Futboll

Sot tërhiqet shorti i Championsit dhe Ligës së Evropës

Shorti

Pas përfundimit të ndeshjeve të fazës së ligës në Ligën e Kampionëve dhe Ligën e Evropës, sot në Nyon të Zvicrës do të tërhiqet shorti për ndeshjet e plejofit të fazës nokaut. 

Shorti i Ligës së Kampionëve tërhiqet nga ora 12:00, ndërsa ai i Ligës së Evropës, nis në orën 13:00. 
Në short janë të përfshirë skuadrat që kanë përfunduar nga vendi i nëntë deri në vendin e 24-t në fazën e ligës. 

Tetë skuadrat e para të fazës së ligës avancuan direkt në një të tetën e finales. Ato janë Arsenali, Bayern Munichu, Liverpooli, Tottenhami, Barcelona, Chelsea, Sportingu dhe Manchester City.  
Bartës të shortit të premten në Champions janë Real Madridi, Interi, PSG-ja, Neëcastle, Juventusi, Atletico Madridi, Atalanta dhe Leverkuseni. Ndërkohë, ekipet jo bartëse në short janë Dortmundi, Olympiacosi, Club Brugge, Galatasaray, Monaco, Qarabagu, Bodo/Glimti dhe Benfica. 

Klubet e vendit të nëntë dhe të dhjetë do të kenë përballë ekipet e vendit 23 apo 24. Klubet e pozitës 11 apo 12 do të luajnë ndaj klubeve të vendit 21 apo 22, ekipet e renditura në vendin e 13 apo 14, do të luajnë ndaj ekipeve të vendeve 19 apo 20 dhe klubet e vendeve 15 apo 16, ndaj klubeve të vendeve 17 apo 18. 

Në plejofin e fazës nokaut mund të ballafaqohen edhe ekipet e shteteve të njëjta. 
Përparësi e skuadrave bartëse në short është se ndeshjet kthyese do t’i luajnë në shtëpi. 
Ndeshjet e para luhen më 17 apo 18 shkurt, kurse ato kthyese më 24 apo 25 shkurt. 

Tetë skuadrat që avancojnë nga plejofi i fazës nokaut, do t’u bashkohen skuadrave që janë kualifikuar direkt në 1/8 e finales. Më pas nëpërmjet shortit më 27 shkurt, do të mësohet edhe rruga drejt finales, që më 30 maj luhet në Budapest të Hungarisë. 

Shorti funksionon njësoj edhe për Ligën e Evropës. 

Tetë skuadrat që përfunduan në vendin e parë në fazën e ligës, në Ligën e Evropës, janë Lyoni, Aston Villa, Midtjyllandi, Real Betisi, Porto, Braga, Freiburgu dhe Roma. 

Bartës të shortit në Ligën e Evropës janë Genku, Bologna, Stuttgarti, Ferencvarosi, Nottingham Foresti, Viktoria Plzeni, Cërvena Zvezda dhe Celta Vigo. PAOK-u, Lille, Fenerbahçe, Panathinaikosi, Celticu, Ludogoretsi, Dinamo Zagrebi dhe Branni nuk janë bartës në short. 

Ndeshjet e para të plejofit të fazës nokaut në Ligën e Evropës luhen më 19 shkurt, ndërsa ato kthyese më 26 shkurt. 

Finalja e Ligës së Evropës luhet në Stamboll më 20 maj.