Barcelona e ka fituar Kupën e Mbretit dhe po lëviz sigurt drejt titullit në La Liga. Kështu, sfida më e madhe për skuadrën e Hansi Flick mbetet kualifikimi dhe triumfi në Ligën e Kampionëve.
Pas ndeshjes së parë gjysmëfinale, Barça, nuk është në pozitën më të mirë të mundshme për të bërë vend në finale të Championsit. Barcelona në shtëpi barazoi 3:3 me Interin, të mërkurën e kaluar. Të martën në “Giuseppe Meazza” prej orës 21:00 është ndeshja e kthimit.
Gjermani Flick ka thënë se në fillim të edicionit askush nuk ka mundur të parashikojë sukseset që Barça i ka tashmë. Ai ka thënë se dëshirojnë të shijojnë futbollin dhe të bëjnë që edhe tifozët ta shijojnë atë.
Flick ishte shumë pozitiv në konferencën për shtyp të mbajtur të hënën.
“Tashmë kemi fituar dy tituj këtë edicion. Të gjithë lojtarët janë përmirësuar me kalimin e ndeshjeve. Jemi në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve dhe duhet të shijojmë këtë, të shijojmë duke luajtur me njëri-tjetrin dhe t’u tregojmë të gjithëve se sa të mirë jemi”, ka thënë tekniku gjerman.
Barça e ka fituar Superkupën e Spanjës më herët. Skuadra katalunase llogaritej favorite e madhe në ndeshjen e parë, por Interi luajti ndeshje të madhe duke barazuar në fund.
Flick ka respekt për Interin. Thotë se bëhet fjalë për skuadër të fortë, me përvojë dhe që dëshiron të luajë futboll.
Lajm i mirë për tifozët e Barcelonës është kthimi i Robert Lewandowskit nga lëndimi. Sulmuesi polak megjithatë nuk pritet të startojë. Lewa mungoi në katër ndeshjet e fundit, ndërsa i ka 40 gola këtë kampanjë. Në Itali do të mungojnë mbrojtësit e qendrës, Jules Kounde dhe Alejandro Balde.
Pritet që Lamine Yamal të shkëlqejë sërish te Barça, ndërsa Raphinha është “armë” tjetër e kësaj skuadre.
Por edhe Interi ka adutët e tij. Interi është tri pikë prapa Napolit në garën e fortë për titull në Serie A. Por fokusi i kësaj skuadre është te kualifikimi në finale të Ligës së Kampionëve.
Trajneri Simone Inzaghi është lavdëruar për mënyrën se si e përgatiti ndeshjen e parë.
“Ne e dimë rëndësinë e kësaj ndeshjeje. Na duhet një ndeshje e shkëlqyer ndaj një ekipi shumë të fortë. Na duhet një Inter i kujdesshëm dhe me kokë të ftohtë. Grupi ka besim në vete, e dëshiron suksesin dhe mezi e pret fillimin e ndeshjes”, ka thënë Simone Inzaghi.
Lautaro Martinez mund të jetë mungesë e madhe e Interit. Ai nuk ka stërvitur që nga ndeshja në Barcelonë, por Inzaghi ka thënë se në ditën e ndeshjes do të vendosin nëse Lautaro do të aktivizohet. Pas ndeshjes në Spanjë, Inzaghi kishte folur në superlativ për Yamalin. Për supertalentin ka folur edhe të hënën në konferencë për shtyp.
“Duhet të provojmë që mos ta lejojmë të marr topin. Por është e pamundur. Qartë, ai do të mbulohet nga dy lojtarë. Do ta kemi në vëzhgim të vazhdueshëm. Ai është talent i jashtëzakonshëm. Është shumë i rrezikshëm dhe të gjithë ia pasojnë topin. Mbeta i impresionuar me mënyrën e shpejtë të të menduarit që ka. Ai gjithnjë e di se si të luajë”, ka thënë Inzaghi.
Nëse lojtarët shikohen në aspektin individual, Barcelona vlerësohet superiore ndaj Interit. Por si grup ekipi italian është shumë i fortë.
“Sa i takon talentit individual, nuk jemi në top-katër të Evropës. Por mënyra se si punojmë së bashku e nxjerr më të mirën e kualitetit tonë. Ëndrra jonë ishte gjithnjë që të luajmë në këto ndeshje dhe gjithnjë mundohem t’i shijoj këto emocione”, ka thënë mbrojtësi i Interit, Alessandro Bastoni.
Interi pritet të ketë përkrahje të madhe të tifozëve. Por mesfushori i Barcelonës, Dani Olmo, thotë se kjo nuk paraqet problem.
“Kjo vetëm na motivon. Kemi luajtur dhe kemi fituar në stadiume tjera të zhurmshme”, ka thënë Olmo.
Rezultati i ndeshjes së parë e bën thuajse të garantuar spektaklin e futbollit.