Sport

Tifozët e Liverpoolit do të rimbursohen nga UEFA pas kaosit në finalen e Championsit

UEFA do të rimbursojë tifozët e Liverpoolit që blenë biletat për finalen e Ligës së Kampionëve të sezonit të kaluar, një ngjarje që çoi në përplasje jashtë “Stade de France” të Parisit dhe tifozët e pafajshëm u sulmuan nga policia, e cila përdori edhe lotsjellës ndaj tyre. Organi drejtues i futbollit evropian tha të martën se është krijuar një skemë për të rimbursuar të gjitha 19,618 biletat e blera nga tifozët e Liverpoolit për ndeshjen kundër Real Madridit, ndeshje kjo që u zhvillua në muajin maj të vitit të kaluar. Klubi spanjoll fitoi 1:0 për t’u shpallur për herën e 14-të kampion i Evropës. Një rishikim i pavarur në situatën e krijuar dhe i botuar muajin e kaluar, e gjeti UEFA-n më së shumti përgjegjëse për dështimet e sigurisë, të cilat “pothuajse çuan në katastrofë”.

“Është e jashtëzakonshme që askush nuk humbi jetën”, shkroi paneli hetimor në një dokument prej 220 faqesh.

Rimbursimet do t'u paguhen gjithashtu edhe tifozëve të Real Madridit, si dhe tifozëve neutralë që plotësojnë disa kritere të përcaktuara tashmë nga UEFA.

“Ne kemi marrë parasysh një numër të madh pikëpamjesh të shprehura publikisht dhe privatisht dhe besojmë se kemi krijuar një skemë që është gjithëpërfshirëse dhe e drejtë”, tha sekretari i përgjithshëm i UEFA-s, Theodore Theodoridis. “Ne njohim eksperiencat negative të atyre tifozëve atë ditë dhe me këtë skemë do të rimbursojmë tifozët që kishin blerë bileta dhe që ishin më të prekurit nga vështirësitë për të hyrë në stadium”.

Dhjetëra mijëra tifozë u mbajtën në radhë dhe ishin gjithnjë e më të dërrmuar për orë të tëra përpara ndeshjes së datës 28 majit në stadiumin “Stade de France” me kapacitet prej 75,000 ulësesh, i cili është një vend kyç për Lojërat Olimpike të Parisit 2024. Shumë tifozë u qëlluan me gaz lotsjellës nga policia para ndeshjes, e cila filloi pothuajse me 40-të minuta vonesë. Deklaratat e UEFA-s gjatë kaosit dhe pas ndeshjes fajësuan gabimisht tifozët e Liverpoolit për mbërritjen me vonesë në stadium dhe përdorimin e biletave false për t'u përpjekur të futen brenda për ta përcjellë finalen. Pas fitores së Real Madridit, një pjesë e konsiderueshme e tifozëve u grabitën duke dalë nga stadiumi nga banorët vendas. Një kërkim falje ndaj tifozëve të Liverpoolit për “përvojën e hidhur të tyre në Paris” dhe fajësimin e padrejtë u bë muajin e kaluar nga sekretari i përgjithshëm i UEFA-s, Theodoridis. Grupi i tifozëve “Football Supporters Europe” (FSE) e vlerësoi shumë vendimin e UEFA-s për rimbursimet.

“Njoftimi i UEFA-s për rimbursimet e biletave është edhe i paprecedentë dhe jashtëzakonisht i mirëpritur dhe bazohet konkretisht në kërkimin e faljes që ata u kanë kërkuar tifozëve të Liverpooli më herët”, tha anëtari i bordit të FSE-së, Kevin Miles. “Çdo tifoz futbolli që ka udhëtuar për të mbështetur një skuadër jashtë vendit duhet ta dijë se, ndërsa mund të kenë qenë tifozët e Liverpoolit ata që vuajtën vitin e kaluar, këto ngjarje ose diçka e ngjashme mund të ketë ndodhur me secilin prej nesh”.