Barcelona mund të jetë në prag të një tjetër eliminimi poshtërues në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve. Me Barcelonën dhe Interin që konkurrojnë për vendin e dytë në Grupin C, prapa një Bayern Muencheni perfekt, skuadra italiane është në avantazh pasi fitoi në mënyrë kontroverse 1:0 në “San Siro” javën e kaluar. Një tjetër fitore e Interit në “Camp Nou”, të mërkurën mbrëma (21:00), do t'i kualifikonte matematikisht “Nerazzurrët” në rundin tjetër dhe do ta detyronte Barcelonën të përjetonte një dalje të hershme nga kjo garë për të dytin vit radhazi, përveç nëse Bayerni humb nga Viktoria Plzeni në atë që do të ishte një tronditje e madhe.
Barcelona do ta kërkojë frymëzimin për fitore kundër Interit nga Robert Lewandowski. Ish-sulmuesi i Bayernit shënoi “hat-trick” kundër Plzenit, por mbeti i heshtur kundër ekipit të tij të vjetër dhe ishte kryesisht në hije në ndeshjen e parë ndaj Interit.
“Ne ishim duke fluturuar deri para tri javëve, por nuk po fluturojmë më”, ka pranuar Xavi, trajneri i Barcelonës.
Hera tjetër e vetme që Barcelona nuk arriti të kalonte në fazën nokaut në dy sezone rresht në Ligën e Kampionëve ishte më 1997/98 dhe 1998/99, kur skuadra e udhëhequra nga Louis van Gaal fillimisht përfundoi pas Dynamo Kyivit dhe PSV Eindhovenit dhe më pas prapa finalistëve Bayernit dhe Manchester Unitedit.
Vitin e kaluar Barcelona përjetoi edicionin më të keq në Ligën e Kampionëve në rreth dy dekada, duke përfunduar pas Bayernit dhe Benficas në grupin e saj, ndërsa po kalonte një situatë të rëndë financiare që si pasojë e kishte edhe largimin e Lionel Messit në Paris Saint-Germain. Dështimi këtë sezon do të ishte tepër i vështirë pasi klubi bëri shpenzime të mëdha para fillimit të këtij edicioni. Në fakt, Barça pati një start të fortë këtë edicion, por ekipi i trajnerit Xavi Hernandez ka filluar të ketë vështirësi para ndeshjeve vendimtare, kundër Interit në Champions dhe Real Madridit, ekip më të cilin do të përballet të dielën në La Liga.
“Sigurisht që Lewandowski është superylli i ekipit tonë dhe presim shumë nga ai në ndeshjen e kthimit ndaj Interit. Pas humbjes javën e shkuar, mendoj se është koha ta fitojmë këtë ndeshje që e luajmë në shtëpi. Mbi të gjitha prej saj edhe mund të varet fati ynë në Ligën e Kampionëve”, ka pranuar mesfushori i Barcelonës, Pedri. “Ndoshta në ndeshjet e fundit nuk kemi luajtur mirë por mendoj se ka ardhur momenti të dëshmojmë cilësitë tona. Fitoren e kemi obligative dhe do të bëjmë të pamundurën për pikët e plota. Natyrisht nuk do të jetë lehtë por e kemi edhe përkrahjen e tifozëve tanë, gjë që është shumë e rëndësishme për ne”.
Edhe trajneri Xavi beson në fitore të ekipit të tij. Ai pret që Interi në këtë ndeshje të ketë një qasje më defensive, por insiston se Barcelona është e gatshme për çdo situatë për shkak se fitorja i nevojitet më shumë se kurrë. Sipas tij, Barcelona kërkon t’i revanshohet Interit për humbjen që ia shkaktoi në xhiron e kaluar.
“Është një ndeshje në të cilën aspekti psikologjik ka një rëndësi të madhe dhe ekipi është i përgatitur në këtë aspekt. Jam optimist për fitore dhe më shumë preferoj me rezultatin 2:0 sesa 1:0. Duhet të shënojmë gol herët dhe pastaj të mundohemi ta mbyllim ndeshjen edhe me ndonjë gol tjetër. Duam të revanshohemi për gjithçka që ndodhi në Milano dhe do të japim gjithçka për t’u siguruar se pikët do të mbesin në shtëpinë tonë”, insistoi Xavi. “I kemi humbur dy ndeshjet që i kemi luajtur në udhëtim dhe tani është koha t’i bëjmë detyrat e shtëpisë ashtu si duhet. Duam ta rikuperojmë vendin e dytë në grup dhe kjo ndeshje është sikurse finale për ne. E finalja luhet për ta fituar. Lojtarët e kanë parasysh se çfarë duhet të bëjnë”.
Edhe në këtë ndeshje, Barcelona do të jetë pa mbrojtësit Jules Kounde dhe Ronald Araujo. Në anën tjetër tek Interi pritet të rikthehet sulmuesi Romelu Lukaku. Belgu është stërvitur të martën me pjesën tjetër të ekipit pasi është rikuperuar nga lëndimi që e mbajti jashtë fushës për disa javë.
“Në ndeshjen e javës së shkuar ne treguam se kemi dëshirë të madhe për të avancuar nga faza e grupeve, kështu që edhe në Barcelonë do të dalim në fushë për ta fituar ndeshjen. E kemi parasysh se do të jetë shumë vështirë për shkak se na pret një atmosferë e zjarrtë në stadium, por jemi të gatshëm për ta kaluar edhe këtë pengesë. Është një ndeshje e rëndësishme dhe ne duhet të japim më të mirën për të marrë një rezultat pozitiv”, ka thënë trajneri i Interit, Simone Inzaghi.
E mërkurë
Grupi A
Napoli - Ajax (18:45)
Rangers – Liverpool (21:00)
1. Napoli 3 9
2. Liverpool 3 6
3. Ajax 3 3
4. Rangers 3 0
Grupi B
Atl. Madrid – C. Brugge (18:45)
Bayer L. – Porto (21:00)
1. C. Brugge 3 9
2. Porto 3 3
3. Bayer L. 3 3
4. Atl. Madrid 3 3
Grupi C
Barcelona – Inter (21:00)
V. Plzen – Bayern M. (21:00)
1. Bayern M. 3 9
2. Inter 3 6
3. Barcelona 3 3
4. V. Plzen 3 0
Grupi D
Sporting – Marseille (21:00)
Tottenham – E. Frankfurt (21:00)
1. Sporting 3 6
2. Tottenham 3 4
3. E. Frankfurt 3 4
4. Marseille 3 3