Sport

Liverpooli kërkon nga UEFA ta garantojë sigurinë e tifozëve

Liverpooli i ka bërë thirrje UEFA-s që ta bëjë “gjënë e duhur” në zbatimin e një sërë rekomandimesh, pasi një raport e gjeti organin qeverisës të futbollit evropian përgjegjës për kaosin që rrethoi finalen e Ligës së Kampionëve të vitit të kaluar në Paris.

Raporti i pavarur, i porositur nga UEFA, zbuloi se konfederata evropiane mbante “përgjegjësinë kryesore për dështimet që pothuajse çuan në katastrofë”. Policia dhe autoritetet franceze u kritikuan gjithashtu për mungesë planifikimi dhe një përgjigje të ashpër ndaj tifozëve, bazuar në supozimet e pasakta se tifozët përbënin një kërcënim për rendin publik.

Fitorja 1:0 e Real Madridit ndaj Liverpoolit në “Stade de France” më 28 maj të vitit të shkuar u la në hije nga ngjarjet e shkaktuara para shfaqjes së futbollit evropian. Fillimi i ndeshjes u vonua për 37 minuta, pasi tifozët u përpoqën të hynin në stadium duke u bllokuar hyrjet e mbipopulluara. Policia më pas hodhi gaz lotsjellës drejt mijëra tifozëve të mbyllur pas gardheve metalike në perimetrin e stadiumit. UEFA u përpoq të fajësonte tifozët e Liverpoolit që erdhën me vonesë, pavarësisht se mijëra ishin mbajtur për orë të tëra jashtë stadiumit para fillimit të ndeshjes.

Në një deklaratë të lëshuar të hënën, UEFA u kërkoi falje tifozëve të Liverpoolit për “fajësimin e tyre padrejtësisht për situatën që çoi në shtyrjen e fillimit të ndeshjes”. Raporti zbuloi se ka pasur “rrezik të qartë dhe të menjëhershëm të një përplasjeje fatale” dhe se veprimi i tifozëve të Liverpoolit në fakt kishte shpëtuar jetë.

“Ne i bëjmë thirrje UEFA-s dhe të tjerëve në krye të piramidës së rregullores së futbollit që të bashkohen dhe të ndërmarrin veprime pozitive dhe transparente për të siguruar që të mos ketë më telashe të tilla në ndeshje sikurse vitin e shkuar në Paris”, tha Liverpooli nëpërmjet një deklarate, të martën. “Si një klub futbolli me histori krenare në Evropë, ne i bëjmë thirrje UEFA-s të bëjë gjënë e duhur dhe t’i zbatojë 21 rekomandimet për të garantuar sigurinë e të gjithë tifozëve të futbollit që ndjekin çdo ndeshje të ardhshme futbolli të UEFA-s”.

Një tjetër nga gjetjet kryesore të raportit ishte se modeli i policisë ishte ndikuar nga një pamje e Liverpoolit bazuar në fatkeqësinë vdekjeprurëse të Hillsborough të vitit 1989, e cila shkaktoi vdekjen e 97 tifozëve. Pas dekadash lufte për drejtësi, shefat e policisë britanike u kërkuan falje familjeve të viktimave muajin e kaluar, duke pranuar se “dështimet e policisë ishin shkaku kryesor i tragjedisë”.

Për shumë tifozë të Liverpoolit, skenat në Paris provokuan rikthim traumatik të asaj ngjarjeje që ndodhi në Hillsborough.

Aleanca e Mbështetjes së të Mbijetuarve të Hillsborough ka parë një rritje të tifozëve që kërkojnë mbështetje për shëndetin mendor që nga ngjarjet në “Stade de France” vitin e shkuar.

“Rrëfime të rreme tronditëse u shpërndanë menjëherë pas asaj nate në Paris, tregime që nga atëherë janë hedhur poshtë totalisht”, shkruan në deklaratën e Liverpoolit. “Është tronditëse që më shumë se 30 vjet pas katastrofës së Hillsborough, çdo klub dhe grupi ynë i tifozëve u nënshtrohen dështimeve të tilla themelore të sigurisë, të cilat kanë pasur një ndikim kaq shkatërrues për kaq shumë. Por edhe më shqetësues është kuptimi se për familjet, miqtë dhe të mbijetuarit e Hillsborough, Parisi vetëm sa ka përkeqësuar vuajtjet e tyre”.

UEFA është zotuar të nisë një skemë të veçantë rimbursimi për tifozët dhe një firmë ligjore që përfaqëson më shumë se 600 tifozë të Liverpoolit të lënduar ose të traumatizuar nga ngjarjet në “Stade de France”, tha të martën se po shtyn përpara një tjetër kërkesë ligjore kundër organit qeverisës.