Sport

Lozano zyrtarizohet te Napoli

Foto: Getty Images

Sulmuesi meksikan Hirving Lozano ka firmosur kontratë pesëvjeçare me Napolin, duke u bërë transferim rekord i skuadrës italiane, pasi Napoli pagoi mbi 40 milionë euro për të.

Reprezentuesi i Meksikës ka udhëtuar të martën pasdite dhe i është nënshtruar testeve mjekësore te Napoli të mërkurën, transmeton “Koha Ditore”. Kontratën e ka firmosur të premten. Ai ka vendosur rekord të ri si lojtari më i shtrenjtë i Napolit.

Napoli fillimisht ka paguar 38 milionë euro, ndërsa shuma mund të rritet deri në 42 milionë euro. Deri më tash transferimi rekord i Napolit ishte ai i Gonzalo Higuainit për 37 milionë euro.

Lozano njëherit është bërë lojtari më i shtrenjtë meksikan. Lozano ka qenë në radar të Napolit që nga janari, por negociatat janë tejzgjatur këtë verë, por më në fund është arritur marrëveshje pasi PSV-ja është eliminuar në raundet kualifikuese të Ligës së Kampionëve.

Lozano 24-vjeçar ka shënuar 40 gola në 79 ndeshje për PSV-në dhe ka fituar titullin e Holandës në stinorin 2017-18.