Sport

Më shumë dhimbje evropiane për Barçën, pavarësisht përmirësimeve

Vendimi i rrezikshëm i Barcelonës, vitin e kaluar, për të shkëmbyer të hyrat e ardhshme me paratë e nevojshme për të rindërtuar skuadrën, deri më tani është duke u shpaguar vetëm në garat e Spanjës.

Është një histori tjetër në skenën më të gjerë evropiane – qoftë në Ligën elitare të Kampionëve apo Ligën e Evropës të nivelit të dytë – e cila mbetet plot gracka për klubin dikur dominues katalanas. Barcelona doli nga Liga e Evropës të enjten, pasi Manchester Unitedi e mposhti me shifrat 2:1 dhe avancoi në 1/8 e finales me rezultatin e përgjithshëm 4:3.

Kjo bëri që Barça për dy sezone të mos afrohet të luftojë për një titull të Ligës së Evropës, pasi nuk arriti të avanconte as nga faza e grupeve të Ligës së Kampionëve.

“Na mungon ai avantazhi i vogël dhe duhet të mësojmë të luajmë më mirë në Evropë”, tha kapiteni veteran i Barcelonës, Sergio Busquets.

Busquets, fitues i kupës së botës dhe tre trofeve të Championsit, e di standardin e kërkuar për sukses. Por magjia që e bëri Barcelonën një forcë pothuajse të paprekshme në Evropë ishte zbehur prej kohësh edhe para se Lionel Messi të largohej nga klubi dy vjet më parë, me ekipin që grumbulloi disa eliminime të dhimbshme në Ligën e Kampionëve, të kryesuara nga debakli 8:2 nga Bayern Munichu në vitin 2020.

Barcelona është në një krizë të zgjatur të saj. Me një ekip me performancë të dobët dhe një borxh që qëndronte në 1 miliard euro në fillim të sezonit, presidenti i klubit Joan Laporta arriti në përfundimin se e vetmja mënyrë për të kthyer lavdinë e klubit ishte të shpenzonte para, gjë që nuk e bëri menjëherë. Klubi shiti aksionet e të hyrave të ardhshme televizive dhe aseteve të tjera për të qenë në gjendje të bëjë disa përforcime, përfshirë sulmuesin polak Robert Lewandowski, brazilianin Raphinha dhe mbrojtësin francez, Jules Kounde. Të tre ishin titullarë kundër Unitedit, por rezultati ishte një tjetër zhgënjim.

Trajneri i Barcelonës, Xavi, tha se skuadra e tij mund të kishte mbajtur kontrollin e lojës, pasi kaloi në epërsi me penalltinë e Lewandowskit në pjesën e parë, nëse mesfushorët Pedri (i lënduar) dhe Gavi (i pezulluar) do të ishin në dispozicion. Por Xavi kishte në fushë mesfushorët Busquets e Frenkie de Jong dhe ishte vendimi i tij për t'i dhënë një start të rrallë në mesfushë Sergi Robertos, në vend që të jepte më shumë forcë në sulm me Ansu Fatin ose Ferran Torresin. Kur dyshja e sulmuesve të Spanjës u inkuadrua në pjesën e dytë, Unitedi tashmë e kishte kthyer lojën me golat e Fredit dhe Antonyt.

Prillin e kaluar, Barcelona u befasua në Ligën e Evropës nga Frankfurti, fitorja 3:2 e të cilit në “Camp Nou” e çoi ekipin gjerman në gjysmëfinale me rezultatin e përgjithshëm 4:3.

Këtë herë Barcelona është jashtë garës evropiane në muajin shkurt. Barcelona dështoi të fitojë në ndeshjet kundër Bayern Munichut dhe Interit në grupin e saj të Ligës së Kampionëve, ku përfundoi me shtatë pikë nga gjashtë ndeshje.

“Thjesht duhet të provojmë përsëri vitin e ardhshëm, të mësojmë nga gabimet tona, të jemi autokritikë dhe ta kthejmë fokusin tonë në ligë dhe kupë”, tha Xavi.

Megjithatë, jo gjithçka është e humbur për Barcelonën. Skuadra ka një epërsi prej tetë pikësh ndaj Real Madridit në ligën spanjolle dhe është vendosur të triumfojë edhe në Kupën e Spanjës. Së pari viziton Almerian në ligë të dielën.

Laporta ka thënë se rikthimi i titullit, të cilin nuk e ka fituar që nga viti 2019, është prioriteti kryesor. Por Laporta dhe klubi i tij kanë probleme më urgjente. Një prokuror shtetëror spanjoll po heton pagesën e miliona eurove të Barcelonës gjatë disa viteve ndaj një kompanie që i përkiste zëvendëspresidentit të komitetit të arbitrave në Spanjë. Barcelona thotë se paratë ishin për raporte teknike për gjyqtarët dhe lojtarët e rinj, dhe mohon çdo përpjekje për të ndikuar te gjyqtarët. Edhe nëse hetimi zyrtar nuk arrin të dalë me ndonjë gjë ilegale, dëmtimi i mundshëm i reputacionit të Barcelonës dhe trashëgimisë së epokës së saj më të lavdishme nën drejtimin e Messit, tashmë mund të jetë i pariparueshëm për disa tifozë të futbollit.