(AP) – Të dy janë anëtarë të aristokracisë së futbollit evropian, të cilët jo shumë kohë më parë takoheshin në finalet e Ligës së Kampionëve. Tani Barcelona dhe Manchester Unitedi po përballen në plejofin e Ligës së Evropës, niveli i dytë i garave të UEFA-s.
“Në fund të fundit, ne nuk e meritojmë të jemi në Ligën e Kampionëve dhe as ata. Por niveli është ende shumë i lartë”, tha të mërkurën trajneri i Barcelonës, Xavi Hernandez.
Në të vërtetë, klubet me dy nga ndjekësit më të mëdhenj në futbollin botëror janë në një vend të mirë në fushë, veçanërisht duke marrë parasysh gjendjen e vështirë që e kishin vitet e fundit. Barcelona po del, shumë ngadalë, nga një krizë e dëmshme financiare që i kushtoi klubit me largimin e Lionel Messii dhe shumë më tepër. Situata e saj ekonomike është ende e rëndë – llogaritë e fundit të Barcelonës tregojnë se klubi është më shumë se 650 milionë dollarë borxh, i ndihmuar mezi nga një dalje në fazën e grupeve nga Liga e Kampionëve – por skuadra po performon aq mirë sa ka një avantazh prej 11 pikësh në ligën spanjolle. Ndërkohë, Unitedi po ngrihet në Premier League dhe mund të fitojë trofeun e tij të parë në gjashtë vjet kur takohet me Neëcastlen në finalen e Kupës së Ligës më vonë këtë muaj. Në këtë kuptim, të dyja skuadrat kanë arsye të besojnë se së shpejti do të rikthehen në krye të futbollit evropian.
Ndërkohë, prania e tyre në Ligën e Evropës i shton magjepsjen një gare që shihet gjerësisht si vëllai i vogël i Ligës së Kampionëve. I vetmi zhgënjim për tifozët është se takimi vjen kaq herët.
“Mendoj se Barcelona dhe ne, gjithashtu do të kishim preferuar të luanin në finale”, tha trajneri i Unitedit, Erik ten Hag. “Shpresojmë që të gjithë lojtarët ti kemi në dispozicion si Barcelona ashtu edhe ne. Pra, duam të shohim një lojë në nivelin më të lartë”.
Barcelona është në formë të mirë, me humbjen e saj të fundit kundër Bayern Munichut teksa doli nga Liga e Kampionëve në tetor. Është në Ligën e Evropës sepse nuk mundi të fitonte një ndeshje në grup as kundër Bayernit dhe as Interit. Por nën drejtimin e trajnerit Xavi, skuadra tani ka fituar tetë ndeshje rresht në të gjitha garat, me sulmuesin Robert Leëandoëski që ka marrë rolin e lojtarit kyç.
“Më pëlqen shumë ekipi i tij, mënyra sulmuese e lojës”, tha Ten Hag. “Mendoj se ai është në drejtimin e duhur. Mendoj se do të jetë një sfidë e mirë mes Manchester Unitedit dhe Barcelonës”.
Edhe
Unitedit i duhet mrekullia për ta evituar eliminimin në Champions
Xavi, i cili fitoi dy finale të Ligës së Kampionëve në fushë me Barcelonën kundër Unitedit, ka bërë që skuadra e tij të luajë njësoj gjatë gjithë sezonit, pavarësisht dëmtimeve të Ousmane Dembeles dhe Sergio Busquetsit. Reprezentuesit e Spanjës, Pedri dhe Gavi po drejtojnë mesfushën, ndërsa Raphinha po plotëson mungesën e Dembeles. Ten Hagut i është dashur të përballet me mungesat e tij, por gjithsesi ka qenë në gjendje ta vendosë Unitedin në një pozicion për të konkurruar për titullin e ligës. Mesfushori Christian Eriksen do të humbasë pjesën më të madhe të sezonit me një problem në kyçin e këmbës dhe Anthony Martial vazhdon të luftojë për të qëndruar në formë. Duke qenë se Unitedi ia ndërpreu kontratën Cristiano Ronaldos në nëntor, Ten Hag ka mbetur i shkurtër në sulm, dhe kjo është arsyeja pse forma e Marcus Rashfordit ka qenë vendimtare. Sulmuesi anglez, i cili ka qenë i lidhur me një kalim te Barcelona në të kaluarën, ka shënuar 13 gola në 15 ndeshjet e tij të fundit dhe 21 gjatë gjithë sezonit. Jadon Sancho është rikthyer gjithashtu pasi i është dhënë pushim për të rikthyer formën e tij dhe shton opsionet e Unitedit përpara. Ten Hag ka një vendim për të marrë në sulm, me huazimin e janarit, Wout Weghorst, i cili ka dështuar të garantojë kërcënim për portën kundërshtare, duke shënuar një herë në tetë paraqitje. Me Sanchon të rikthyer, Rashford mund të kalojë nga krahu i majtë në një pozicion qendror, ku ai ka arritur të shënojë në secilën nga dy ndeshjet e fundit të Unitedit kur u transferua atje gjatë ndeshjes.
“Rashford është një nga sulmuesit më të rrezikshëm”, tha Xavi. “Ai është shumë i shpejtë, një driblues i mirë, i mirë në ballë për ballë dhe shumë i rrezikshëm në tranzicion. Ne duhet të kujdesemi për të gjithë lojtarët e Unitedit, por Rashford është sigurisht një nga më të rrezikshmit në Evropë”.
Sulmuesi i krahut, Antony, mesfushori Scott McTominay dhe Martial munguan në stërvitjen e Unitedit të mërkurën para se të nisej drejt Barcelonës. Lisandro Martinez dhe Marcel Sabitzer janë të suspenduar për ndeshjen e parë, por Casemiro është i gatshëm për lojë pasi humbi dy ndeshjet e fundit të ligës për shkak të pezullimit.