Kontrollorët e Formula 1 kanë refuzuar dy protestat e Mercedesit lidhur me xhiron e fundit dramatike në garën e së dielës në Abu Dhabi, duke konfirmuar kështu Max Verstappenin si fitues të garës dhe kampion të botës për vitin 2021, para Lewis Hamiltonit. Mercedesi ende ka të drejtën e apelit në vendime, që janë publikuar pas garës së jashtëzakonshme dhe kontroverse.
Red Bulli dhe Verstappeni kanë festuar të dielën mbrëma titullin e kampionit në Formula 1. “Është dëshpëruese që është dashur të kalojmë nëpër këtë”, ka thënë udhëheqësi i Red Bullit, Christian Horner për Sky Sports. “Ishte një vit i shkëlqyeshëm për ne. Jam krenar për Maxin dhe gjithë ekipin. Ai është kampion botëror dhe kampion i merituar botëror”. “I lehtësuar”, ka thënë Verstappen. “Ishte ditë shumë stresuese”.
Skuderia Mercedes, për të cilën paraqitet Hamiltoni, ka bërë dy protesta zyrtare, pas një gare të pabesueshme dhe vendimtare për titull. Gara përfundoi me Vertappenin duke kaluar Hamiltonin në xhiron e fundit. Ishte diskutabil vendimi i drejtorit të garës, Michael Masi për rifillimin e garës pas hyrjes së veturës së sigurisë. Verstappeni e shfrytëzoi këtë për ta kaluar Hamiltonin dhe për ta fituar titullin.