Sonte dhe nesër mbrëma përcaktohen të gjitha skuadrat që do të paraqiten në fazën nokaut të Ligës së Kampionëve. Luhen ndeshjet e fundit të fazës grupore të garës elitare për klube të futbollit.
Ndërkohë shorti për një të tetën e finales së Championsit tërhiqet të hënën më 7 nëntor në Nyon të Zvicrës. Shorti tërhiqet prej orës 12:00.
Në short, fituesit e grupeve janë bartës, ndërsa skuadrat e kualifikuara prej pozitës së dytë nuk janë bartëse.
Në një të tetën e finales nuk mund të luajnë ekipet nga i njëjti vend e po ashtu ekipet që janë takuar në fazën grupore, ka njoftuar UEFA.
Një e teta e finales luhet me nga dy ndeshje. Ndeshjet e para janë në shkurt të vitit të ardhshëm (14/15/21/22), ndërsa ndeshjet e kthimit janë në mars (7/8/14/15).
Shorti i çerekfinales, gjysmëfinales dhe finales tërhiqet më 17 mars 2023.