Zhgënjimi i sulmuesit Wissam Ben Yedder për mungesën në Kupës së Botës ishte aq i madh saqë forma e tij aktuale për skuadrën e Monacos ka befasuar shumë njerëz. Pas një fillimi të pafrymëzuar të sezonit, sulmuesi arriti kulmin në kohën e duhur vitin e kaluar dhe shpresonte që trajneri i Francës, Didier Deschamps, ta vërente. Por, pavarësisht se ishte i rregullt te Franca në dy vjetët e fundit, Ben Yedder nuk u përfshi në skuadër për turneun në Katar.
Në moshën 32-vjeçare shansi i Ben Yedderit për t'u paraqitur në skenën më të madhe ka të ngjarë të jetë zhdukur përgjithmonë. Sulmuesi i shkurtër me aftësi të shkëlqyera finalizimi kishte folur vazhdimisht për “ëndrrën” e tij për të luajtur në Kupën e Botës, gjë që të paktë ishin ata që besonin se Ben Yedder mund të kthehej kaq shpejt nga dhimbja e të mbeturit jashtë Botërorit të Katarit. Një nga ata pak ishte Philippe Clement. Menjëherë pasi u shpall lista e Deschampsit, trajneri i Monacos tha se Ben Yedder ishte dukshëm i mërzitur, por këmbënguli se lojtari i tij nuk ishte “një fëmijë” dhe së shpejti do ta linte mënjanë zhgënjimin. Ai kishte të drejtë. Që kur liga rifilloi në fund të dhjetorit pasi Franca doli nënkampione e botës, ish-sulmuesi i Toulouset dhe Sevillas ka shënuar tetë gola, duke mishëruar ringjalljen e Monacos, ndërsa klubi kërkon një vend në Ligën e Kampionëve.
Që nga fillimi i vitit Monaco ka grumbulluar 17 pikë – më shumë se çdo skuadër në vitin 2023 – dhe Ben Yedder ka kontribuuar ndjeshëm në këtë formë të shkëlqyer. Fundjavën e kaluar ai arriti në shifrën e 14 golave këtë sezon, përkatësisht në 19 në të gjitha garat, me dy gola në fitoren 3:1 ndaj liderit Paris Saint-Germainit. Golat e ndihmuan Monacon të zgjasë serinë në tetë ndeshje pa humbje në ligë.
Përpara udhëtimit të së dielës në Brest, Monaco është ngjitur në pozitën e tretë në Ligue 1 për herë të parë këtë sezon, vetëm dy pikë prapa Marseillet së vendit të dytë dhe me PSG-në që ka pesë pikë epërsi në krye të tabelës.
PSG-ja pret Lillen të dielën dhe Marseille udhëton për në Toulouse.
Edhe
Ben Yedderi drejt Premier Leagues
Ben Yedder u shpërblye këtë javë për pesë golat në janar me trofeun për lojtarin më të mirë të muajit në ligë. Nëse e mban këtë ritëm, Ben Yedder ka të ngjarë të kthehet nga Deschamps për kualifikimet e Kampionatit Evropian 2024.
Pas marrjes së ekipit nga trajneri i mëparshëm Niko Kovaq, Clement e ka transformuar Monacon në një pretendent të vërtetë. Ish-tekniku i Club Brugge fillimisht solli stabilitet në vijën e pasme të Monacos, para se ta instalojë shpirtin e tij sulmues.
“Të gjithë lojtarët e mi kanë mentalitet fitues dhe nuk luajnë vetëm për të ndalur kundërshtarët”, tha Clement. “Ata besojnë në vete dhe në shokët e tyre. Është e vërtetë që ne bëjmë gjithçka për të shënuar duke u përpjekur të jemi solid edhe në mbrojtje”.
Me 51 gola në 23 ndeshje të ligës – përfshirë 22 pas pushimit të Kupës së Botës – Monaco krenohet me sulmin e dytë më të mirë këtë edicion. Përveç kësaj, skuadra ka shënuar të paktën një herë në secilën nga 33 ndeshjet e fundit të ligës. Ben Yedder nuk është i vetmi që shënon gola për Monacon. Sulmuesi Breel Embolo ka 12 gola në ligë, pavarësisht se duhet të ndajë mundësitë me Ben Yedderin.
“Është vetëm fillimi i shkurtit dhe Breel tashmë e ka tejkaluar numrin e tij për më së shumti gola në karrierë brenda një sezoni”, tha Clement.
Edhe
Monaco dëshiron të bëjë vend në “Champions”
Dy sulmuesit po gëzojnë mbështetje të qëndrueshme nga një tjetër dyshe shumë efektive e lojtarëve krijues si Caio Henrique dhe Aleksandr Golovin, të cilët kanë dhënë 13 asistime.
“Vetëm Paris Saint-Germaini po bën më mirë se ne dhe ka më shumë armë se Monaco në sulm”, tha Clement.