Sport

Me gjithë telashet financiare, klubet e Superligës do të përgatiten në Antalia

Prishtinë, 20 dhjetor - Prishtina është klubi me më së shumti borxhe në Superligën e Kosovës në futboll. Por, Prishtina është edhe klubi i parë që ka njoftuar se fazën përgatitore për stinorin pranveror do ta zhvillojë në Antalia të Turqisë.

Në njoftimin e publikuar të hënën bëhet e ditur se kampionia në fuqi më 5 janar do t’i nisë përgatitjet në kryeqytet përpara se të zhvendoset në Antalia për fazën tjetër.

Prishtina nuk është klubi i vetëm që i ka konfirmuar përgatitjet në bregdetin turk. Përgatitje në Turqi i kanë konfirmuar edhe Llapi, Ballkani dhe Drita, ndërsa janë duke shqyrtuar mundësinë e udhëtimit për në Antalia edhe Gjilani, Malisheva, Ulpiana dhe Dukagjini.

“FC Prishtina përgatitjet për pjesën e mbetur të edicionit do t’i nisë më 5 janar. Si fillim, skuadra e drejtuar nga trajneri Abdulah Ibrakoviq do të përgatitet në kryeqytet, kurse më 22 janar do të zhvendoset në Antalia të Turqisë, ku do të përgatitet deri më 2 shkurt. Prishtina në Turqi do t’i zhvillojë edhe disa ndeshje me skuadra të huaja, derisa për emrat e kundërshtarëve do të njoftoheni gjatë ditëve në vijim”, thuhet në njoftimin e Prishtinës.

Në klubin “Prishtina” nuk kanë i bërë të ditura detajet se sa do të jetë kostoja e përgatitjeve në Turqi. Porse klubi ka borxhe të mëdha e kanë thënë lojtarët e larguar e po ashtu zyrtarë të klubit. Me gjithë obligimet e pashlyera te Prishtina kanë vendosur që përgatitjet t’i zhvillojnë në Turqi.

Më i hapur rreth kostos ka qenë trajneri i Llapit, Tahir Batatina. Llapit përgatitjet 14-ditore në Antalia do t’i kushtojnë 40 mijë euro. Fituesi i Kupës, Llapi, drejt Antalias do të udhëtojë më 21 janar. Në Antalia ka aranzhuar pesë ndeshje miqësore.

“Jemi 40 persona që do të udhëtojmë drejt Antalias dhe kostoja është 40 mijë euro. Në këtë çmim përfshihen biletat, qëndrimi dhe ndeshjet kontrolluese. Jemi skuadra e parë kosovare që e kemi bërë rezervimin e hotelit dhe biletave pa përfunduar kampionati. Na kanë mbetur edhe dy kundërshtarë për t’i caktuar, tre të tjerë i kemi të konfirmuar. Na duhen kundërshtarë më cilësorë, sepse tash jemi skuadër me tre trofe. Dua të luaj kundër skuadrave me bagazh dhe cilësi. Nuk ka rëndësi rezultati, por të ngrihemi si skuadër”, ka thënë Tahir Batatina të hënën për KOHËN.

Edhe Llapi është prej skuadrave që është ankuar se ka vështirësi për të siguruar pagat e lojtarëve. Por vlerësohet prej skuadrave më korrekte sa i takon kryerjes së obligimeve.

Klubet kosovare në vitet e fundit kanë zgjedhur Antalian për përgatitje, ndryshe nga e kaluara kur vërshonin bregdetin shqiptar. Ndonëse përgatitja në Antalia është dukshëm më e shtrenjtë dhe klubet kanë telashet e tyre financiare, ato zgjedhin për këtë qendër të njohur turistike. Kushtet atje vlerësohen shumë të mira, ndërsa vlerësohet edhe mundësia për ndeshje miqësore me skuadra cilësore nga shtete të ndryshme evropiane.

“Kushtet atmosferike dhe kushtet për punë nuk krahasohen me asnjë vend këtupari. Do të nisemi kah mesi i janarit dhe do të qëndrojmë rreth 16 ditë. Edhe ndeshje miqësore do të zhvillojmë, por ende nuk i kemi caktuar”, ka thënë drejtori sportiv i Dritës, Valon Zymberi.

Shumë prej kundërshtarëve të klubeve kosovare janë nga Ukraina dhe Rusia, dy vende që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Por raportet politike nuk kanë rol sa u takon miqësoreve në Antalia. Prej ndeshjeve të tilla përfitojnë të dyja palët e në aspektin financiar fitime të mëdha kanë edhe menaxherët që aranzhojnë ndeshjet e fazat përgatitore.