Sulmuesi Divock Origi nuk do të jetë me pjesë e Liverpoolit. Ekipi anglez të enjten ka njoftuar se belgu do të largohet nga “Anfield Road” në fund të këtij muaji, kur edhe i skadon kontrata. Liverpooli e ka falënderuar Origin për kontributin që e ka dhënë për tetë vjet në klub dhe i ka dëshiruar suksese në karrierë.
“Divock Origi do të largohet nga klubi, kur edhe i skadon kontrata në fund të qershorit. Faleminderit për tetë vjetët e jashtëzakonshëm të shërbimit, duke na lënë kujtime të veçanta”, shkroi Liverpooli në “Twitter”.
27-vjeçari në sezonin e fundit shënoi gjashtë gola dhe bëri katër asistime. Origi pritet që karrierën ta vazhdojë në Itali, te skuadra e Milanit, me të cilën është raportuar se ka arritur marrëveshje më herët. Si lojtar i lirë, Origi me Milanin pritet të firmosë kontratë katërvjeçare.