Portieri senegalez, Edouard Mendy, është larguar nga Chelsea pas tre vjetësh, për t’iu bashkuar skuadrës Al-Ahli në elitën e futbollit të Arabisë Saudite. Mendy 31-vjeçar, është lojtari i fundit me emër që largohet në drejtim të futbollit arab.
Nga Chelsea drejt Arabisë Saudite janë larguar më herët edhe Kalidou Koulibaly dhe N’Golo Kante.
Mendy e fitoi Ligën e Kampionëve në edicionin 2020-21, ndërsa e mbajti portën e paprekur në 49 ndeshje nga 105 sa i zhvilloi gjithsej. Mendy më vonë u emërua si portieri më i mirë i sezonit nga UEFA, dhe portieri më i mirë nga FIFA për vitin 2021. I ishte bashkuar “bluve të Londrës” nga skuadra franceze Rennes në vitin 2020 dhe ishte pjesë e ekipit të Senegalit që e fitoi Kupën e Afrikës.
Mendy e ka fituar edhe Kupën e Botës për Klube me Chelsean, por në edicionin e fundit ishte portier i dytë, pas Kepa Arrizabalagas. Zhvilloi vetëm 10-të paraqitje në elitën e futbollit anglez.