Mungesa e golave nga Youssef En-Nesyri bart fokusin te futbollistët e tjerët të Marokut për të shënuar në Kupën e Botës në Katar.
En-Nesyri nuk ka shënuar për Sevillan në ligën spanjolle, pasi kishte shënuar 18 gola në dy edicionet e kaluara.
En-Nesyri ka eksperiencë të konsiderueshme pasi ka zhvilluar 49 ndeshje dhe ka realizuar 14 gola në nivel përfaqësueseje, përfshirë një me kokë kundër Spanjës në Kupën e Botës 2018. Aftësia e tij për t’i kuptuar pasimet e mbrojtësve kundërshtarë është aset.
Pasi ai nuk po shënon, Sofiane Boufal po e bën një gjë të tillë.
Në moshën 29-vjeçare, Boufal po e kalon formën më të mirë dhe katër nga pesë golat me Përfaqësuese i ka shënuar këtë vit. Ai po ashtu ka shënuar tri gola në 11 ndeshje për Angersin në ligën franceze këtë sezon.
Ai është vlerësuar talent prej kohësh, ndonëse i paqëndrueshëm.
Pesë vjet më parë, Boufal shënoi një supergol për Southamptonin duke vrapuar nga gjysma e fushës së vet dhe duke i kaluar pesë lojtarë. Ai e fitoi çmimin për golin e sezonit në Premier League në edicionin 2017/18.
Përderisa Boufal po e kthen formën, Hakim Ziyech është rikthyer pasi ishte përjashtuar nga ish-përzgjedhësi i Marokut, Vahid Halilhoxhiq . Boshnjaku e përjashtoi futbollistin e krahut të Chelseat për shkak se nuk pranoi të luante në një miqësore.
“Një lojtar që refuzon të stërvitet, refuzon të luajë, që shtiret si i lënduar, për mua ai tregim merr fund”, ka thënë Halilhoxhiq në televizionin kroat, Nova TV, në muajin prill. “Ekipi përfaqësues është i shenjtë”.
Pavarësisht se i kualifikoi “Luanët e Atlasit” në turne, Halilhoxhiq u shkarkua në muajin gusht. Federata e Futbollit të Marokut ka thënë se ishte për mosmarrëveshje në përgatitjen e ekipit për Kupë të Botës, aty ku Maroku ka kundërshtarë të vështirë në Grupin F. Ekipi do ta hapë garën kundër finalistes së Botërorit 2018, Kroacisë, më 23 nëntor, para se të luajë kundër gjysmëfinalistes së vitit 2018, Belgjikës, dhe më pas ndaj Kanadasë.
Maroku e zëvendësoi Halilhoxhiqin me Walid Regragui, marokenin 47-vjeçar i cili luajti 45 ndeshje në krahun e djathtë të mbrojtjes me përfaqësuese. Sezonin e fundit, Regragui e udhëhoqi klubin maroken, Wydad Casablanca drejt titujve në ligë dhe në Ligën e Kampionëve CAF.
Regragui menjëherë e thirri Ziyechin, i cili ishte shumë i palumtur nën urdhrat e Halilhoxhiqit të rreptë. Pas rikthimit të tij, Maroku fitoi 2:0 ndaj Kilit dhe barazoi 0:0 me Paraguain në miqësoret e muajit të kaluar.
Kundër kilianëve, Regragui dha një sinjal se si ekipi mund të luante kundër Kroacisë duke e futur Ziyechun në krahun e djathtë dhe Boufalin në të majtin, me El-Nesyrin më përpara. Funksionoi. Boufal shënoi, ashtu si bëri Abdelhamit Sabiri, golashënues i rregullt në Itali me Sampdorian, e që iu gëzua golit të parë me përfaqësuese.
Dikur i njohur me nofkën “Magjistari” nga tifozët e Ajaxit, Ziyech ka një pikë për të vërtetuar po ashtu, pas dështimit në Kupën e Botës në Rusi. Ai ishte i dëshpëruar kur humbi një shans herët në ndeshjen që Maroku e humbi nga Irani 1:0 në nisje të turneut.
Ziyech dhe Boufal do të kenë shumë shanse shënimi nëse Achraf Hakimi është në formë. Mbrojtësi i djathtë i Paris Saint-Germainit është një prej më të talentuarve në fazën e sulmit nga ajo pozitë dhe ka shpejtësi, aftësi, pasime të mira dhe sy për të gjuajtur në gol. Ka shënuar tetë gola në 53 paraqitje për Marokun.
Oferta e Belhandas
Qasja sulmuese e Regraguit do të thotë se mesfushori i talentuar, Younes Belhanda, i cili luan për skuadrën turke Adana Demirspor, mund të marrë thirrje për Kupë të Botës.
Belhanda sjell eksperiencë të vlefshme pasi ka 55 paraqitje me Përfaqësuesen. Ai ka fituar titullin e ligës me Montpellierin në vitin 2012, aty ku ishte një prej lojtarëve kryesor me sulmuesin francez, Olivier Giroud. Pasimet e Belhandas mund ta ndihmojnë edhe En-Nesyrin që t’u kthehet golave.
Shqetësimet në mbrojtje
Mbrojtësi i krahut të majtë, Adam Masina, nuk do të jetë në Botëror pasi këputi ligamentet e gjurit të djathtë derisa ishte duke luajtur në Itali me Udinesen. Qendërmbrojtësi që vlerësohet shumë te West Hami, Nayf Aguerd, ka lëndim në gju por mund të jetë i gatshëm për në Katar.
Eksperienca në Kupë të Botës
Maroku luan për herë të gjashtë në Kupë të Botës. Për herë të parë u paraqit në vitin 1970. U bë ekipi i parë afrikan që shkoi në fazën nokaut në vitin 1986.
Paraqitja e shkëlqyer bëri që Maroku të përfundojë para Anglisë, Portugalisë dhe Polonisë, para se të mposhteshin nga Gjermania Perëndimore 1:0 në 1/8 e finales.