(AP) – Selektori i Spanjës, Luis de la Fuente, ka gjetur një mënyrë për t'i kthyer dyshuesit në mbështetës. Gati një vit pasi u emërua mes një vale skepticizmi, De la Fuente tani ka një mbështetje të fuqishme në krye të “La Rojas”. Ai e ka kthyer Spanjën përsëri në pretendente duke i siguruar një vend në “Euro 2024”.
Spanja u kualifikua për turneun e vitit të ardhshëm në Gjermani, të dielën, me fitore 1:0 ndaj Norvegjisë. Ishte triumfi i gjashtë rresht i skuadrës që nga humbja në Skoci në mars, e cila e kishte lënë De la Fuenten nën presion pas vetëm dy ndeshjeve në krye.
“Ne gjithmonë po mësojmë”, tha De la Fuente të hënën. “Në atë moment, analiza ishte ndryshe nga ajo që është tani. Sapo kemi arritur një objektiv të rëndësishëm dhe duhet të vazhdojmë të punojmë dhe të mësojmë. Ne e dimë që kemi bërë punë të mirë, por e dimë se ka ende gjëra për të përmirësuar”.
62-vjeçari De la Fuente zëvendësoi Luis Enriquen pas eliminimit të Spanjës nga Maroku në 1/8 e finales të Botërorit “Katari 2022”. Ai atëherë ishte relativisht i panjohur në Spanjë pasi kaloi vite duke stërvitur skuadrat e të rinjve të vendit.
Ndeshja e tij e parë në krye ishte një fitore në shtëpi kundër Norvegjisë, në të cilën Spanja pati vështirësi që në fillim. Dhe humbja pasuese ndaj Skocisë e vendosi De la Fuenten në “vendin e nxehtë” që herët. Shumë nuk menduan se ai kishte përvojën për të marrë drejtimin e ekipit A të Spanjës në atë kohë. Por pas startit të ngadaltë, De la Fuente gjithashtu ndihmoi Spanjën të triumfonte në Ligën e Kombeve me fitoret ndaj Italisë në gjysmëfinale dhe Kroacisë në finale. Spanja më pas mposhti Gjeorgjinë 7:1 dhe Qipron 6:0 në kualifikime, dhe mundi Skocinë 2:0 në shtëpi javën e kaluar përpara se të siguronte vendin e saj në “Euro 2024” me pikët e plota ndaj Norvegjisë së Erling Haalandit.
“Jam i kënaqur me punën që kemi bërë”, shtoi De la Fuente. “Kur arrin diçka të tillë, atëherë mund të thuash se gjërat janë bërë siç duhet. Por në futboll një ditë je lart dhe tjetrën sërish poshtë, ndaj duhet të qëndrojmë të ekuilibruar. Unë jam i lumtur tani, por gjithashtu kam qëndruar i qetë edhe në momentet më të vështira”.
Edhe
Spanja ka çdo gjë që duhet për të vazhduar dominimin
De la Fuente e ktheu Spanjën në rrugën e duhur pjesërisht duke vënë bast për talentin e disa lojtarëve më të rinj. Ai mbajti lojtarë si Gavi, Ansu Fati dhe Pedri - të cilët luajtën në Kupën e Botës - dhe solli të tjerë si 16-vjeçarin Lamine Yamal, sensacionin e Barcelonës. Përvoja e tij me skuadrat e të rinjve të Spanjës doli të jetë e rëndësishme dhe ai tani e ka të siguruar punën e tij për një kohë.
Në fakt, De la Fuentes i është ofruar rinovimi i kontratës deri pas Botërorit 2026, pasi aktualja i skadon pas përfundimit të Evropianit.
“Ne kemi një ekip për të ardhmen, kjo është ajo për të cilën jam më së shumti i emocionuar”, tha ai. “Kemi punuar shumë për të ardhur deri këtu ku jemi dhe e meritojmë plotësisht kualifikimin. Andaj, duhet ta shijojmë”.