Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Mbappe e sheh te ardhmen te PSG-ja dhe synon ëndrrën olimpike

Kylian Mbappe ka thënë se do të jetë ende një lojtar i Paris Saint-Germainit sezonin e ardhshëm, pavarësisht spekulimeve të rregullta për të ardhmen e tij, pasi superylli francez gjithashtu pranoi se shpreson të luajë për vendin e tij në Lojërat Olimpike “Parisit 2024”. I pyetur se ku e sheh veten duke luajtur sezonin e ardhshëm në një intervistë për kanalin televiziv “France 3” të enjten, Mbappe u përgjigj: “Në Paris Saint-Germain. Unë jam parisien, kam një kontratë dhe do ta respektoj. Pra, do të mbetem te Paris Saint-Germaini”.

Mbappe nënshkroi një kontratë të re me PSG-në në fund të sezonit të kaluar për të mbetur pjesë e klubit në pronësi të Katarit deri në verën e vitit 2025, megjithëse raportet e mediave franceze kanë treguar se viti i fundit i kësaj marrëveshjeje mund të prishet nga lojtari.

Kjo do ta rriste mundësinë që 24-vjeçari të mund të largohej falas në fund të sezonit të ardhshëm. Deklaratat e Mbappes vijnë një javë pasi ai u ankua për përdorimin e një interviste nga klubi me të si pjesë e fushatës reklamuese të biletave sezonale, përpara se klubi t’i hiqte pamjet. Ai iu bashkua PSG-së në vitin 2017 nga Monaco dhe ende shpreson ta fitojë trofeun e Ligës së Kampionëve me klubin e tij të qytetit të lindjes.

“Unë kam arritur tashmë në një finale dhe një gjysmëfinale. Unë kam qenë në çerekfinale, në 1/8 e finales. Kam bërë gjithçka, por ende nuk e kam fituar këtë trofe”, pranoi Mbappe. “Kjo është gjithçka që më mungon. Shpresoj se do të vijë sa më shpejt dhe ta shijoj këtë sukses”.

Një fitues i Kupës së Botës me Francën në vitin 2018 dhe nënkampion vitin e kaluar, Mbappe tha se ishte “ëndrra” e tij ta përfaqësonte vendin e tij në Lojërat Olimpike të Parisit që mbahen vitin e ardhshëm.

“Shpresoj të jem atje. Të gjithë e dinë se kam ëndërruar gjithmonë të luaj në Lojërat Olimpike, por kjo nuk varet nga unë”, pranoi Mbappe.

Klubet zakonisht nuk janë të detyruara të lirojnë lojtarët për të marrë pjesë në Lojërat Olimpike, pasi turneu i futbollit nuk është pjesë e kalendarit ndërkombëtar të ndeshjeve të FIFA-s.

“Nuk do ta detyroj klubin apo askënd tjetër. Nëse njerëzit nuk duan që unë të luaj në Olimpiadë, kjo do të thotë që nuk duhet. E vërteta është se nuk është pjesë e kalendarit të FIFA-s. Unë duhet të mendoj për klubin tim, por edhe për përfaqësuesen time, sepse është Evropiani para tij, kështu që duhet të diskutohet. Të gjitha këto gjëra duhet të merren parasysh, por sigurisht që do të ishte një ëndërr të luaja në Olimpiadë, aq më tepër në Paris”, është shprehur Mbappe.

Sulmuesi 24-vjeçar edhe këtë sezon ka vazhduar me formë të mirë, ku ka realizuar 31 gola në 35 ndeshje të luajtura në të gjitha garat. Krahas golave, Mbappe ka bërë edhe 8 asistime.

Artikuj të ngjashëm