Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Mauritania, autsajderja që po shkruan historinë në Kupën e Afrikës

Kur Yali Dellahi shënoi gol në minutën e 37-të, ishte hera e parë që Përfaqësuesja e Mauritanisë ishte ndonjëherë në epërsi në një ndeshje të Kupës së Afrikës. 57 minuta më vonë, Mauritania fitoi ndeshjen e parë në turneun e kontinentit afrikan dhe për herë të parë avancoi në fazën nokaut.

Fitorja historike e Mauritanisë u arrit kundër Algjerisë me rezultatin 1:0 në ndeshjen e fundit të fazës së grupeve. Për Algjerinë ishte humbja e parë në grup, e cila erdhi pas dy barazimeve dhe ishte disfatë fatale. Mauritania përfundoi e treta në Grupin D, prapa Angolës dhe Burkina Fasos, por e dërgoi në shtëpi Algjerinë, një prej favoriteve për të triumfuar në këtë edicion të turneut të Kupës së Afrikës.

Një ditë pas humbjes nga Mauritania, zhgënjimi ishte i madh në kampin e Algjerisë, pasi ekipi u largua nga Bregu i Fildishtë ku po mbahet turneu.

“Kur të kthehemi në shtëpi, do t’u tregoj për të ardhmen time”, tha shkurt selektori i Algjerisë, Djamel Belmadi, që ndërkohë konfirmoi largimin nga posti.

Përderisa kjo ishte fitorja e parë për Mauritaninë në Kupën e Afrikës, ishte humbja e parë për Algjerinë nga një ekip i cili renditet 75 pozita më poshtë në ranglistën e FIFA-s. Për Mauritaninë, ,që po merr pjesë për herë të tretë në Kupën e Afrikës, kjo ishte fitorja e parë dhe në tentimin e nëntë mori pikët e plota që dolën të ishin historike.

Edhe Mauritania shokon Algjerinë dhe kualifikohet Sport Mauritania shokon Algjerinë dhe kualifikohet

“Ne erdhëm këtu si autsajderë, por kemi shkruar historinë. Është diçka e jashtëzakonshme që fitorja e parë na e mundësi për herë të parë të kalojmë fazën e grupeve në këtë turne. Kemi besuar prej fillimit se mund t’ia dalim dhe nuk jemi dorëzuar në asnjë ndeshje. Kemi treguar se mund të eliminojmë favoritët dhe synojmë të shkojmë edhe më larg”, ka thënë selektori i Mauritanisë, Amir Abdou.

“Lojtarët patën një paraqitje historike ndaj Algjerisë dhe ata tashmë i kanë emrat e tyre të shkruar në librin e historisë të futbollit të Mauritanisë. Jam shumë i lumtur që do të luajmë në fazën nokatut, është një ndjenjë që nuk mund ta përshkruaj”.

Ndeshjen e parë në grup Mauritania e humbi nga Burkina Faso (1:0), përpara se të pësoj edhe nga Angola (3:2). Megjithatë, në ndeshjen më të rëndësishme dhe më të fortë të grupit, Mauritania ia doli të mbaj gjallë shpresat për të shkuar edhe më larg në Kupën e Afrikës. Në fazën nokaut, Mauritania do të përballet me Kepin e Gjelbër, ndeshje kjo që zhvillohet më 29 janar.

“Jemi gati edhe për këtë ndeshje, që po ashtu është shumë e rëndësishme”, shtoi Abdou.

Edhe pse qendërmbrojtësi Delahi e shënoi golin e vetëm ndaj Algjerisë, më i merituari për këtë triumf dhe kalimin tutje ishte portieri Babacar Niasse. Ai u shpall lojtari i ndeshjes, në të cilën me pritjet e bëra ia mohoi golin Algjerisë pasi avantazhit të Mauritanisë në pjesën e parë.

Babacar u tregua modest dhe insistoi se këtë çmim e meriton gjithë ekipi i Mauritanisë.

Edhe Nigeria kalon në gjysmëfinale të Kupës së Afrikës Futboll Nigeria kalon në gjysmëfinale të Kupës së Afrikës

“Ndihem krenar për çmimin, por mendoj se ky është një çmim kolektiv për shkak se të gjithë jemi angazhuar së bashku për ta shkruar historinë. Jam më se krenar që po e përfaqësoj vendin tim në këtë turne të rëndësishëm dhe shpresoj të mos ndalemi me kaq”, u shpreh Babacar. “E kemi pasur parasysh se të gjitha ndeshjet do të ishin të vështira, por thellë në vete e dinim se mund të bënim diçka më shumë sesa vetëm të marrim pjesë”.

Mauritania për herë të parë u paraqit në Kupën e Afrikës në vitin 2019 për të vazhduar edhe në vitin 2021 por u eliminua në fazën e grupeve. Tani, në turneun që po mbahet në Bregun e Fildishtë, Mauritania po synon të vazhdoj ta shkruaj historinë, duke e shënuar fitoren e dytë për ta eliminuar Kepin e Gjelbër në 1/8 e finales.