Sport

Ancelotti ka mësuar nga e kaluara, tani me Realin mposhti Barcelonën

Carlo Ancelotti ka nxjerrë mësim dhe Real Madridi e fitoi “El Clasicon” të dielën.

Pasi u turpërua 4:0 në shtëpi nga Barcelona sezonin e kaluar, trajneri i madrilenëve u mundua të mos provonte diçka ndryshe me skuadrën e tij, me Realin, që fitoi 3:1 dhe e mori kryesimin i vetëm në ligën spanjolle.

Po ashtu, Reali i dha Barcelonës një tjetër goditje të dhimbshme, katër ditë pasi skuadra nga Katalonja zbehu shanset për ta kaluar fazën grupore të “Championsit”.

Ancelotti e kishte përdorur Luka Modriqin në pozitën e “nëntëshit fals” sezonin e kaluar dhe Barcelona kishte shfrytëzuar avantazhin për të fituar në Madrid, në stadiumin “Santiago Bernabeu”.

“Kam menduar për atë çfarë ndodhi sezonin e kaluar, kur provova diçka ndryshe”, ka thënë Ancelotti. “Për këtë ndeshje nuk provova diçka të re. I lash futbollistët në pozitat e tyre dhe Modriqi luajti ndeshje spektakolare në mesfushë”.

Karim Benzema dhe Federico Valverde shënuan golat në pjesën e parë dhe Rodrygo shtoi një tjetër në minutat shtesë të pjesës së dytë, ndërsa kampioni në fuqi e fitoi “El Clasicon” e parë të sezonit për të kaluar me tri pikë më shumë se Barcelona në renditje. Rivalët hynë në këtë ballafaqim me pikë të njëjta, ndërsa Barcelona ishte para shkaku i goldallimit më të mirë.

Ishte fitorja e gjashtë e Real Madridit në shtatë “El Clasicot” e fundit, ndërsa disfata e vetme ishte 4:0 në ballafaqimin që u luajt në “Bernabeu”.

Humbja e së dielës është një goditje tjetër për Barcelonën që barazoi 3:3 me Interin në shtëpi të mërkurën, me shumë gjasa për t’u eliminuar nga Liga e Kampionëve. Kanë mbetur edhe dy ndeshje deri në fund të fazës së grupeve.

“Kishim shanset tona, por ne po kalojmë në një moment jo të mirë dhe asgjë nuk po shkon në anën tonë”, ka thënë trajneri i Barcelonës, Xavi Hernandez. “Ne duhet ta ndryshojmë këtë dinamikë sa më shpejt që është e mundur”.

Barcelona nuk avancoi në fazën e nokautit të Ligës së Kampionëve në sezonin e kaluar, të parin pa Lionel Messin, por eliminimi kësaj here do të ishte një dëshpërim shtesë marrë parasysh se klubi shpenzoi para për të afruar në skuadër lojtarë si Robert Lewandowski dhe Raphinha.

Lewandowski, golashënuesi më i mirë i ligës, e humbi shansin më të mirë në pjesën e parë kur dështoi nga afërsia.

Barcelona dominoi me posedim të topit dhe krijoi shanse, por ishte Reali që i shfrytëzoi mundësitë dhe mbrojtjen e Barcelonës që po ka vështirësi.

“E dinim sa do të vuanim kur ata e kanë topit, por ishim efektivë në sulm dhe shënuam tre gola”, ka thënë Modriq.

Benzema e hapi serinë e golave në minutën e 12-të kur shënoi nga afërsia, pas topit të kthyer nga portieri Marc-Andre ter Stegen, i cili priti goditjen e Vinicius Juniorit të vetmuar. Ishte goli i parë i Benzemas në gjashtë ndeshje. Atij, po ashtu, iu anulua një gol për pozitë jashtë lojës në pjesën e dytë.

Valverde e dyfishoi epërsinë me një gjuajtje zhargas nga distanca në minutën e 35-të, ndërsa Ferran Torres e realizoi golin e vetëm për vizitorët në minutën e 83-të.

Zëvendësuesi Rodrygo ia konfirmoi fitoren Realit duke e konvertuar në gol penalltinë që e fitoi vetë në kohën shtesë.

“Jemi shumë të dëshpëruar”, ka thënë mbrojtësi i Barcelonës, Jules Kounde. “Nuk luajtëm ndeshje të keqe, por kemi bërë gabime në transicion në pjesën e parë dhe ata e shfrytëzuan këtë”.

Reali ishte ende pa portierin Thibaut Courtois, ndërsa Barcelona ishte e goditur, po ashtu, nga një numër i madh i lëndimeve dhe Xavi u desh të improvizonte me Kounden si qendërmbrojtës.

Ishte fitorja e tetë e Realit në nëntë ndeshje të ligës, ndërsa ndalesa e vetme ishte barazimi 1:1 në shtëpi kundër Osasunas në xhiron e shtatë.

Barcelona, e cila të vetmin barazim e kishte në xhiron e parë kundër Rayo Vallecanos në shtëpi, kishte pësuar vetëm një gol në tetë ndeshjet e ligës.

Ndërkohë Real Sociedadi fitoi 2:1 në udhëtim te Celta Vigo për fitoren e shtatë rresht në të gjitha garat.

Asier Illarramendi dhe Igor Zubeldia shënuan për Sociedadin nga një gol në secilën pjesë, për të kaluar në vendin e katërt.
Celta e mesit të tabelës, që shënoi me sulmuesin veteran, Iago Aspas, në pjesën e parë, ka humbur në katër nga pesë duelet e fundit.