Mbrojtësit të Manchester Cityt, Benjamin Mendyt, i është refuzuar lirimi me kusht të mërkurën dhe do të mbetet në paraburgim para gjyqit i cili do të mbahet më 10 shtator. Mendy akuzohet për katër vepra të përdhunimit dhe një sulmi seksual.
27-vjeçari Mendy është në paraburgim në një burg në Liverpool, në veriperëndim të Anglisë, prej ditës së premte. Kërkesa e dytë për lirim me kusht është mbajtur me dyer të mbyllura dhe zgjati afër 50 minuta dhe është refuzuar sërish. Francezi nuk ishte i pranishëm.
Mendy akuzohet për tri sulme ndaj tri femrave të ndryshme, përfshirë njërën nën moshën 18-vjeçare, në shtëpinë e tij. Tri nga këto përdhunime mendohet të ketë ndodhur në tetor të vitit 2020 dhe ai akuzohet edhe për sulmin seksual ndaj një femre në fillim të janarit të këtij viti.
Ai u akuzua edhe për përdhunimin e një femre në muajin e kaluar. Mendy është suspenduar nga klubi për shkak të hetimeve. Një tjetër person i moshës 40-vjeçare është arrestuar si i dyshuar për përdhunim pas hetimeve të policisë, por është liruar me kusht, ka thënë policia.
Mendy iu bashkua Cityt nga Monaco në vitin 2017 dhe e ka fituar Premier Leaguen tre herë. Kupën e Anglisë e ka fituar dy herë.