Sport

Me fitoren e madhe ndaj Realit, Barcelona jep paralajmërimin

(AP) – Futbollistët e Barcelonës sapo ishin kthyer në dhomat e zhveshjes kur Gerard Pique dërgoi një mesazh në Twitter. Ai shkroi: “Ne jemi kthyer”. Pique dhe shokët e tij kishin qëndruar në fushë në stadiumin “Santiago Bernabeu” duke festuar fitoren komanduese të Barcelonës 4:0 ndaj Real Madridit në kuadër të La Ligas. Ata u hodhën dhe kënduan së bashku me disa qindra tifozë vizitorë të mbetur ende në vendin kryesisht bosh të stadiumit. Brenda trajneri Xavi Hernandez priti të përqafonte secilin lojtar teksa kthehej në zhveshtore.

“Vamos, vamos!” (Le të shkojmë!), ishte porosia e Xavit.

Ishte lloji i deklaratës që i nevojitej Barcelonës në një vit të vështirë rindërtimi pas largimit të Lionel Messit dhe problemeve të mëdha financiare. Fitorja e thellë në udhëtim ndaj rivalit më të madh – që ishte lider në La Liga dhe sapo kishte eliminuar Paris Saint-Germainin në Ligën e Kampionëve – e siguroi Barcelonën se është në rrugën e duhur.

“Kjo mund të ndryshojë dinamikën e së tashmes dhe të së ardhmes”, tha Xavi. “Ne nuk kishim shumë arsye për të festuar në të kaluarën e afërt dhe tani bëmë një deklaratë. Mund të thuash se jemi në rrugën e kthimit. Ne luftuam kundër Real Madridit dhe mund të kishim fituar me më shumë gola. Ishte fitore dhe ndeshje spektakolare”.

Barcelona më në fund ka gjetur hapin pas një fillimi të ngadaltë të sezonit, i cili përfshinte eliminimin nga Kupa e Mbretit dhe Superkupa e Spanjës. Xavi rinovoi sulmin e Barcelonës dhe ajo ka lulëzuar kohët e fundit me një stil sulmues që dëmton kundërshtarët me shpërthime të shpejta dhe efikase. Klubi ka shënuar 24 gola në tetë ndeshjet e fundit në të gjitha garat, pjesërisht falë transferimeve të janarit, Pierre-Emerick Aubameyang dhe Ferran Torres. Aubameyang shënoi dy herë dhe Ferran shtoi një tjetër ndaj Realit për të çuar numrin e golave të përbashkët në 15 sosh. Ronald Araujo shënoi golin tjetër të Barcelonës kundër Madridit, i cili kishte fituar në pesë “El Clasico” e fundit.

“Kjo fitore përforcon projektin tonë, përforcon stilin tonë, më përforcon mua si trajner të ri”, tha Xavi. “Nuk ka dyshim, Barcelona duhet të luajë sikurse ndaj Realit në secilën ndeshje”.

Xavi neutralizoi Madridin pasi homologu i tij Carlo Ancelotti u përpoq të përdorte Luka Modriqin si një nëntësh fals për të zëvendësuar të dëmtuarin Karim Benzema, lojtarin më të mirë të Madridit këtë sezon dhe golashënuesin më të mirë të ligës.

“Ne ishim në gjendje të luanim mirë dhe arritëm të krijonim shumë raste shënimi. Kjo fitore na jep besim të madh për të vazhduar punën më shumë. Ne e dëshmuan veten si ekip që mund të luajmë kundër secilit kundërshtar”, shtoi Xavi.

Ancelotti mori fajin për humbjen, duke thënë se taktikat e tij ishin të gabuara. Ai u përpoq të përdorte Mariano Diazin përpara në pjesën e dytë, por gjithashtu nuk funksionoi. Eden Hazard ishte në stol, por nuk luajti.

“U thashë lojtarëve se ishte faji im”, tha italiani. “Nuk ishte një plan i mirë. Barcelona luajti më mirë dhe e meritoi fitoren”.

Përpjekja mbresëlënëse e Barcelonës fitoi gjithashtu vlerësime nga jashtë Spanjës.

“Ishte kënaqësi të shikoja këtë paraqitje të mrekullueshme te Barcelonas”, shkroi sulmuesi i Bayernit, Thomas Mueller në Twitter.

Me gjithë humbjen, Reali mbetet lider në tabelë me 66 pikë të mbledhura, nëntë më shumë se Sevilla që renditet e dyta. Barcelona është e treta në tabelë me 12 pikë dhe një ndeshje më pak të zhvilluar. Deri në fund të sezonit kanë mbetur edhe nëntë xhiro për t’u luajtur.

“Ata po na lënë të ëndërrojmë për të fituar ligën, dhe të ëndërrojmë është falas”, tha veterani i Barcelonës, Dani Alves, i cili bëri paraqitjen e tij të 400-të me klubin ndaj Realit.

Ndeshja e radhës e Barcelonës në ligë është në shtëpi kundër Sevillas. Barcelona është gjithashtu në çerekfinale të Ligës së Evropës pasi nuk e kaloi fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve për herë të parë në gati një dekadë.

“Duhet qëndrojmë të përulur. Ne nuk fituam një titull sot”, tha Xavi. “Ne festojmë tani dhe më pas duhet të fillojmë të mendojmë për ndeshjen tonë të radhës”.