Kur trajneri i Spanjës, Luis de la Fuente, mori drejtimin e ekipit në dhjetor, pakkush ka pritur që lojtari yll në grupin e tij për ndeshjet e para të ishte sulmuesi i Espanyolit, Joselu. Trajneri, i cili ka punuar në futbollin e të rinjve brenda federatës spanjolle dhe ishte relativisht i panjohur kur zëvendësoi Luis Enriques në krye të “La Rojas”, pritej të merrte më të mirën nga të rinjtë e talentuar të Spanjës.
Megjithatë, është 33-vjeçari Joselu që ka qenë figura kryesore deri më tani. Ai ka tri gola në tri ndeshje, duke përfshirë golin e fitores kundër Italisë të enjten në gjysmëfinale të Ligës së Kombeve. Të tre golat Joselu i ka shënuar si zëvendësues. Dy golat e parë Joselu i realizoi kundër Norvegjisë në debutimin e tij dhe në ndeshjen e parë të De la Fuentes. Kështu i dha vetes mundësinë që të jetë titullar kundër Skocisë në duelin e dytë kualifikues për “Euro 2024”. Ishte një natë e zymtë për Spanjën, me Joselun dhe të tjerët që mbetën të frustruar pasi Scott McTominay shënoi dy gola për fitoren befasuese të Skocisë.
Ndryshe ishte të enjten. Goli i vonshëm i Joselut në stadiumin “De Grolsch Veste” të Twentes në Enschede ka dhënë një shtysë të re për Spanjën, e cila po shpreson të triumfoj në finalen e Ligës së Kombeve, të dielën kundër Kroacisë.
Përderisa përfaqësueset ndonjëherë thërrasin lojtarë pasi ata kalojnë në klube të mëdha, me Joselun është e kundërta. Real Madridi është gati të nënshkruajë një marrëveshje për të sjellë ish-lojtarin e akademisë në “Santiago Bernabeu” pas paraqitjeve të tij tërheqëse për Spanjën. Fakti që Joselu është njeriu i De la Fuentes dhe jo një lojtar i përzgjedhur nga Enrique, është një plus i madh për trajnerin 61-vjeçar. Joselu, i cili ka luajtur për skuadrat angleze Stoke City dhe Newcastle United në të kaluarën, dallon shumë prej sulmuesve të zgjedhur nga Enrique. Ish-trajneri i Barcelonës kërkonte lëvizje dhe prekje, pra lojtarë që do t'i përshtateshin sistemit.
De la Fuente iu drejtua Joselut për planin B, diçka që Enrique nuk e kishte kur ishte në krye të Spanjës. Atij iu deshën vetëm katër minuta për të lënë shenjën kundër Italisë.
“Është një çështje besimi”, shpjegoi sulmuesi.
De la Fuente po planifikon të mbajë besimin te Joselu, pavarësisht moshës së tij. Madje ai nuk përjashtoi mundësinë që Joselu të jetë titullar në ndeshjen finale kundër Kroacisë.
“Ai ka qenë shumë i mirë për klubin e tij dhe me ne po luan jashtëzakonisht mirë”, tha trajneri. “Plani është të vazhdojmë të llogarisim tek ai, sepse Joselu po e fiton me meritë vendin e tij në ekip”.
Goli i Joselut në fitoren ndaj Italisë ka bërë që Spanja t’i afrohet trofeut të parë ndërkombëtar për më shumë se një dekadë. Pasi Spanja triumfoi në “Euro 2008”, në Kupën e Botës “Afrika e Jugut 2010” dhe mbrojti me sukses kurorën e Evropianit në vitin 2012, dukej se do të vazhdonte dominimin në futbollin ndërkombëtar, por kjo nuk ndodhi.
Pas arritjes në finale të Ligës së Kombeve, De la Fuente po shpreson të fillojë epokën e tij të re me trofe. Joselu po kërkon gjithashtu trofeun e tij të parë pas më shumë se një dekade. E fitoi trofeun e La Ligas në edicionin 2010/11 me Real Madridin, duke bërë vetëm një paraqitje.
Sulmuesi ka luajtur për dhjetë klube në Spanjë, Gjermani dhe Angli, por ka lulëzuar vonë në karrierë.
“Mosha është vetëm numër”, tha Joselu të premten.
Ai arriti rekord personal kur shënoi 17 gola edicionin e fundit me fanellën e Espanyolit në të gjitha garat, pavarësisht rënies së ekipit të tij nga La Liga. Në kampionat ishte golashënuesi i tretë më i mirë me 16 gola.
Me largimin e Karim Benzemas, Eden Hazardit, Marco Asensios dhe Mariano Diazit, ka vend për Joselun në “Santiago Bernabeu” dhe një huazim nga Espanyoli mund të konfirmohet deri të hënën, kanë shkruar mediumet spanjolle. Deri atëherë sulmuesi mund ta ketë ngritur trofeun e parë. Të paktën të parin që mund të ndjehet se e ka fituar.
“Dua të fokusohem në Ligën e Kombeve. Jam i lumtur që ndihmova ekipin ta mposhtë Italinë në gjysmëfinale dhe tani duam ta mposhtim Kroacinë në finale për ta fituar trofeun”, tha Joselu.