Ka qenë më shumë se një dekadë zhgënjimesh për Spanjën pas epokës së artë gjatë së cilës e fitoi Kupën e Botës në vitin 2010 dhe dy kampionate evropiane. Tani, me një trajner të ri në krye, skuadra që dikur lojën e bazonte në posedim të topit me stilin e pasimeve “tiki-taka”, do të ketë edhe një shans për t'i dhënë frymë një sistemi që përsëri dukej i vjetruar në Botërorin e Katarit.
Luis de la Fuente e ka bërë prioritet zgjidhjen e problemeve të skuadrës për shënimin e golave, qëkur u promovua nga ekipi U21 i Spanjës për të zëvendësuar Luis Enriquen në dhjetor.
“Kemi punuar shumë gjatë këtyre ditëve për shënimin e golave dhe kam besim të madh në këtë ekip”, u shpreh De La Fuente.
Prova e parë e De La Fuentes do të jetë të shtunën në Malaga ku Spanja e pret Norvegjinë, në ndeshjen e parë kualifikuese për “Euro 2024”. Tri ditë më vonë Spanja do të luajë me Skocinë në Glasgow. De la Fuente ka rinovuar skuadrën që arriti vetëm një fitore në Katar dhe u eliminua në 1/8 e finales në ndeshjen kundër Marokut. Kjo disfatë u përjetua rëndë nga tifozët spanjollë, të cilët edhe në Botërorin “Rusia 2018” panë ekipin e tyre të eliminohet në të njëjtin rund.
Në të dyja eliminimet, Spanja realizoi më shumë se 1000 pasime pa krijuar pothuajse asnjë rast shënimi, dhe më pas humbi me penallti. Sulmuesi veteran i Celta Vigos, Iago Aspas, gjuajti penalltinë e fundit të Spanjës me Rusinë, por dështoi. Ai është rikthyer tani me Spanjën për herë të parë që nga viti 2019. De la Fuente, i cili është relativisht i panjohur në Spanjë pasi kaloi vite duke trajnuar ekipet e të rinjve të vendit, ka krijuar një skuadër të fokusuar në objektivin për t’u kualifikuar në Evropianin që do të mbahet në Gjermani, duke mos preferuar rindërtimin total të ekipit me lojtarë më të rinj. Aspas është 35 vjeç dhe tre sulmuesit e tjerë në skuadër janë të paktën 30 vjeç, kështu që është e vështirë të imagjinohet se ata do të jenë ende në formën e tyre më të mirë për Botërorin e ardhshëm. Por De la Fuente dëshiron të sigurojë që skuadra e tij të ketë golashënues dhe jo vetëm lojtarë të pasimeve që Luis Enrique i preferonte pothuajse në çdo pozicion. Aspas, pastaj sulmuesi i Espanyolit, Joselu Mato dhe sulmuesi i Real Betisit, Borja Iglesias, kanë nga 12 gola në La Liga këtë sezon, duke i bërë ata spanjollët më efikas në kampionat.
Është kthyer gjithashtu Alvaro Morata, sulmuesi i vetëm që Luis Enrique e mori në Katar. Ai ka shënuar 10 gola për Atletico Madridin. Aspas, i cili u anashkalua nga Luis Enrique, sepse nuk i përshtatej stilit të tij të lojës, tha se De la Fuente po kërkon të krijojë një grup që mund të gjejë mënyra të ndryshme për të sulmuar rivalët që vendosen prapa në mbrojtje.
“Për mua, me Luis Enriquen ne nuk kishim variante të tjera apo plan B pasi thjesht ekipi fokusohej në pasime”, tha Aspas të enjten. “Tani trajneri i ri ka thirrur tre golashënuesit më të mirë spanjollë. Nëse nuk mund të prodhojmë gola, atëherë nuk do të jetë faji i tij”.
Ndërsa Aspas dhe Iglesias janë të aftë të krijojnë shanse për vete dhe shokët e tyre, Joselu është një qendërsulmues i modës së vjetër që i pëlqen të luftojë për topa të gjatë dhe të shënojë me kokë. Ai tani mund të debutojë për Spanjën në moshën 32-vjeçare. Ndërkohë selektori u ka dhënë një shans të dytë lojtarëve të tjerë. Portieri i Chelseat, Kepa Arrizabalaga, nuk ka luajtur për Spanjën që nga viti 2020. Mbrojtësi i Real Madridit, Nacho Fernandez, 33 vjeç, kthehet për herë të parë që nga viti 2018.
De la Fuente gjithashtu ka zgjedhur një mbrojtje që është më fizike. Inigo Martinez i Athletic Bilbaos, 31 vjeç, është rikthyer, ndërsa qendërmbrojtësi 29-vjeçar i Osasunas, David Garcia, u ftua në skuadrën e Spanjës për herë të parë.
Pavarësisht ndryshimeve, kjo skuadër spanjolle me shumë gjasa do të dëshirojë ta mbajë topin sa më gjatë. De la Fuente e ka deklaruar veten një “mbrojtës i stilit të lojës së Spanjës”. Kundër Norvegjisë, Spanja nuk do të duhet të shqetësohet për yllin e Manchester Cityt, Erling Haaland, i cili është i lënduar dhe nuk do të luajë. Norvegjia do të ketë mesfushorin e Arsenalit, Martin Odegaard, dhe sulmuesin Alexander Sorloth, i cili ka shënuar 13 gola për klubin spanjoll Real Sociedad këtë sezon.