Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Barcelona përballet me realitetin pas dështimit të dytë radhazi në Champions

Lojtarë të ndryshëm, rezultate të njëjta, por edhe më të turpshme. Për të dytin vit radhazi kampanja e Barcelonës në Ligën e Kampionëve përfundoi në fazën e grupeve. Dhe dështimi i këtij viti është shumë më i vështirë për t'u përballuar.

Tifozët mund të kuptojnë pse Barcelona pati vështirësi në muajt pas largimit të Lionel Messit në fillimin e sezonit të kaluar. Pa futbollistin e mrekullueshëm, skuadra nuk arriti të kalonte në fazën nokaut të Ligës së Kampionëve për herë të parë në gati dy dekada. Dështimi për të fituar tituj sezonin e kaluar, i kombinuar me borxhin masiv që klubi i kishte krijuar në vitet e fundit të mbretërimit të Messit, e shtyu bordin e ri të Barcelonës të merrte vendimin e rrezikshëm për të shitur një pjesë të të drejtave televizive të klubit dhe aseteve të tjera në mënyrë që të rikthehej ekipi.

Hipotekimi i së ardhmes së Barcelonës në këmbim të 866 milionë eurove i lejoi presidentit Joan Laporta të shpenzonte shumë për përforcimet e reja, përfshirë për sulmuesin Robert Lewandoski, mbrojtësin Jules Kounde e Raphinhan. Barça kërkonte suksesin këtë sezon me rrezikun e uljes së të ardhurave në të ardhmen. Basti, argumentoi Laporta, ishte i nevojshëm për ta rikthyer Barcelonën te fitimi i titujve dhe për të rimarrë vendin e saj në mesin e elitës së futbollit evropian.

Kjo do të sillte më shumë para, do t’i rriste shitjet e biletave dhe do t'i bënte sponsorët të duan të shpenzojnë edhe më shumë për t’i lidhur markat e tyre me një fitues të rilindur. Kështu që duhet të jetë e vështirë për tifozët të pranojnë se një Barcelonë e rinovuar, me pamje të re, është jashtë garës më fitimprurëse dhe prestigjioze në futbollin e klubeve dhe atë që në muajin tetor. Për të shtuar dhimbjen edhe më shumë, Barcelona u dënua me një përfundim në vendin e tretë edhe para se të mposhtej 3:0 nga fituesi i grupit, Bayern Muencheni. Kjo pasi Interi mbylli garën për vendin e dytë duke mposhtur Viktoria Plzenin më herët të mërkurën.

“Unë e kuptoj që nga jashtë klubit kjo konsiderohet një dështim”, tha trajneri i Barcelonës, Xavi Hernandez. “Por nga brenda ne mendojmë ndryshe. Dështimi është për ata që as nuk përpiqen”.

Edhe Barcelona gati për titullin e parë që nga largimi i Messit Sport Barcelona gati për titullin e parë që nga largimi i Messit

Xavi shpejt pranoi se ekipi i tij nuk i kishte përmbushur pritjet.

“Ne duhet të përballemi me realitetin”, tha ish-mesfushori i Spanjës. “Ne nuk kemi qenë në lartësinë e detyrës për shkak të mungesës së efektivitetit në zonë dhe gabimeve tona. Mënyra se si dolëm nga gara, me një fitore në grup, është gjithashtu mizore. Ne largohemi me një ndjesi të keqe”.

Tani skuadra duhet të fokusohet në fitimin e titullit të ligës spanjolle për herë të parë që nga viti 2019, nëse dëshiron të qetësojë tifozët e saj, mijëra prej të cilëve janë anëtarë të klubit dhe pronarët e tij efektivë. Barcelona viziton Valencian të shtunën duke mbetur prapa liderit dhe kampionit në fuqi, Real Madridit, me tri pikë.

Barcelona e filloi sezonin në mënyrë premtuese në ligën spanjolle ku ishte në krye të tabelës pasi fitoi shtatë ndeshje dhe barazoi një herë. Por kjo përfundoi kur humbi 3:1 në Madrid dy xhiro më parë. Gjatë gjashtë javëve të fundit, Barcelona nuk ka arritur fitore të vetme kundër kundërshtarëve kryesorë, duke humbur dy herë nga Bayerni, një nga Real Madridi dhe duke pësuar një e duke barazuar një ndeshje tjetër me Interin.

Presioni po rritet te Xavi për rezultate të mira pas investimit. Xavi, një idhull i tifozëve për rolin e tij kryesor në ekipin më të mirë të Barcelonës kur luajti nën drejtimin e Pep Guardiolas, u kthye pa përvojë të madhe në klub për ta marrë drejtimin e skuadrës si trajner sezonin e kaluar. Ai erdhi pasi Ronald Koeman u shkarkua. Laporta ka insistuar se Xavi ka mbështetjen e plotë.

“Ne kemi ende ligën dhe garat e tjera (Ligën e Evropës dhe Copa del Rey) për të luajtur dhe e dinim se do të kishte ngritje dhe ulje gjatë këtij procesi rindërtimi”, tha Laporta.

Edhe Më shumë dhimbje evropiane për Barçën, pavarësisht përmirësimeve Sport Më shumë dhimbje evropiane për Barçën, pavarësisht përmirësimeve

Dalja nga Championsi është gjithashtu një goditje për financat e menjëhershme të klubit. Avancimi në fazën nokaut kishte qenë pjesë e planeve buxhetore. Barcelona do të humbë 9.6 milionë euro që UEFA u jep klubeve që arrijnë në 1/8 e finales të Ligës së Kampionëve. Kalimi në Ligën e Evropës shpërblehet me 500,000 euro. Sezonin e kaluar, Barcelona e Xavit humbi në çerekfinale të Ligës së Evropës nga Eintracht Frankfurti.

Laporta dhe stafi i tij gjithashtu do të kenë duart plot gjatë muajve të ardhshëm për t'u përgatitur për më shumë probleme financiare. Barcelona mezi ishte në gjendje t’i përmbushte rregullat financiare të ligës spanjolle bazuar në borxhet në krahasim me të ardhurat e nevojshme për regjistrimin e lojtarëve të rinj për këtë sezon. Dhe presidenti i ligës, Javier Tebas, e ka paralajmëruar tashmë publikisht Barcelonën se vera e ardhshme mund të jetë po aq e vështirë për një klub që ka ende një borxh neto prej 608 milionë eurosh. Detyra kryesore për udhëheqjen e Barcelonës duket se është ulja e pagave, e cila në fakt është rritur këtë sezon pas transferimeve të reja. Pra, lëvizjet e ardhshme që do t’i bëjë Barcelona ka të ngjarë ta dobësojë skuadrën, veçanërisht nëse vazhdon të mos ketë paraqitje të mira.