Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Pas edicionit për t’u harruar, Barça do ta ketë të vështirë ngritjen

Ishte një edicion shumë, shumë i gjatë për Barcelonën. Lionel Messi u largua me lot para se të fillonte. Ronald Koeman u shkarkua shpejt. Skuadra u eliminua nga Liga e Kampionëve dhe u fut në Ligën e Evropës, garë të cilën nuk arriti ta fitojë. Rikthimi i ish-legjendës Xavi Hernandez si trajner dhe disa përforcime të zgjuara në janar, përfundimisht çuan në disa fitore bindëse, por skuadra që dikur dominonte futbollin spanjoll nuk arriti të fitonte titullin për herë të dytë në tre vjet.

Barcelona ka ende dy ndeshje të mbetura në ligë, por sigurimi i një përfundimi në vendin e dytë është me të vërtetë e vetmja gjë për të cilën do të luajë. Fokusi i klubit tani është të sigurojë që sezoni i ardhshëm të jetë më i mirë, më saktësisht të ketë një përmirësim. Megjithatë, kjo mund të jetë e vështirë. Barcelona ende po përballet me vështirësi të mëdha financiare që kanë luajtur tashmë një rol të madh, sipas Xavit, në shuarjen e çdo shprese që kishte për të joshur sulmuesin Erling Haaland, një nga emrat më të mëdhenj në treg, në Spanjë.

“Ne thjesht nuk mund të konkurronim në nivel ekonomik. I uroj atij fat të mirë”, tha Xavi për Haalandin pasi u konfirmua transferimi i tij te Manchester City ditë më parë.

Xavi dhe zyrtari i klubit Jordi Cruyff thuhet se u takuan me Haalandin në fillim të marsit në përpjekje për ta bindur sulmuesin të transferohej në “Camp Nou”. Financat e Barcelonës u shkatërruan nga ndikimi i pandemisë dhe nga shpenzimet e paqëndrueshme të presidentit të mëparshëm të klubit, Josep Bartomeu. Borxhi u rrit në 1.3 miliardë euro, duke bërë që liga spanjolle të ulte kufirin e pagave këtë sezon në 97 milionë euro – shtatë herë më i vogël buxheti i Real Madridit. Klubi i drejtuar tani nga presidenti Joan Laporta bëri jashtëzakonisht mirë në shtimin e lojtarëve në skuadrën e tij në mes të sezonit.

Drejtori teknik, Mateu Alemany, siguroi transferimin e Ferran Torresit nga City, nënshkrimin e Pierre-Emerick Aubameyangut si lojtar i lirë dhe e huazoi Adama Traoren. Aubameyang dhe Torres menjëherë zgjidhën problemet e shënimit të golave te Barcelona. Fitorja befasuese 4:0 në Madrid në mars përfundoi të ishte pika kryesore e një sezoni të dobët. Barça u eliminua në fazën e grupeve të Championsit për herë të parë pas afro dy dekadash.

Po ashtu, u mund nga Eintracht Frankfurti në çerekfinalen e Ligës së Evropës. Nuk konkurroi kurrë me Real Madridin në garën për titullin e La Ligas dhe u eliminua nga Copa del Rey në 1/8 e finales nga Athletic Bilbao. Për të përmirësuar këto rezultate, Alemany, Cruyff dhe Laporta kanë disa vendime të mëdha për të marrë me një buxhet shumë të ulët.

“Ky vit nuk ishte pozitiv, sepse ne nuk luftuam për treofe dhe kushdo që mund të vijë do të jetë i mirëpritur”, tha Xavi. “Situata ekonomike është ajo që është dhe lojtarët aktualë do të duhet të largohen për të ardhur të tjerët. Situata është e komplikuar, është shumë e vështirë, por duhet të marrim përforcime për të qenë konkurrues. Ky është një fakt”.

Barcelona raportohet se po shqyrton gjasat e saj për të nënshkruar me sulmuesin e Bayern Muenchenit, Robert Lewandoëskin, i cili është i bllokuar në negociatat për rinovimin e kontratës me kampionin e Bundesligës. Por Barcelona gjithashtu duhet të zgjidhë disa çështje në lidhje me lojtarët aktualë në ekip.

Një nga prioritetet e Barcelonës është të shohë nëse mund të firmosë kontratë të re me Ousmane Dembelen. Dembele, kontrata e të cilit përfundon në fund të sezonit, refuzoi ofertat nga klubet e tjera në janar. Që atëherë, ai është bërë një pjesë e rëndësishme e sulmit të Xavit. Francezi, paga e të cilit thuhet se është më e larta pas largimit të Messit dhe Philippe Coutinhos, do ta përfundojë sezonin si asistuesi më i mirë i ligës spanjolle. Klubi ia doli që të ulë pagat e veteranëve Gerard Pique, Sergi Roberto dhe Samuel Umtiti. 24-vjeçari Dembele mund të jetë një perspektivë shumë më e vështirë duke pasur parasysh moshën dhe talentin e tij të vështirë për t'u zëvendësuar. Barcelona gjithashtu duhet të vendosë nëse do ta paguajë Wolverhampton për ta bërë lëvizjen e Traores të përhershme. Anësori nuk luajti aq sa pritej, kështu që nëse klubi arrin marrëveshje me Dembelen, atëherë ka më pak gjasa ta mbajë Traoren.

Klubi po negocion një kontratë të re edhe me Gavin, i cili së bashku me mesfushorin tjetër Nico Gonzalez ishin nga pikat e pakta të ndritshme këtë sezon. Rruga përpara e Barcelonës do të varet gjithashtu nga shëndeti i Ansu Fatit, i cili në moshën 19-vjeçare është kthyer nga një superyll në adoleshent të harruar për shkak të lëndimeve të shumta. Kohët e fundit ai u kthye në fushë dhe nëse qëndron i shëndetshëm, do të duket të jetë një lider i përsosur për rindërtimin e ekipit nga Xavi. Mediat spanjolle spekulojnë se Frenkie de Jong dhe Marc-Andre ter Stegen janë në shitje për një çmim të duhur.

Mes kaq shumë pasigurie, klubi ka arritur t'i sigurojë Xavit njëfarë stabiliteti duke “blinduar dy nga lojtarët e tij më të rinj që shpreson se mund të jenë shtylla e ekipit për të ardhmen. Pedri dhe Ronald Araujo kanë nënshkruar kontrata të reja deri në vitin 2026.

Artikuj të ngjashëm