Skuderia e Mercedesit ka vendosur të mos ankohet për rezultatet e garës për Çmimin e Madh të Abu Dhabit, që vendosën për titullin e kampionit në Formula 1 këtë vit. Kjo lëvizje e Mercedesit ka ardhur pas një vendimi të FIA-s për të kryer një “analizë të detajuar” të përfundimit të garës dhe një pranimi se po “njolloste” imazhin e Formula 1.
Mercedesi e ka mirëpritur këtë lëvizje dhe shtoi se për të gjitha do të mbajë llogari FIA. Bolidi i Max Verstappenit (Red Bull) e kaloi Mercedesin e Lewis Hamiltonit në xhiron e fundit të garës për ta fituar titullin e kampionit, i cili ishte i pari për ngasësin holandez në F1.
Mercedesi pati dy ankesa që iu refuzuan të dielën e shkuar pas përfundimit të garës nga zyrtarët e F1, me skuderinë që argumentoi se drejtori i garës Michael Masi nuk i zbatoi rregullat në mënyrë korrekte. Masi dukej se nuk ndoqi protokollin standard për rifillimin e garës pas periudhës së makinës së sigurisë në shteg. Vendimet e tij e lanë Hamiltonin, i cili kishte udhëhequr në pjesën më të madhe të garës dhe ishte në rrugën për titullin e kampionit, me goma të vjetra përderisa Verstappen i ndërroi ato. Pas këtyre refuzimeve, Mercedesi kishte 96 orë në dispozicion për të paraqitur ankesën, që do të shqyrtohej nga Gjykata Ndërkombëtare e Apelit në FIA.
Megjithatë, këtë nuk e bëri dhe në ditën e fundit bëri të ditur se ka vendosur që të mos e dërgojë rastin. Mercedesi shtoi se ka qenë në “dialog konstruktiv” me FIA-n që nga përfundimi i garës në një përpjekje për të “krijuar qartësi në të ardhmen”. Skuderia ishte e kënaqur me vendimin e FIA-s për të “analizuar tërësisht atë që ndodhi në Abu Dhabi dhe për të përmirësuar qëndrueshmërinë e rregullave, qeverisjes dhe vendimmarrjes në Formula 1”. Në një komunikatë të lëshuar të enjten, Mercedesi tha se “mirëpritën” FIA-n që tashmë ka ftuar skuderitë dhe ngasësit për të marrë pjesë në hetim. Mercedesi gjithashtu i uroi Verstappenin dhe Red Bullin për titullin e fituar, duke shtuar: “Ne dëshirojmë të shprehim respektin tonë të sinqertë për arritjet tuaja këtë sezon. Ju e bëtë këtë luftë për titullin e kampionit në F1 vërtet epike”.
Mercedesi tha se protestoi kundër rezultateve të garës, “sepse rregullat e makinës së sigurisë u zbatuan në një mënyrë të re që ndikuan në rezultatin e garës, pasi Hamiltoni kishte qenë në epërsi komanduese dhe në rrugën e duhur për të fituar titullin”. Drejtori i garës, Masi mori dy vendime kyç që duket se janë kundër rregullave. Këto vendime nënkuptonin që jo të gjithë ngasësit në shteg trajtoheshin në mënyrë të barabartë.
Gara u rifillua për një xhiro dhe holandezi kaloi britanikun Hamilton për të fituar garën dhe për të marrë titullin e kampionit. FIA fillimisht mbrojti vendimet e Masit. Zyrtarët duke refuzuar protestat e Mercedesit të dielën, pretenduan se klauzola tjetër në rregulla e lejonte Masin të bënte atë që bëri dhe cituan një rregull që i jepte atij autoritet mbi makinën e sigurisë. Por vendimi i FIA-s për të nisur një rishikim të ngjarjeve të garës është një pranim efektiv se janë bërë gabime. Në deklaratën e FIA-s nuk përmendet Masi, veprimet e të cilit në garë janë në qendër të polemikave. E ardhmja e tij si drejtor garash tashmë është në dyshim.
Njoftimi i Mercedesit erdhi një orë pasi Susie Wolff, gruaja e shefit të Mercedesit në F1, Toto Wolff dhe kreu i skuderisë Venturi në Formula E, kritikoi FIA-n në një deklaratë të saj të formuluar fort. Wolff tha se ngjarjet në Abu Dhabi e kishin lënë atë “me një ndjenjë të keqe”. Ajo tha se Verstappeni dhe Red Bulli ishin “fitues të merituar dhe ne gjithmonë e dinim se ishte një mundësi e fortë që mund të mos fitonim - por mënyra në të cilën u grabit Lewisi më ka lënë në mosbesim të plotë”. Ndërkohë, deklaratën e përfundoi, me fjalët: “Shpresoj që deri në mars të vitit të ardhshëm të ketë një organ qeverisës me integritet sportiv dhe drejtësi në thelbin e tij, në mënyrë që të mund të biem përsëri në dashuri me F1”.