Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Mbappe “duhet të nënshkruajë kontratë të re”

Kylian Mbappe duhet të nënshkruajë kontratë të re nëse dëshiron të qëndrojë te Paris Saint-Germaini, ka thënë presidenti i klubit francez, Nasser Al-Khelaifi. Al-Khelaifi ka folur në konferencën për shtyp kur u prezantua Luis Enrique si trajner i ri i skuadrës, pas shkarkimit të Christophe Galtierit. Sulmuesi francez, Mbappe 24-vjeçar, i ka thënë PSG-së se nuk do ta vazhdojë kontratën që i skadon në vitin 2024. “Qëndrimi jonë është i qartë”, ka thënë Al-Khelaifi. “Nëse Kylian Mbappe dëshiron të qëndrojë – ne dëshirojmë që ai të qëndrojë – duhet të nënshkruajë kontratë të re. Nuk mund ta lëmë lojtarin më të mirë në botë për momentin të largohet si futbollist i lirë. Kjo është e pamundur”, ka theksuar Al-Khelaifi. Mbappe e ka opsionin e vazhdimit të kontratës edhe për një vit tjetër, kur ajo t’i skadojë në vitin 2024. Mbappe iu bashkua PSG-së në vitin 2017, fillimisht në formë huazimi nga Monaco, e më pas u transferua përfundimisht për 180 milionë euro. Ai ka realizuar 212 gola në 260 ndeshje për këtë skuadër. Ka qenë golashënuesi më i mirë në ligë në secilin prej pesë edicioneve të fundit. PSG-ja ka fituar pesë tituj në gjashtë sezonet e fundit me Mbappen.

Artikuj të ngjashëm