Skuadra e Liverpoolit ka kthyer sytë kah mesfushori argjentinas, Alexis Mac Allister, ka shkruar të premten “The Sun”.
Mësohet se Liverpooli është i gatshëm ta mposhtë konkurrencën e fortë të skuadrave të tjera për 24-vjeçarin, i cili në fund të vitit të shkuar u shpall kampion bote me Argjentinën.
Mac Allister pritet të largohet nga Brightoni këtë verë, ndërsa Liverpooli po përgatit një ofertë deri në 70 milionë euro për transferimin e tij.
Mesfushori defensiv ka treguar paraqitje të mira këtë sezon me fanellën e Brightonit, ku ka shënuar 10 gola dhe ka bërë 2 asistime në 28 paraqitje në të gjitha garat.
Ai është pjesë e Brightonit prej vitit 2019, ndërsa me ekipin anglez ka kontratë deri në verën e vitit 2025.