Nuk është asgjë e re që një ndeshje mes Manchester Cityt dhe Liverpoolit të ketë ndikim të rëndësishëm në garën për titull në Premier League. Të shtunën, megjithatë, takimi mes dy skuadrave më dominuese të futbollit anglez në vitet e fundit ka një ndikim të ndryshëm.
Sa i takon kampionit aktual, Cityt, çdo gjë tjetër përveç një fitoreje në “Etihad Stadium” do t'i jepte liderit të Premier Leagues, Arsenalit, mundësinë për të shtuar epërsinë dhe për t'u afruar gjithnjë e më shumë me titullin e parë të ligës në 19 vjet.
Arsenali kryeson në tabelë me tetë pikë më shumë se City, ndërsa skuadra londineze ka një ndeshje më shumë të zhvilluar. Për Liverpoolin çdo shpresë për të sfiduar titullin u zhduk shumë kohë më parë në një kampanjë problematike, të dëmtuar nga lëndimet dhe forma jostabile. Por skuadra e drejtuar nga Juergen Klopp mund të ketë ende ndikim të madhe në garën për titull, me ndeshjet kundër Cityt këtë fundjavë dhe Arsenalit muajin e ardhshëm. Prioriteti për Liverpoolin është të sigurojë një vend në top-katërshe dhe kualifikimin për në Ligën e Kampionëve. Kjo është arsyeja pse derbi i së shtunës mes Cityt dhe Liverpoolit, që nis në orën 13:30 dhe i takon xhiros së 29-të, është kaq i nxehtë. Fitorja është jetike për të dyja skuadrat, edhe nëse nuk janë ballë për ballë për titull.
Te City nuk është e sigurt paraqitja e sulmuesit Erling Haaland, i cili duket se ende nuk është rikuperuar nga lëndimi që e pësoi gjatë grumbullimit me Përfaqësuesen e Norvegjisë. Haaland nuk ka stërvitur me Cityn të enjten, ndërsa trajneri Pep Guardiola tha se do ta shohë nga afër gjendjen e tij dhe do të marrë vendim në lidhje me të në momentet e fundit. Haalandi është lojtari kryesor i Cityt këtë sezon, duke shënuar 42 gola në 37 paraqitje në të gjitha garat. Ndërsa është e konfirmuar mungesa e Phil Fodenit.
“Haalandi po rikuperohet dhe do të shohim si do të ndihet deri para ndeshjes. Ndërkohë, Fodeni nuk do të jetë gati të paktën edhe për dy javë”, ka thënë Guardiola të premten.
Dy skuadrat kanë fituar pesë titujt e fundit të ligës, me Cityn që ka fituar katër dhe Liverpooli një.
Man City pa dyshim ka pasur më shumë nga rivaliteti, me dy nga kampanjat që përfunduan me titull të përfunduara para Liverpoolit për vetëm një pikë. Së fundi kjo ndodhi sezonin e kaluar, kështu që rënia e Liverpoolit ka ardhur si një surprizë.
Nëse Liverpooli nuk kualifikohet për Ligën e Kampionëve mund të ketë probleme sezonin tjetër për të luftuar për titullin e kampionit, pasi do të humbiste të ardhurat që vijnë nga gara elitare e Evropës për klube. Kjo mund të ndikojë në planet e transferimeve për Juergen Kloppin, i cili të paktën po synon një mesfushor për ta përmirësuar ekipin e tij. Jude Bellingham, një nga lojtarët më të kërkuar në Evropë, është lidhur me një lëvizje në Anfield nga klubi gjerman Borussia Dortmund. Por shanset për angazhimin e tij mund të zhduken nëse Liverpooli nuk do jetë në Champions. Liverpooli është shtatë pikë pas Tottenhamit të vendit të katërt, me dy ndeshje më pak të luajtura. Por është gjithashtu pesë pikë prapa Newcastlet të vendit të pestë.
Një ekip që garoi për katër trofe vitin e kaluar po lufton për të shpëtuar atë që ka mbetur nga ky sezon – kualifikimin në Champions.
“Haaland është lojtar i rëndësishëm, por City është bërë kampion edhe pa sulmues fare. Kështu që si me të si pa të City mbetet një kundërshtar tejet i fortë. Është një ndeshje super e rëndësishme dhe këtë e kemi parasysh. Jemi maksimalisht të fokusuar dhe gati për të shfaqur potencialin tonë më të mirë. Është e rëndësishme të fitojmë dhe sigurisht se për pikët e plota do të dalim në fushë edhe pse luajmë si mysafir”, ka thënë trajneri i Liverpoolit, Juergen Klopp.
Është një histori krejt tjetër për Cityn, i cili ende mund të fitojë Premier Leaguen, Ligën e Kampionëve dhe Kupën FA. Por koha po ikën për të zhdukur diferencën me Arsenalin. Fitorja ndaj Liverpoolit sigurisht që do të ishte një nxitje – veçanërisht me një lojë më pak se Arsenali dhe ndeshjen në shtëpi kundër liderit që do të vijë muajin e ardhshëm. City po tregon shenja se është i vendosur për një përfundim të fuqishëm të sezonit, duke humbur vetëm një herë në 14 ndeshjet e fundit në të gjitha garat. Ka fituar gjashtë të fundit, por është gati të nisë një periudhë kritike ndeshjesh. Pas Liverpoolit, City përballet me Bayern Munichun në dy ndeshje në çerekfinalet e Ligës së Kampionëve, Sheffield Unitedin në gjysmëfinalet e Kupës FA dhe Arsenalin në ligë – të gjitha para fundit të prillit.
“Juergen Kloppi dhe unë e njohim njëri-tjetrin, të dy kemi qenë trajnerë për shumë vjet. Çdo klub mund të ketë ulje dhe ngritje. Mendimi im për Liverpoolin mbetet i njëjtë, pavarësisht nëse fiton Ligën e Kampionëve apo ka ulje e ngritje. Liverpooli do të jenë gjithmonë një rival i madh”, ka insistuar Pep Guardiola. “Ne e kemi këtë lojë dhe më pas një orar të vështirë me shumë ndeshje, por gjëja më e rëndësishme është se pas shumë vjetësh ne jemi ende duke luftuar dhe kjo është shumë mirë. Të fitosh është e mirë, të jep besim dhe këtë synojmë ta bëjmë në këtë duel”.