Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Barcelona pa avantazhin e “Camp Nout” këtë edicion, stadiumi më i madh në Evropë po rinovohet

Përtej angazhimit dhe zhvillimit të disa prej futbollistëve më të mirë në botë, Barcelona e ka bazuar suksesin edhe në avantazhin e ndeshjeve në shtëpi, falë stadiumit më të madh të futbollit në Evropë. Por këtë edicion gjërat do të jenë shumë më ndryshe për Barçën. Skuadra luan në një stadium më të vogël dhe më pak të qasshëm, ndërsa “Camp Nou” prej 99,000 ulësesh i nënshtrohet një ndryshimi të plotë, që nuk do të përfundojë për të paktën tre vjet.

Barcelona do të kalojë këtë periudhë larg “Camp Nout” në stadiumin olimpik “Lluis Companys”, i cili mund të pranojë 49,000 njerëz. Kjo me siguri do të nënkuptojë atmosferë më të qetë, më pak frikësuese për rivalët, si dhe më pak të ardhura për një klub që ende po lufton me probleme të mëdha financiare. Rreth 35,000 shikues u paraqitën për ndeshjen e parë të Barcelonës në shtëpinë e saj të përkohshme të martën, kundër Tottenhamit në një miqësore që klubi spanjoll e përdori për të prezantuar ekipin e tij për edicionin 2023/24. Dallimi ishte drastik në krahasim me ndeshjen me kundërshtarin e njëjtë, vitin e shkuar. Atëbotë në “Camp Nou” u paraqitën hiq më pak se 83,000 shikues për ta parë ekipin e Barçës për edicionin 2022/23.

Trajneri i Barcelonës, Xavi Hernandez, menjëherë pas ndeshjes të së martës e mori mikrofonin për t'iu drejtuar turmës që e pa skuadrën e tij duke mposhtur Tottenhamin me rezultat 4:2. Ai u kërkoi tifozëve të rrinin dhe mos të largoheshin menjëherë nga tribunat.

“Ne kemi të njëjtin motivim si edicionin e kaluar. Por ky edicion nuk do të jetë i lehtë. Do të jetë një edicion atipik. Ne nuk do të jemi në shtëpinë tonë”, tha Xavi në stadium. “Ne do të kemi nevojë për ju më shumë se kurrë, kemi nevojë për mbështetjen tuaj, solidaritetin tuaj, sakrificën tuaj. Është e rëndësishme që ju të na bëni të ndihemi sikur të ishim në ‘Camp Nou’, pasi kemi nevojë për këtë”.

Ndërsa Barcelona është dëshmuar si ekip që është mposhtur në shtëpi vitet e fundit, ka qenë një kohë jo shumë më parë kur ishte pothuajse e pathyeshme në “Camp Nou”. Me Lionel Messin dhe lojtarët e tjerë më të mirë, Barcelona kaloi më shumë se shtatë vjet pa humbur një ndeshje të Ligës së Kampionëve në shtëpi, midis shtatorit të vitit 2013 dhe dhjetorit të vitit 2020. Gjatë kësaj periudhe ishte gjithashtu e rrallë që skuadra të humbiste një ndeshje të ligës spanjolle kur luante para fansave të saj.

Edhe Barça luan me Bilbaon në “Camp Nou” Futboll Barça luan me Bilbaon në “Camp Nou”

Vetëm 17,000 anëtarë të klubit blenë bileta sezonale për këtë edicion, shumë larg nga 27,000 që kishte shpresuar presidenti i klubit, Joan Laporta. Dhe kjo erdhi pasi klubi iu përgjigj kritikave të tifozëve dhe uli përgjysmë çmimet fillestare të biletave sezonale. Pjesa tjetër e biletave do të shitet ndeshje pas ndeshjeje.

Edicionin e kaluar klubi shiti 83,000 bileta sezonale për anëtarët e tij dhe pati një pjesëmarrje mesatare për ndeshje, që ishte afërsisht e njëjtë. Pjesëmarrja më e madhe për një ndeshje të vetme edicionin e kaluar ishte 95,000 shikues, që panë Barcelonën të mposhtë Real Madridin 2:1 në përballjen që e vendosi skuadrën e Xavit në rrugën drejt fitimit të titullit të ligës spanjolle.

Barcelona e hap edicionin e ri të La Ligas me ndeshjen në udhëtim kundër Getafes, të dielën. Më pas do të luajë ndeshjen e parë në shtëpi kundër Cadizit, më 20 gusht.

Stadiumi që ishte pjesë e Lojërave Olimpike Verore të vitit 1992 nuk është pa atraksionet e tij. Ndodhet në majë të kodrës Montjuic, që ofron pamje spektakolare të qytetit dhe ka joshje të tjera veçanërisht për turistët, duke përfshirë parqet, një muze olimpik dhe një muze arti. Rivali i Barcelonës, Espanyoli, luajti në stadiumin olimpik nga viti 1997 deri në vitin 2009, ndërsa po ndërtonte stadiumin e ri. Por shumë tifozë vendas e konsiderojnë Stadiumin Olimpik më të vështirë për t'u arritur sesa “Camp Noun”, i cili është në distancë të afërt në këmbë nga stacionet e metrosë aty pranë. Edhe Laporta duhej të pranonte se “të ngjitesh në Montjuic është e papërshtatshme, por nuk më duket sfidë e madhe”.

Për të ndihmuar tifozët të shmangin ngjitjen në kodër, do të ketë autobusë për mbajtësit e biletave që të arrijnë në stadium. Klubi ka përmirësuar gjithashtu ambientet e Stadiumit Olimpik, duke përfshirë vendosjen e një mbulese mbi pistën e atletikës dhe duke u dhënë një ndryshim dhomave të zhveshjes. Ndoshta më e rëndësishmja për Barcelonën në afat të mesëm, largimi nga “Camp Nou”, do të nënkuptojë një goditje financiare për një klub që po përpiqet të reduktojë një borxh masiv prej rreth 1.3 miliardë eurosh. Kjo shifër nuk përfshin huan që klubi ka marrë për të rimodeluar stadiumin e tij. Klubi tha se kostoja e qirasë së stadiumit komunal do të jetë midis 15-20 milionë eurosh për këtë edicion.

Edhe Barça të shtunën kthehet të luajë në “Camp Nou” Futboll Barça të shtunën kthehet të luajë në “Camp Nou”

Në prill, Laporta tha se zhvillimi i ndeshjeve larg “Camp Nout” do të lërë një mungesë prej rreth 93 milionë eurosh në llogaritë e klubit, për shkak të qirasë së paguar dhe të ardhurave më të ulëta. Laporta ka thënë se klubi po përpiqet të përfitojë nga titulli i fundit i ligës dhe suksesi i skuadrës së femrave në Ligën e Kampionëve për të siguruar sponsorë të rinj për të kompensuar mungesën. Ekipi i femrave, megjithatë, është ende i vendosur të luajë në stadiumin shumë më të vogël jashtë qytetit. Ndryshe nga rivali i madh, Real Madrid, i cili përfitoi nga pandemia për të rinovuar “Santiago Bernabeun” kur kufizimet shëndetësore e ndaluan publikun të ishte i pranishëm në tribuna, planet e Barcelonës për të riparuar “Camp Noun” janë vonuar me vite. Ato më në fund filluan këtë verë kur ekipet e punëtorëve filluan të prishnin pjesë të tij. Barcelona shpreson të jetë në gjendje t’u kthehet ndeshjeve në “Camp Nou”, në nëntor të vitit 2024. Stadiumi me pamje të re do të pranojë 105,000 njerëz dhe do të ketë shërbime më të mira të shitjes me pakicë për të rritur më tej të ardhurat gjatë ditës së ndeshjes.

Megjithatë, puna pritet të vazhdojë në stadium deri në vitin 2026, që do të thotë se pjesëmarrja do të jetë ende e reduktuar deri atëherë. I gjithë projekti i ka kërkuar Barcelonës të sigurojë 1.45 miliardë euro mbështetje nga investitorë të shumtë.