Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Mane iu nënshtrua me sukses operimit në gju

Sulmuesi i Senegalit, Sadio Mane, do të mungojë në Kupën e Botës pasi iu nënshtrua një operimi në gju për shkak të lëndimit që e pësoi sa ishte duke luajtur me Bayernin.

Të martën Federata e Futbollit të Senegalit tha se Mane, 30-vjeçar, do të mungojë në “ndeshjet e para” të turneut.

Por, incizimet më të thella të bëra enjten kanë treguar se atij i duhej intervenimi kirurgjik.

Bayerni në mbrëmje njoftoi se intervenimi tashmë është kryer.

“Sadio Mane iu nënshtrua me sukses intervenimit në Innsbruck nga prof Christian Fink dhe Dr Andy Williams të enjten mbrëma. Sulmuesi i Bayernit nuk do të mund të luaj për Senegalin në Botëror dhe do të fillojë rehabilitimin në Munih në ditët e ardhshme”, ka njoftuar Bayerni.

Mane u detyrua të zëvendësohej në ndeshjen kundër Werder Bremenit, më 8 nëntor.

Senegali e nis kampanjën e Botërorit kundër Holandës të hënën.

Senegalezët janë në Grupin A, ndërsa do të luajnë edhe kundër Katarit e Ekuadorit.

Dy herë lojtari më i mirë i vitit në Afrikë e shënoi penalltinë e triumfit në Kupën e Afrikës, kur Senegali mposhti Egjiptin.

Senegali e mposhti Egjiptin edhe në plejofin për kualifikim në Katar, falë një tjetër goli të shënuar nga Mane.

Mane është prej yjeve të mëdha të futbollit, ndërsa mungesa e tij është goditje e jashtëzakonshme për Senegalin.

Artikuj të ngjashëm