më parë dhe kishte pak përvojë në këtë punë. Ai kishte drejtuar ekipet e të rinjve në Mallorca, ku jeton dhe ishte asistent i Jorge Sampaolit te Sevilla dhe më vonë te Argjentina. Por nën drejtimin e Scalonit, Argjentina më në fund fitoi një titull përsëri dhe, në qershor, theu rekordin e saj të ndeshjeve pa humbje me një fitore 3:0 ndaj kampionit evropian, Italisë, në stadiumin “Wembley” të Londrës.
Scaloni solli talente të reja, duke përfshirë portierin Emiliano Martinez, mbrojtësin Cristian Romero dhe mesfushorët Leandro Paredes e Rodrigo De Paul. Ai gjithashtu mblodhi Messin dhe veteranët e tjerë, si Nicolas Otamendi dhe Angel Di Maria rreth tij. Trajneri 44-vjeçar u shkëput nga ditët e “varësisë nga Messi”. Skuadra është solide në të dy skajet e fushës dhe nuk ka dështuar në asnjë ndeshje që nga fillimi i vitit 2020, me apo pa Messin në përbërje.
“Në ditët e sotme nuk ka asnjë skuadër që dominon 70-80 për qind të një ndeshjeje. Ka momente në të cilat duhet të tërhiqeni, të punoni, të ndieni se jeni në një moment të vështirë”, tha Scaloni. “E mira e këtij ekipi është se di të vuajë”.
Ylli
Triumfi në Kupën e Botës mbetet fokusi kryesor për Messin dhe fitimi i këtij trofeu këtë vit do të shërbente si një nderim për të madhin e futbollit Diego Maradonan, i cili vdiq në vitin 2020 në moshën 60-vjeçare.
“Për një kohë e kam shijuar kombëtaren. Kam pasur momente spektakolare, por nuk fituam, humbëm tri finale radhazi dhe filluan kritikat”, tha Messi, duke iu referuar humbjeve në Kupën e Botës 2014 dhe finalet e Kupës së Amerikës në vitin 2015 dhe 2016. “Ishte çelësi për të fituar diçka me kombëtaren, përndryshe do të etiketohesha nga humbjet në finale”.
Shtatë herë fituesi i “Topit të Artë” do të luajë së bashku me De Paulin, Paredesin dhe Giovanni Lo Celson – të cilët më herët në karrierën e tyre kanë luajtur në pozicionin e Messit. Ky mjedis duhet ta çlirojë Messin nga përgjegjësia për të krijuar aksione dhe ta vendosë atë më pranë zonës së penalltisë.
Messi është golashënuesi më i mirë i Argjentinës, 90 gola në 165 ndeshje. Ai ka shënuar 25 gola gjatë qëndrimit të Scalonit. Gjithashtu, Messi po kalon nëpër një formë fantastike këtë edicion te skuadra e Paris Saint-Germainit. Me 12 gola në dhjetë ndeshjet e fundit për Parisin dhe Argjentinën, Messi pritet edhe në këtë Botëror të jetë lider i ekipit të Scalonit. Krahas 12 golave, Messi deri më tani ka edhe 13 asistime te PSG-ja në të gjitha garat.
Dyshimet
Disa prej titullarëve të rregullt te Argjentina nuk kanë qenë në formën më të mirë këtë edicion në nivel klubesh, përfshirë mesfushorin De Paul, që ka humbur vendin e titullarit tek Atletico Madridi. Romero dhe Di Maria janë lënduar shpesh dhe ky mbetet një shqetësim për Scalonin në prag të Botërorit, që nis në më pak se tri javë. Gjëja e vetme pozitive për momentin mbetet forma fantastike e Messit, i cili edhe pse nuk po luan në çdo ndeshje te PSG-ja, po luan mirë. Nëse Messi dhe sulmuesi Lautaro Martinez lëndohen ose nuk arrijnë të prodhojnë në fushë, Argjentina do të duhet të mbështetet te Di Maria, Paulo Dybala dhe Nicolas Gonzalez për golat në Katar.